Politika edhe në miqësore
Mospranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në FIFA e UEFA nuk është problemi i vetëm i klubeve kosovare për të luajtur me kundërshtarë të huaj.
Edhe turnetë e thjeshta të futbollit që organizohen nëpër vend të ndryshme evropiane, gjatë fazave përgatitore, kanë filluar të mbesin vetëm ëndërr për klubet tona, të cilat duket se janë të padëshiruara.
Këtë e vërteton edhe fakti se Trepça, e cila po merr pjesë në një turne ndërkombëtar në Austri, po has në vështirësi që t’i zhvillojë ndeshjet miqësore. Të martën dhe të mërkurën, atyre u kanë dështuar dy ndeshje.
Fillimisht të martën, ‘Xehetarëve’ u dështoi takimi i paraparë për ta zhvilluar ndaj nënkampionit të Azerbajxhanit, Khazar Lenkoran. Ndërsa, të mërkurën skuadra izraelite, Makabi Haifa refuzoi të përballet me kampionin kosovar të vitit të kaluar.
Duket se të dyja këto skuadra kanë refuzuar të luajnë ndaj Trepçës për shkaqe politike. Jozyrtarisht thuhet se Federata e Futbollit e Azerbajxhanit dhe ajo e Izraelit u kanë sugjeruar klubeve të tyre të mos ndeshen me Trepçën, pasi shtetet e tyre përkatëse ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
“Jozyrtarisht kemi mësuar se klubi azerbajxhanas e ka anuluar lojën ndaj nesh, për shkaqe politike. Një lojtar i atij klubi më njoftoi në bisedë private se Federata e Azerbajxhanit i ka thënë këtij klubi mos të luajë ndaj nesh, sepse vendi i tyre ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës”, deklaroi për Express, kryetari i Trepçës, Nexhmedin Haxhiu.
“Sa i përket dështimit të ndeshjes së dytë, ende nuk kam informacione të sakta, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ndoshta për arsye të njëjta edhe ata ta kenë ë anuluar ndeshjen”, theksoi Haxhiu.
Kështu, ndeshja e anuluar mes Trepçës e Makabi Haifës e ka çrregulluar edhe orarin e garave të turneut. Nuk dihet nëse garat do të vazhdojnë, apo klubet pjesëmarrëse tash e tutje në Austri do të organizojnë ndeshje miqësore secila për veti.
Në Austri, Trepça deri më tani i ka zhvilluar vetëm dy ndeshje ndaj skuadrave rumune. Kosovarët fillimisht janë mposhtur nga Cluj, me rezultat 1:0, derisa janë deklasuar nga Dinamo Bukuresht, 4:0.
Trepça për pjesëmarrje në këtë turne kishte edhe probleme të tjera. Mitrovicasit me mund të madh kanë arritur të pajisen me viza pasi ishin refuzuar dy herë nga Ambasada austriake dhe ajo zvicerane në Kosovë.