I shqetëson Beogradi
Vizita e nënkryetarit të Federatës së Basketbollit të Serbisë (FBS), Dejan Tomoasevic, që ia bëri veriut të Mitrovicës ka ngjallur reagime në Prishtinë.
Gjatë asaj vizite, Tomoasevic u kishte bërë thirrje ekipeve serbe që të mos marrin pjesë në garat e organizuara nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), ashtu siç ka bërë Bambi, por t’i vetëorganizojnë garat paralele.
Ky veprim i zyrtarit të lartë të FBS-së ka ngjallur shqetësim në shtëpinë e basketbollit kosovar. Bordi i FBK-së u ka bërë thirrje institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës që të ndërmarrin masa në mënyrë që serbët të mos lejohen të organizojnë gara paralele me shtëpinë e basketbollit kosovar brenda territorit të Kosovës, ashtu siç u sugjeroi Tomoasevic.
“Bordi i FBK-së kërkon nga strukturat udhëheqëse shtetërore si: Presidenca, Kryeministri, por edhe kryesuesja e delegacionit të bisedimeve Kosovë – Serbi, që t’i ndërmarrin të gjitha hapat për parandalimin e funksionimit të asociacioneve paralele në veri të Kosovës. Kjo po ndodh së fundmi edhe me vizitën e delegacionit të FBS-së në veriun e Mitrovicës”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga udhëheqësit e basketbollit tonë.
Në këtë kumtesë thuhet se drejtuesit e basketbollit kosovar janë të gatshëm që basketbollin ta shtrijnë edhe në veriun e Kosovës dhe se nuk ka nevojë që askush të organizojë gara tjera paralele.
“FBK-ja është e gatshme që të japë kontributin në funksionimin e sportit legal edhe në veri, ndërsa integrimi i pakicave është bërë pa kurrfarë hezitimi që nga viti 2002 me klubin Shtërpca, po bëhet tash e pesë vite me klubin Bambi, e po ashtu edhe pakicat tjera janë të përfshira...”, thuhet në këtë komunikatë.
Deklaratat që i kishte bërë Dejan Tomoasevic të hënën në veri të Mitrovicës ishin mbështetur edhe nga Stevan Vulovic, i cili po e udhëheq Federatën paralele të Basketbollit në Kosovë. Vulovic u kishte kujtuar ekipeve serbe se për to Qeveria serbe çdo vit i ndan nga rreth 10 mijë euro.
FBK, e kënaqur me rrjedhën e kampionatit
Bordi i FBK-së i ka vlerësuar të suksesshme garat kampionale të porsapërfunduara në Kosovë. Udhëheqësit e basketbollit kosovar kanë theksuar nëpërmjet një njoftimi për media se gjatë edicionit të porsapërfunduar garat ishin mirë të organizuara dhe se cilësia ishte më e lartë për dallim prej një viti më parë. Ata kanë potencuar se gjatë edicionit 2010/11 shikuesit iu kishin rikthyer sërish palestrave sportive. Krerët e FBK-së kanë pohuar se kanë bërë një përparim edhe në rrugën drejt ndërkombëtarizimit të basketbollit kosovar.
Sezoni i ri nis më 1 tetor
Bordi i FBK-së ka vendosur që edicioni basketbollistik 2011/12 në Kosovë të nisë më 1 tetor. Ndërsa, afati kalimtar për basketbollistë do të jetë i hapur prej 1 deri më 20 shtator.
FBK-ja i ka obliguar klubet e Superligës që nga edicioni i ri të garojnë edhe me ekipet e tyre të juniorëve, kadetëve e pionierëve.