Politika, etika dhe ekonomia e çështjes “Karbon” në Shqipëri*
Nuk ka qenë fare çudi fakti që debati për investimet e mirëpritura të kapitalit të huaj në energji e materiale ndërtimi në Shqipëri, prej disa opinionistëve është orientuar më shumë drejt çështjes së “emetimeve të dioksidit të karbonit”, pra “nëse ka dhe sa ka, emetime karboni në atmosferë nga këto impiante”. Natyrisht, një orientim i tillë është realist, sepse çështja “Karbon” është në fakt themelore në këtë mes, por çudia qëndron pastaj tek fakti se pse një pjesë e opinionistëve mjedisorë e kanë mitizuar këtë çështjen “Karbon”, duke ia theksuar fort ndonjë element që u është dashur, fjala vjen që “impiantet në fjalë do të emetojnë CO2” e duke ia anashkaluar krejt ndonjë element tjetër që përkundrazi u ka “prishur punë” që ta përmendin, si fjala vjen faktin “që dioksidi i karbonit është ndotës global, por ama nuk konsiderohet fare si një ndotës në nivel lokal, e pra ai nuk shkakton probleme ndotjeje për komunitetet lokale”. Pyes veten, pra, se si mundet që një ekspert të thotë vetëm gjysmën e së vërtetës, kur e di shumë mirë që gjysma tjetër, pra ajo e pathëna, e ndryshon plotësisht peshoren e opinionit publik?! ... E pra, në mjaft raste të tilla, unë me plot gojën këtë do ta quaja “dezinformim” apo dhe “abuzim me përgjegjësinë publike të paanësisë shkencore”.
2.
Për parantezë, këtë ma solli në mend edhe rasti i sondazhit që m’u dërgua këto ditë nga kolegët e një qendre mjedisore. Asnjanës (sic!!), madje aq asnjanës, sa që mendova se publiku edhe ka të drejtë që mendon se ne ambientalistët, fatkeqësisht, shpeshherë nuk jemi në gjendje të kemi mendim të ftohtë e të paparagjykuar, sepse, të nderuar miq, a është korrekte që dikë që të përgjigjet se “nuk e di fare se çfarë do të thotë fjala TEC”, të vazhdosh ta pyesësh nëse është dakord që “të ndërtohet një TEC apo jo”? ... E ta llogarisësh pastaj tek përqindja e “publikut të Durrësit që i thotë jo TEC-it”?! Mua më duket jokorrekte dhe ua kam thënë hapur kolegëve. Por ama, rëndësi ka që impakti i jo-së gjoja unanime publike u krijua ndërkaq me këtë sondazh.
Pra, edhe ky rast është një provë më shumë në faktin e ditur që mënyra se si mblidhen të dhënat, se si përpunohen ato, dhe se si i serviren publikut është vendimtare në seriozitetin e një opinioni, studimi, apo edhe vendimmarrjeje. E kjo veç më ngacmoi përfundimisht për problemin e investimeve të mëdha industriale, dhe konkretisht për problemin e opinioneve të ndara në “shkencore” apo “ideologjike” lidhur me çështjet mjedisore: ”ambjentalizimi si ideologji” kundrejt ”ambientalizmit si shkencë”, kjo është çështja.
5.
Sepse, pikërisht në këto 2 grupe mund të klasifikohen edhe opinionet brenda debatit të deritanishëm mbi çështjen “karbon” në investimet e mëdha industriale.
Për të kuptuar thelbin e “ambientalizmit ideologjik” mjafton të themi se ai i ka rrënjët tek ambientalizmi radikal e fondamentalist i viteve ‘70 dhe ka lindur si komponentja e gjelbër e lëvizjes majtiste antiimperialiste. Midis të tjerash, përgjithësisht ky qëndrim karakterizohet nga paragjykimi i pandryshueshëm se “kapitali i huaj, në çdo vend në zhvillim, ka vetëm qëllime të shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe të degradimit të mjedisit”. Sot ky qëndrim rimerret fort nga rrymat anarkiste dhe antiglobaliste dhe përgjithësisht konkludon apo degradon në një qëndrim “a priori” refuzues ndaj çdo lloj ndërhyrjeje njerëzore në mjedis. E më tej, në fushën e pjesëmarrjes së publikut në menaxhimin e problemeve mjedisore, qëndrimi ideologjik mjedisor bazohet në ndërmarrjen e fushatave “sensibilizuese” me argumente krejtësisht të njëanshme dhe pa u paraprirë më parë nga edukimi dhe formimi i publikut. Sepse, “ambientalizmi ideologjik” ka për qëllim parësor atë që të bëjë publikun për vete me çdo çmim, qoftë edhe duke përpunuar a manipuluar të dhënat në formën e mosparaqitjes së plotë të tyre dhe pra nga ana tjetër nuk synon që të informojë publikun për t’i dhënë atij instrumentet e gjykimit të ftohtë e të ekuilibruar. Ky mund të quhet “informacion i bazuar në argumente të njëanshme”, dhe është tipik i çdo ideologjie. Fryn e zmadhon problemet ndaj të cilave njerëzit janë veçanërisht të ndjeshëm.
Përballë këtij qëndrimi ideologjik, veçanërisht prej viteve ’90 është zhvilluar shkenca e “menaxhimit të mjedisit”, pra trajtimi vetëm shkencor, neutral dhe pa emocione i çdo çështjeje mjedisore. Veçanërisht u konsolidua kjo shkencë me daljen në dritë të teorisë dhe praktikës së “zhvillimit të qëndrueshëm” apo me zhvillimin e normave të standardeve të cilësisë dhe me futjen e studimeve parandaluese (VNM dhe VSM) si detyrim ligjor. “Zhvillimi i qëndrueshëm” është konsideruar si një kompromis historik dhe i shëndoshë midis nevojës së njerëzimit për rritje ekonomike në të tashmen dhe nevojës po aq jetike për mbrojtje të së ardhmes. Si i tillë, zhvillimi i qëndrueshëm nuk nënkupton as domosdoshmërisht “jo” ndaj gjithçkaje, por dhe as apriori “po” ndaj gjithçkaje...
Konkretisht, cilat konsideroj unë si qëndrime “ideologjike” për problemet mjedisore në Shqipëri? Të gjitha ato qëndrime që anojnë nga “jo-ja” absolute dhe pasionante ndaj investimeve, duke emfatizuar vetëm njërën anë të medaljes. Kështu, është qëndrim ideologjik nëse thua apriori se “investimet e huaja shfrytëzojnë burimet natyrore të Shqipërisë, kështu që duhet t’i kundërshtojmë në çdo rast: si kur bëhet fjalë për energji ere, për energji hidro, për energji diellore, a për energji termo”. Po ashtu, edhe nëse thua që “nuk duhet të zhvillojmë asnjë kapacitet termo me qymyr, sepse kështu u falim të huajve kreditet tona të karbonit”, për mendimin tim motivohesh nga një qëndrim jorealist, fondamentalist ekologjist, me baza antiglobaliste apo antiimperialiste, duke adoptuar pra një këndvështrim “ideologjik” mjedisor. Nëse për mua kjo është e qartë, nuk është dhe aq e qartë për publikun. Dhe cila është përgjegjësia e këtyre opininistëve në këtë rast? Është fakti që publiku mendon se ky qëndrim ideologjik, përfaqëson mendimin shkencor mjedisor.
Po shtroj këtu disa pyetje dhe do të rendis përgjigjet me bazë ideologjike, si dhe përgjigjet me bazë shkencore sipas mendimit tim.
Sa ndotës është “dioksidi i karbonit” në nivel lokal?
“Dioksidi i karbonit” ka dalë si problemi kryesor mjedisor në debatin për veprat e mëdha industriale të kapitalit të huaj në Shqipëri. Por në fakt ai është një gaz i cili nuk shkakton probleme në nivel lokal edhe në rastet e emetimeve të nivelit industrial. Në nivel lokal ai nuk jep asnjë efekt negativ. Pra, në rastin e fabrikave të çimentos, apo të termocentraleve, lëshimet e dioksidit të karbonit nuk mund të jenë shkak preokupimi për banorët përreth. Dioksidi i karbonit “luftohet” kaq shumë sot në botë sepse ai në nivel global, pra mbarëplanetar, është shkaktar i efektit serrë i cili nga ana e tij është shkaktar i ndryshimeve klimatike që po tronditin botën. Dioksidi i karbonit mban rrezet e diellit në lartësitë 100-500 metra mbi nivelin e tokës duke ngrohur kështu atmosferën e poshtme. Pra, nëse një ekspert nuk sqaron faktin se cilat janë pasojat e emetimit të dioksidit të karbonit dhe faktin se ai është problem global dhe jo lokal, atëherë abuzon me të vërtetën duke i mëshuar pozicionit “mjedisor” ideologjik.
A ka zgjidhje në nivel teknologjik për kapjen e dioksidit të karbonit?
Nëse teknologjia e kapjes së squfurit, azotit, grimcave të ngurta, kanë bërë revolucion në shmangien e ndotjes nga impiantet e mëdha industriale, sot në botë nuk ekziston asnjë teknologji e besueshme dhe e aplikueshme e aftë që të kapë emetimet e dioksidit të karbonit përpara se t’i lëshojë ato në atmosferë. Madje as edhe teknologjitë e standardeve “BAT – Best Available Technology” nuk arrijnë ta bëjnë këtë. Nëse një teknologji e tillë do të ekzistonte, atëherë do të kishte qenë shumë e lehtë për vendet që synojnë reduktimin e dioksidit të karbonit si detyrim ndërkombëtar. Rrjedhimisht, as industritë e mëdha që po investohen në Shqipëri, nuk mund t’i kapin emetimet e dioksidit të karbonit. Pra, nëse një ekspert nuk sqaron faktin që teknologjia nuk i kap dot emetimet e karbonit në asnjë vend të botës, atëherë mban qëndrim të njëanshëm ideologjik.
ǒlidhje esenciale ka çështja “Karbon” me investimet e mëdha industriale në Shqipëri?
Lidhja është e drejtpërdrejtë, sepse teorikisht, problemet më të mëdha mjedisore të fabrikave të çimentos janë dy. Së pari, sasia e madhe e energjisë që konsumon kjo industri. Së dyti, emetimet e mëdha të dioksidit të karbonit për njësi të çimentos së prodhuar (plot 300 kg CO2 / 1 ton çimento, megjithëse përpjekjet janë që deri në vitin 2010 të zbresë në 270 kg / 1 T). Problemet e tjera të fabrikave të çimentos janë të gjitha të rregullueshme e të rikuperueshme teknologjikisht e metodikisht dhe sidomos kompanitë e mëdha e kanë shumë më të lehtë këtë.
Të dyja problemet e mësipërme kanë të ngërthyer çështjen e emetimeve të karbonit, e para indirekt dhe e dyta direkt: konsumi i energjisë konvertohet indirekt në emetime karboni në politikat e mjedisit, ndërsa lëshimi i dioksidit të karbonit është impakt i drejtpërdrejtë.
Këto dy probleme nuk kanë asnjë zgjidhje të plotë teknologjike. Kjo do të thotë që, së pari fabrikat e çimentos nuk munden ta ulin drastikisht konsumin e energjisë dhe pra nuk përmbushin dot objektivat e BE-së për rritjen e efiçensës së energjisë si metodë për reduktimin e emetimeve të karbonit, duke bërë që këtyre vendeve energjia e konsumuar t’u përllogaritet si Karbon i emetuar.
Nga ana tjetër, gjithashtu, fabrikat e çimentos nuk reduktojnë dot emetimet e drejtpërdrejta të dioksidit të karbonit, rrjedhimisht e rëndojnë bilancin e këtyre vendeve përballë objektivave të BE-së dhe të Protokollit të Kiotos.
Nëse, pra, një ekspert nuk sqaron faktin që vetëm këto janë dy problemet e pazgjidhshme të industrisë së çimentos, dhe se këto nuk prekin komunitetet lokale por nivelin global, atëherë abuzon me të vërtetën duke adoptuar qëndrim ideologjik mjedisor.
Pse kompanitë që synojnë të investojnë në Shqipëri janë kryesisht spanjolle dhe italiane?
Edhe pse dioksidi i karbonit nuk është ndotës lokal, pra megjithëse ai nuk u bën dëm shëndetësor apo mjedisor të drejtpërdrejtë as shqiptarëve, as spanjollëve, e as italianëve, ai i bën dëm globit, planetit, sepse në nivel global shkakton ndryshimet klimatike. Pra nuk është ndotës lokal por ndotës global. Kjo sepse pasi emetohet në 100, 200, apo 500 metra mbi nivelin e terrenit, ai hyn në përbërje të atmosferës dhe e mban nxehtësinë e rrezeve të diellit e nuk e lëshon, duke e ngrohur kështu tej mase Planetin e të gjithëve. Për këtë shkak, 115 shtete të botës kanë vendosur kufij për lëshimet në atmosferë të dioksidit të karbonit. Sipas Protokollit të Kiotos (1997), të gjitha vendet e zhvilluara deri në vitin 2015 duhet që të reduktojnë nivelin e karbonit që lëshojnë me 12% në krahasim me vitin 1990 që merret si vit referimi. Po ashtu BE nga ana e saj synon që deri në vitin 2020 të reduktojë me 20% emetimet e dioksidit të karbonit në krahasim me 1990. Por ç’ndodh këtu? Midis vendeve të zhvilluara, sidomos brenda BE-së, ka nga ato vende që janë shumë prapa me këto detyrime, sepse e kanë të bazuar prodhimin e energjisë tek djegia e naftës apo qymyrit. Dhe meqenëse kanë nevojë për gjithmonë e më shumë energji, ato konsumojnë gjithmonë e më shumë karburante të cilët problemin kryesor kanë emetimet e dioksidit të karbonit. Ndër vendet me detyrime më të mëdha ndaj Protokollit të Kiotos, pra ndër vendet që janë deficitare, më kryesoret janë Italia dhe Spanja, vende prej të cilave vijnë investimet në çimento dhe termoenergji. Ndërsa, fjala vjen Franca e ka të bazuar prodhimin e energjisë në Centralet Bërthamore, prandaj nuk ka probleme me reduktimin e sasisë së CO2. Kështu që, Italia dhe Spanja kanë vendosur taksa të larta në vendin e tyre për çdo ton dioksid karboni që lëshohet. Kjo bëhet me qëllim që bizneset të reduktojnë emetimet e dioksidit të karbonit, duke bërë të mundur që vendet të arrijnë detyrimet ndaj Kiotos dhe BE-së. Bizneset e çimentos janë ndër kryesoret që emetojnë dioksid karboni në botë. Prandaj atyre bizneseve u intereson të shpërngulen në vende që nuk kanë detyrime ndaj Kiotos, siç është Shqipëria.
Pra, nëse një ekspert refuzon të kuptojë e të transmetojë faktin që zgjidhja e çështjes “Karbon” në BE është vendosur mbi baza ekonomike, atëherë abuzon me të vërtetën, dhe bazohet në qëndrim “mjedisor” ideologjik dhe me etikë false mjedisore.
A ka detyrime Shqipëria ndaj protokollit të Kiotos?
Shqipëria, megjithëse e ka ratifikuar protokollin e Kiotos, nuk ka detyrime ndaj atij protokolli, sepse nuk futet tek grupi i vendeve të zhvilluara ndaj të cilave Kioto vendos kufizime. Por edhe sikur të futej tek grupi i vendeve të zhvilluara, pra të bëhej që nesër anëtare e BE-së, detyrimi ndaj BE-së është që çdo vend deri në vitin 2020 të reduktojë me 20% emetimet e dioksidit të karbonit në raport me 1990. Dhe, aktualisht Shqipëria emeton shumë më pak se sa viti 1990 kur në vend ekzistonin industritë ndotëse që janë mbyllur prej kohësh. Prandaj, Shqipëria nuk ka asnjë arsye që të adoptojë politika kufizuese të dioksidit të karbonit. Madje Shqipëria ka suficit të së drejtës së emetimit, që do të thotë që edhe kur të bëhet “de jure” vend i zhvilluar do të ketë të drejtë të emetojë më shumë dioksid karboni se sa emeton tani. Përveç kësaj, kur Shqipëria të futet në BE, detyrimet e saj të mundshme për Kioton do t’i kenë në kurriz bizneset vetë. Por kjo ditë është akoma vite larg, dhe gjatë kësaj kohe Shqipëria ka të drejtë të përdorë këtë suficit virtual të karbonit që disponon.
Pra, nëse ndonjë ekspert i mohon Shqipërisë të drejtën për të përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kapacitet të “karbonit”, atëherë bazohet mbi qëndrime “mjedisore” ideologjike, dhe pse jo edhe në qëndrime hegjemoniste e diskriminuese të vendeve të zhvilluara ndaj vendeve në zhvillim. Sepse të drejtën e vendeve në zhvillim për të zhvilluar kapacitete energjitike e ka njohur edhe vetë Protokolli i Kiotos, ashtu si edhe të gjitha samitet ndërkombëtare.
A mund ta përdorë Shqipëria të drejtën e vet për të emetuar dioksid karboni?
Shqipëria mund ta përdorë këtë “suficit karboni” në dy mënyra, të cilat me një lojë termash mund t’i shprehnim kështu: ose të shesë atë që e ka e që në fakt ka vlerë të ulët ose të shesë atë që nuk e ke dot por që për të tjerët ka vlerë të madhe.
Mënyra e parë është ajo e shitjes së krediteve të karbonit. Ne i kemi, por në treg nuk kanë vlerë kreditet tona, megjithëse kjo është në vetvete kontraditkore. Pra, kjo mënyrë nuk është fitimprurëse për ne, për sa kohë që Shqipëria prodhon energji nga uji e jo nga nafta, e kështu që duke qenë se nuk ka industri që emetojnë dioksid karboni, atëherë edhe mekanizmi CDM i “tregut virtual të karbonit” i krijuar nga Kioto, nuk e vlerëson lart kapjen e karbonit në Shqipëri.
Mënyra tjetër e përdorimit të këtij “suficiti karboni” është ajo e tërheqjes së investimeve që në vende të tjera nuk janë rentabël. Pra, që ne t’u shesim atyre diçka që ne nuk e kemi sepse nuk e përdorim dot, por që për ata të tjerët ka vlerë të jashtëzakonshme. Konkretisht, thamë që ne kemi hapësirë që të emetojmë dioksid karboni shumë më tepër se sa emetojmë aktualisht. Këtë të drejtë mund ta përdorim për të tërhequr investime në fusha të cilat kanë vetëm dobësinë e emetimit të dioksidit të karbonit, por që në anë të tjera nuk janë problematike. Konkretisht, fabrikat e çimentos, dhe termocentralet me qymyr a me naftë, megjithëse sjellin teknologjinë më të lartë të fushës së tyre, u duhet të emetojnë edhe dioksid karboni. Në Shqipëri ato nuk paguajnë taksë karboni sepse Shqipëria nuk ka detyrime, dhe madje as do të ketë për një kohë të gjatë. Në këtë mënyrë, Shqipëria fiton rritje të GDP-së, të punësimit, ulje të mundshme të çmimit të produkteve të prodhuara (çimento, energji) etj., edhe pa dëmtuar mjedisin, ndërsa bizneset fitojnë nëpërmjet mospagimit të taksës së karbonit. Nëse nuk do të ishte ky elementi fundit, ato biznese nuk do të kishin ndonjë leverdi të madhe të vinin në Shqipëri, me gjithë kushtet e shkëlqyera që ekzistojnë për investitorët e huaj tek ne.
Pra, nëse një ekspert nuk adopton një vështrim realist për këto instrumente zhvillimi, atëherë mbështetet në qëndrimin më absurd antiglobalist në botë.
A është etike që Shqipëria të përdorë suficitin e karbonit për të mirëpritur teknologji që emetojnë dioksid karboni në sektorë për të cilët ajo ka nevojë?
Kjo është një çështje e ngatërruar dhe me shume anë, sepse edhe etika mjedisore ka shumë anë edhe ajo vetë dhe varet se çfarë quajmë “etike” dhe “joetike”. Konkretisht, parimisht është jo-etike që të emetohet dioksid karboni në atmosferë, sepse është joetike që të kontribuojmë në dëmtimin e klimës së planetit. Thënë ndryshe, që edhe pse Shqipëria i ka të plotësuara objektivat e Kiotos sikur edhe sot të quhej vend i zhvilluar, mund të shkonte përtej atyre objektivave duke i reduktuar edhe më tej emetimet e karbonit. Plotësisht e drejtë. Veçse, në fakt, asnjë vend nuk ka shkuar përtej objektivave të protokollit të Kiotos, sepse çdo përqindje sipër tij përkthehet në kosto të lartë ekonomike. Përjashtimi i vetëm është Suedia, që megjithëse i ka përmbushur objektivat e veta ndaj Kiotos (siç i ka përmbushur për shkaqe të tjera edhe Shqipëria), i ka caktuar vetes objektiva shtesë. Kjo, sepse ka vendosur mbi gjithçka, parimet e etikës mjedisore. A është në gjendje Shqipëria ta bëjë këtë? Vështirë se përgjigja do të ishte pozitive. Megjithatë... Ana tjetër e problemit etik është ajo e të drejtave që kanë vendet në zhvillim, në raport me vendet e zhvilluara. Ky është një debat që pasi ka filluar në Konferencën e Stokholmit në 1973, ka ndarë gjithmonë vendet e zhvilluara nga ato në zhvillim, derisa i është dhënë një zgjidhje etike. Zgjidhja është që “për problemet mjedisore, nuk është etike t’u imponohen vendeve në zhvillim të njëjtat detyrime si edhe vendeve të zhvilluara”. Konkretisht pra, nuk është etike që Shqipërisë, e cila ka mungesë energjie elektrike për banorët e saj dhe që ka handikap monokulturën energjitike hidrike, t’i imponohet absolutisht ndalimi i zhvillimit të kapaciteteve termo. Ato vende ndihmohen që paralelisht termos dhe në mënyrë sa më të shpejtë e graduale të përjetojnë tranzicionin drejt një ekonomie pa energji fosile. Por, deri atëherë... Do të ishte joetike që të ndaloheshin banorët e vendeve në zhvillim, përfshirë Shqipërinë, që të plotësojë nevojat e veta me energji. Dhe, kjo është unanime në mendimin etik mjedisor në botë.
Kështu që, nëse një ekspert refuzon të kuptojë kompleksitetin e etikës mjedisore sidomos për një vend në zhvillim si Shqipëria, atëherë adopton një qëndrim jashtë kontekstit, dhe mund të quhet thjesht “ambientalist” ideologjik. ... Por jo shkencor.
Së fundi, nëse nuk është çudi ajo çudia e parë se pse çështja “Karbon” zë vend kyç në debatin mbi investimet e mëdha në Shqipëri, ende çuditem për faktin e dytë, pra se për cilën arsye ajo çështje nuk është sqaruar në të gjitha anët e saj... Megjithëse, një bindje e kam se pse ndonjëherë kjo nuk bëhet. Sepse ndonjëherë adoptohen qëndrime ideologjike, fondamentaliste, dhe jo realiste. Për fat të mirë tashmë gjithë bota e di se vetëm ambientalizmi shkencor është alternativa e zhvillimit etik, të qëndrueshëm e të barabartë mes kombeve... Ndërsa “ambientalizmi ideologjik” antiglobalist e antiimperialist çon gjithmonë ujë në përrenjtë pa fré të politikës pa moral të ditës.
*PhD në Menaxhim të Mjedisit dhe Burimeve të Territorit
Universiteti i Tiranës