Botërisht edhe “Elena Çaushesku” shqiptar
Rrethi intim i liderëve komunistë paraqet një subjekt njëherazi historiografik, politologjik dhe psikologjik. Ashtu si universi mendor i këtyre despotëve ka të bëjë me psikopatologjinë. Kam parasysh posaçërisht gratë e despotëve të ndryshëm totalitarë, qenie të krijuara nga një lëndë e posaçme, të disponuara të tolerojnë apo të nxisin madje dhe prirjet më të ulëta të burrave të tyre. Termi i “gjuhës së drurit” për ato si “zonja të para” të nomenklaturës ishte “shoqe lufte dhe jete”. E para (përmendur dhe nga Ismail Kadare në parathënien e këtij libri) ishte Nadezhda Konstantinovna Krupskaia, gruaja e Vladimir Iliç Ulianov, njohur në histori si Lenini. Nuk dihet me saktësi në qoftë se kanë qenë të martuar ligjërisht. Në një moment të dhënë, diku rreth vitit 1927, i zemëruar nga disa rezerva të shprehura nga Krupskaia në adresën e tij, Stalini u shpreh: “Në qoftë se nuk e qep gojën, i gjejmë Iliçit një vejushë tjetër”. Nga ai çast, Krupskaia heshti. Më kujtohet romancieri amerikan Ëilliam Vollmann, i cili e bën personazh në romanin e tij të jashtëzakonshëm “Europe Central” (Viking, 2005), kurorëzuar me “National Book Aëard”.
E dyta (dhe e fundit) e shoqja e Josif Vissarionviç Jughashvili-t, të quajtur Stalin, nuk heshti dhe nuk pranoi që të jetë vetëm një “shoqe lufte dhe jete” e përulur. Lexoni librin e Simon Sebag Montefiore, Stalin: “The Court of the Red Tsar” (Knopf, 2004) dhe do të merrni vesh detaje turbulluese për vetëvrasjen e saj, në 1932 dhe efektet katastrofike mbi një mendje të çorientuar. Paranoja e Stalinit kapi përmasa astronomike në çastin kur u ndje i tradhtuar nga qenia më e afërt, nëna e fëmijëve të tij: Vasili dhe Svetllana. Nadia nuk mund të pranonte mizorinë e një burri të dashuruar me historinë dhe të pazot të ndjejë tjetër gjë veçse joshjen e tij të sëmurë drejt pushtetit absolut. Duket se Allilueva guxoi të kujtojë tragjedinë e fshatarësisë. U ndëshkua në mënyrë drastike, e fyer në prani të shokëve të krimeve dhe pijes së Koba-Jughashvili-t. Nuk ia doli mbanë të gjente një “modus uikendi” për përbindëshin. U kthye në dhomën e gjumit dhe gjeti një “modus moriendi”: dhe u vetëvra me një plumb në kokë. Mikja e saj më e afërt ishte Polina Zhemchuzhina, e shoqja e Viaceslav Molotov-it, atëherë dora e djathtë e Stalinit.
Koba e dyshoi Polina-n që dinte synimet e Nadia-s. E dënoi më vonë, në 1949, duke e akuzuar për “sionizëm” dhe “kozmopolitizëm”, mëkate vdekatare në demonologjinë staliniste. Në votimin e Byrosë Politike, kur u vendos arrestimi dhe kur u vendos deportimi i Polina-s në Gulag, Molotovi nuk votoi. Pas disa ditësh, kërkoi ndjesë, duke miratuar “dënimin e drejtë” të diktaturës së proletariatit kundra “nepërkës” që ishte e shoqja e tij e jetës. Divorcoi dhe vazhdoi t’i shërbejë Stalinit pakushte. Në vdekjen e gjeneralisimit, i vetmi magnat me lot në sy ishte Molotov-i. Polina u kthye nga deportimi. U rimartua, jetuan së bashku deri në pleqëri të thellë, pa keqardhje, vërejtje apo vrasje ndërgjegjeje. Askurrë Zhemchuzhina nuk e kritikoi të shoqin, nuk shprehu antipatinë për krimet e ulëta dhe mizoritë staliniste. Ishte epitomi “shoqe jete dhe lufte”.
Mund të shkruaja këtu për Lotte Ulbricht, Jovanka Broz, Znj Mao, Nina Petrovna Hrushova. Apo për gratë e liderëve të partive komuniste përëndimore, Jeannette Vermeersch-Thorez (gruaja e Maurice Thorez-it) dhe Nilde Jotti (gruaja e Palmiro Togliatti-t). Gheorghiu-Dej nuk pati pranë tij një shoqe të tillë nomenklaturiste.
Këtë rol e luajti, deri në një farë pike, vajza e tij Lika (një ambicioze me aspirata për të qenë e shquar, por e painteresuar për politikën). Mund të insistoja mbi shortin e Elena Çeausheskut, për të cilën kam shkruar dikur se ka qenë një Messalina me pretendimin për të qenë Isaak Neëton. Njihet roli fatal i kësaj femre “me profesion revolucionare”, në fakt një analfabete që mezi lidhte dy fjalë, arriti, me vullnetin e partisë dhe nënshtrimin e kastës akademike - universitare zyrtare, “shkencëtare me njohje botërore”. Nuk flas për poetët e oborrit që i thurën vargje me përulje panagjerike pështirosëse. Mund të shkruaj për një tjetër pseudo-dijetare, eksperte në materializmin historik, Mirjana Markoviç, e shoqja e Sllobodan Milloseviçit. Si Elena, ashtu dhe Mirjana kanë ndihmuar, me pasion patologjik, në radikalizimin për të keq për burrat e tyre. Nxitoj për të mos shtuar e për të parandaluar demonizimin e "shoqeve të jetës dhe të luftës" sepse ishte sistemi që lejonte vrasjet masive, propagandën histerike, persekutimin e akëcilit rival të mundshëm. Pozicioni udhëheqës në parti e shndërronte atë që mbante këtë pozitë në një hyjni të vërtetë. Psikopatologjia e sistemit ajo që lejonte vrasjet ekstravagante të sociopatëve të mbërritur në krye të sekteve komuniste.
Enver Hoxha ka qenë një lider i tillë: një kombinim i kapedanit tribal me atë të burokratit bolshevik, dogmatik i mizor, stalinist i kategorisë më të ashpër (në qoftë se pranojmë se do të ekzistonte përshkallëzim në këtë algoritëm të mos respektimit të ligjit), maniak i spastrimeve periodike, relativisht i kultivuar në krahasim me militantët proletarë, Hoxha ia doli mbanë të sfidojë së pari Josip Broz Tito-n (me ndihmën e Moskës) dhe pastaj Nikita Sergeieviç Hrushov-in (me ndihmën e Mao-s). Ndërtoi në Shqipëri një sistem si kamp përqendrimi me një intensitet dhe jetëgjatësi të pakrahasueshëm në Evropë (ekuivalenti mund të ishte despotizmi aziatik i Koresë së Veriut). Mundi të pozojë si mbrojtës i pavarësisë kombëtare, një lloj ringjallës i Skënderbeut. Heroi “sans peur et sans reproche”, (trim mbi trima), “korifeu i mendimit marksist”, “strateg gjenial” etj.
Me vigjilencën e tij proverbiale (fjalë tjetër kyçe nga leksiku totalitar, fashist dhe komunist), armiku mund të shkatërronte “kështjellën e pamposhtur”. Në të gjitha veprimet e tij kishte pranë Nexhmijen, qenia prej graniti, femra pa ndjenja të tjera veçse me dashuri për partinë (lexo për Enverin dhe enverizmin). Historia e Partisë së Punës duhej rishkruar në mënyrë periodike në funksion të hakmarrjeve të përgjakshme në krye të partisë, Znj. Hoxha u bë drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. Ashtu si Elena Çaushesku ëndërroi të ishte kimiste, Nexhmija ëndërroi të ishte ideologe.
Ismail Kadare ka të drejtë, në parathënien aq të nevojshme, për librin vërtet tejet tërheqës të Fahri Balliut, se si, në hierarkinë e errët “të shoqeve të jetës dhe të luftës”, Nexhmie Hoxha shfaqet si më e zeza.
Në rast se lëçitësit dëshirojnë të shohin se si do të reagonte Elena po qe se do të kishte mbetur e ve, mund të merrni vesh gjëra interesante nga reagimet e Nexhmijes. Ky libër nuk është vetëm instrument njohjeje historike, por dhe një paralajmërim. Znj. Hoxha nuk ka shprehur askurrë as shenjën më të vogël të keqardhjejes. Ideja e njohjes së fajit dhe e ndjesës janë të huaja për të. Si dhe Paul Niculescu-Mizil, Stefan Andrei, Ion Stanescu dhe të tjerë nostalgjikë komunistë që nuk e njohin ndjesën, e veja e Enver Hoxhës, guxon të tregojë me gisht, fyen dhe deklarohet e persekutuar. Ka plotësisht të drejtë kësisoj Fahri Balliu kur shkruan: Në sulmet e dhunshme të lëshuara përmes të tilla “kujtimesh” dhe “dëshmi” duhet t’i bëjnë shqiptarët të mendohen mirë dhe të kujtojnë se diktatura në të cilën kanë kaluar ngjan me ato sëmundjet e tmerrshme që mund të rikthehen dhe ta kaplojnë përfundimisht atë që vuan. Pacipësia e zonjës së zezë Nexhmije Hoxha....
Viktimat e komunizmit? Përralla! Çfarë të likuiduar, ishin armiq të popullit, kriminelë, vrasës, agjentë dhe tradhtarë. Pasardhësi, romani i Ismail Kadare-së, botuar para disa vjetësh në shtëpinë botuese Polirom, përshkruan në mënyrë tejet turbulluese gjendjen e dyshimit të sëmurë, specifike e universit mbytës të nomenklaturës së lartë. Askush nuk mund të përjashtohet nga dyshimet e duplicitetit. Armiqtë ishin “subjektivë”, por veçanërisht “objektivë”, pra nuk kishte rëndësi se çfarë ka bërë dikush, por se çfarë, në vizionin paranoik-konspiracional stalinist, mund të bënte ai person. Ashtu u eliminua kolegu më i afërt i Enver Hoxhës, Mehmet Shehu (U vetëvra? E vranë?). Mehmet Shehu luftoi në Brigadat Ndërkombëtare në kohën e Luftës Civile në Spanjë, kishte prestigjin e një militanti të vjetër, prestigj të cilin Enveri nuk do t’ia falte, me sa u duk, asnjëherë.
Në qoftë se do të më duhej të ngërthej me një koncept sa më sintetik thelbin e regjimit leninist shqiptar, më i përshtatshëm do të ishte ai i sulltanizmit totalitar. Nocioni i sulltanizmit, me origjinë në sociologjinë ëeberiane, u zhvillua nga politologët Juan Linz dhe Alfred Stepan. Atmosfera në oborrin e sulltanit Enver ishte e mbuluar nga gënjeshtra, deliri enkomiastik, sadizmi dhe hakmarrjet tribale. Anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, duke kontrolluar qasjen tek diktatori, duke i ndikuar vendimet, Nexhmija ishte bashkëfajtorja kryesore. Ato që thuheshin në plenume apo në mbledhjet e Byrosë Politike diskutoheshin në shtëpi, duke ngrënë apo në kohën e shëtitjeve në parkun rezidencial të ruajtur nga Sigurimi.
Shtëpia Botuese Humanitas meriton nderimin tonë për botimin e këtij libri, me përkthimin e mrekullueshëm të Tiberius Puiu-t. “Zonja e zezë” e Fahri Balliut është një libër me një hetim kaplues të llahtarit të një universi politik që prodhon tmerr, i zhytur në urrejtje, në hakmarrje dhe zili të thellë. Nuk është bota e intrigave florentine, por ajo e pasioneve klanore të kamufluara në një llafologji dialektike.