E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika fiskale, sjellja e tatimpaguesve të biznesit të vogël, TVSH dhe paragjykimet



Sipas një analisti të njohur fiskal, në mbarë botën, 80 për qind të të ardhurave tatimore nga TVSH-ja, i paguan 4 për qind e totalit të tatimpaguesve, gjë që ka sjellë si domosdoshmëri gjetjen e mënyrës më të mirë për t’u “marrë me “rebelët” e sistemit të biznesit të vogël, veçanërisht në vende të tilla me ekonomi të fragmetuar, sektor informal të konsiderueshëm, kulturë tatimore pa ndonjë trashëgimi dhe me marrëdhënie të ndërsjella mosbesimi ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve. Gjetja e mënyrës më të mirë, natyrisht, është një proces i vazhdueshëm vendimmarrjeje, i shoqëruar nga çështje të tilla të rëndësishme si: ku duhet të vendoset pragu tatimor për TVSH; thjeshtimi i procedurave të regjistrimit për tatimpaguesit e vegjël të TVSH-së; dhe mënyrat për t’u siguruar se ata që trajtohen si biznese të vogla vërtetë janë të tilla. Analistë të njohur kanë argumentuar se vendosja e TVSH-së mbi sektorin formal në prani të një sektori thelbësor informal pengon rritjen ekonomike dhe zhvillimin e ekonomisë së një vendi si tërësi, sepse rritja e tatimeve të konsumit (indirekte) forcon zgjerimin e ekonomisë informale, sidomos në qoftë se intensiteti punës për prodhim në atë sektor është më i madh se në sektorin formal. Duke i dhënë vendin e merituar sistemit të vetëvlerësimit në rastin e TVSH-së, analistët e njohur këshillojnë që administratat tatimore të vendeve në zhvillim (dhe tranzicion) duhet të vëzhgojnë me shumë kujdes ndryshimet në sjelljen e tatimpaguesve me qëllim që të caktohen me efektivitet burimet dhe strategjitë më të mira për kontrollin tatimor; pra një politikë e mirë tatimore që kërkon të jetë e suksesshme meriton një vlerësim të konsiderueshëm të administratës tatimore: kombinimin e “çfarë duhet bërë” me atë “si duhet bërë”. Prirja e një numri të konsiderueshëm e tatimpaguesve të biznesit të vogël, me një qarkullim ekonomik më të madh se 8 milionë lekë/vit për t’u fshehur nën pragun tatimor të trajtimit të tyre me TVSH, nuk është thjesht problem i kohëve të fundit. Që prej 1 korrikut të vitit 1996 (kur filloi zbatimi i ligjit për TVSH-në) dhe deri në ditët e sotme nga administrata tatimore, me fakte të pakundërshtueshme, është vërtetuar shmangia për t’u trajtuar dhe pagesat për TVSH-në. Në këtë kontekst (në zbatim të nenit 3 të ligjit për TVSH-në) ka pasur një vlerësim të vazhdueshëm (ndryshimi i pragut tatimor ose qarkullimit ekonomik në periudha të ndryshme kohore nga viti 1996 deri në vitin 2009 nga 2, në 5 dhe më pas në 8 milion lekë/vit) në trajtimin e tatimpaguesve të biznesit të vogël për t’i zhvendosur dhe asimiluar në mënyrë progresive nën administrimin me TVSH. Në përgjithësi, sjellja e tatimpaguesve të biznesit të vogël që fshihen nën pragun tatimor të qarkullimit ekonomik prej 8 milionë lekë/vit, gradualisht është influencuar fort nga sjellja e zakonshme e tatimpaguesve të biznesit të vogël; në situatën komplekse të trajtimit me TVSH me të cilën ata ende nuk janë të familjarizuar, në mënyrë të vetëdijshme kanë huazuar sjelljen e tatimpaguesve të tjerë që fshiheshin nën pragun e TVSH-së: veçanërisht tatimpaguesit e biznesit të vogël janë të hapur për t’u influencuar nga sjellja e tatimpaguesve të tjerë në lidhje me lëshimin/pranimin e faturave fiskale për çdo furnizim malli ose shërbimi. Përpjekja për t’i shpjeguar thjesht arsyet që influencojnë mbi parapëlqimet e tatimpaguesve të biznesit të vogël në lidhje me trajtimin me TVSH, pa marrë në konsideratë influencën direkte të sjelljes së tatimpaguesve të tjerë të biznesit të vogël dhe normave shoqërore të sjelljes së tyre, merr me mend faktin se tatimpaguesit e dinë çfarë duan dhe se parapëlqimet e tyre fiksohen në mënyrë të pavarur; një gjë e tillë ka qenë shumë e mirë për sa u përket shpjegimeve të vendimmarrjes afatshkurtër (p.sh. ndryshimit të qarkullimit ekonomik të trajtimit me TVSH nga 2, në 5 e më pas në 8 milionë lekë/vit), por kjo nuk mund të jetë e përshtatshme për ndryshime afatgjata të parapëlqimeve të tatimpaguesve të biznesit të vogël, çka nënkupton faktin e implikimeve domethënëse në hartimin dhe zbatimin e politikave fiskale, për shkak se, gjithashtu, merr me mend se tatimpaguesit kryejnë një analizë të plotë dhe të arsyeshme për të gjitha opsionet që kanë në dispozicion. Por, ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, sepse tatimpaguesit e biznesit të vogël vetëm sa kopjojnë veprimet e tatimpaguesve të tjerë; për shembull, para se të vendosësh të regjistrohesh si tatimpagues i TVSH-së, kërkon përpjekje tejet të mëdha për t’i njohur të gjitha rregullat e TVSH-së, për të marrë vesh gjobat/ndëshkimet në rast se shkel ligjin për TVSH-në, të marrësh masat e duhura dhe të parashikosh kostot e mundshme në rast se kapesh në gabim nga organet tatimore. Në vend që tatimpaguesit e biznesit të vogël të kopjojnë tatimpaguesit e tjerë të TVSH-së, sjelljen e tyre e korrigjojnë mbi bazën e përvojës së tyre në biznesin e vogël ku lëshimi/pranimi i faturave fiskale është shumë i vakët, për të mos thënë nuk ekziston.

Teoritë përkatëse të literaturës së psikologjisë flasin për të mësuarit shoqëror: njerëzit mësojnë me anë të vëzhgimit se çfarë bëjnë të tjerët (“Bëhu dhe ti si shokët e tu” – popullore); për provën shoqërore: njerëzit vështrojnë të tjerët si sillen, veçanërisht në situata të paqarta, sidomos kur të tjerët janë ekspertë në një fushë të caktuar; për teorinë e identitetit shoqëror: pjesa e identitetit shoqëror të njerëzve vjen nga ato grupe me të cilët ata shoqërohen dhe se njerëzit tregojnë një prirje të fortë në favor të anëtarëve të grupit të tyre të interesit; për influencuesit kyç: njerëzit janë të hapur për t’u influencuar nga njerëz me autoritet, ose nga njerëzit që ato pëlqejnë, por duhet thënë se influencimi nga njerëzit që pëlqehen shkon më gjatë se në rastin e njerëzve me autoritet; megjithatë duhet treguar kujdes kur përdoret bindja, sepse tatimpaguesit duke e ditur se administrata tatimore është përpjekur t’i bindë ata, zakonisht i ka bërë të rrokin një këndvështrim opozitar. Duke marrë në konsideratë atë çka na ofron shkenca e psikologjisë dhe shkenca ekonomike e sjelljes, duhet kuptuar se përqendrimi vetëm mbi një analizë të thjeshtë për të hartuar një sistem të suksesshëm të TVSH-së, pasi pati një efekt të menjëhershëm në mbledhjen e të ardhurave tatimore në krahasim me tatimin mbi qarkullimin, megjithatë, efekti fillestar i zbatimit të TVSH-së nuk vazhdoi ashtu sikundër u mendua në fillim, çka e ka detyruar administratën tatimore të ndërmarrë veprime të ndryshme për t’i përfshirë “rebelët” e biznesit të vogël nën administrimin me TVSH; edhe pse ka një gjobë/ndëshkim për moslëshimin/pranimin e faturës tatimore me TVSH; ka një gjasë që të kapesh nga organet tatimore, tatimpaguesit e biznesit të vogël nuk janë frenuar në shitjen e mallrave dhe shërbimeve pa faturë me TVSH, sepse kanë vërtetuar se mundësia për t’u kapur nga organet tatimore është i vogël. Megjithatë, ndryshimi i pragut tatimor për TVSH-në kërkon ndryshimin e normës shoqërore të tatimpaguesve të biznesit të vogël, duke i inkurajuar tatimpaguesit të frenohen nga moslëshimi/mospranimi i faturës tatimore me fushata të përgatitura mire, sepse pas këtij ndryshimi do të kishte nevojë për më pak masa shtrënguese; me fjalë të tjera parapëlqimet e tatimpaguesve të biznesit të vogël nuk mund të merren me mend se do të fiksohen në një afat të shkurtër me ndryshimin e pragut tatimor nga 8 në 4 milionë lekë/vit; me qëllim që kjo ndërhyrje të jetë e qëndrueshme, duhen marrë në konsideratë parapëlqimet e zhvendosura për një afat të mesëm, duke vlerësuar rolin që luajnë normat shoqërore në influencimin e kësaj sjelljeje. Në qoftë se sjellja e tatimpaguesve të TVSH-së luan një rol të rëndësishëm, kjo mund të fuqizohet më tej, duke konsideruar të dobishëm kombinimin e ekspertizës, lidhjeve dhe fuqinë bindëse të tatimpaguesve të TVSH-së për të ndryshuar më gjerë sjelljen e tatimpaguesve të biznesit të vogël që fshihen prej vitesh nën pragun tatimor prej 8 milionë lekë/vit. Kur tatimpaguesit e biznesit të vogël bëjnë diçka jashtë zakonit, ata bëjnë pak ose aspak përpjekje për të njohur rregullat e TVSH-së; pjesa më e madhe e tyre nuk shpenzon një kohë të gjatë për të menduar mirë se çfarë do të ndodhë në rast se do të kapen nga organet tatimore për shkelje të ligjit, sepse nuk i lejon rutina ditore, që dëshmon se te ata zakoni i moslëshimit/mospranimit të faturës fiskale është i rrënjosur thellë. Madje, edhe kur tatimpaguesit e biznesit të vogël mendojnë në mënyrë të ndërgjegjshme për atë çfarë bëjnë duke mos lëshuar/pranuar faturë fiskale, do të ishte e vështirë të ndërrohej sjellja e tyre. Merret me mend se tatimpaguesit me parapëlqimet e tyre të veçanta të caktuara, veprojnë në mënyrë të arsyeshme për të maksimizuar dobinë e tyre (dobia gjerësisht nënkupton lumturinë dhe kënaqësinë që u sjellin atyre fitimet qoftë edhe në mënyrë të paligjshme, sepse TVSH-ja e paguar nga konsumatori ose përdoruesi fundor i mallit/shërbimit duhet të shkojë në buxhetin e shtetit dhe jo në xhepin e atij që luan rolin e agjentit për mbledhjen e TVSH-së në burim = shitje), por duke bërë diçka jashtë zakonit të lëshimit/pranimit të faturës fiskale, kur shesin mallra dhe/ose shërbime është e pamundur të mendohet se ata do të bënin analizën e plotë të të gjitha opsioneve të ndryshëm që kanë në dispozicion në lidhje me lëshimin e faturës fiskale. Ashtu si në rastin e normave shoqërore, psikologët ka kohë që kanë pranuar se shpeshtësia e sjelljes së njerëzve në të kaluarën influencon sjelljen e tanishme, prandaj përvoja e deritanishme në bërjen e politikave fiskale duhet ta konsiderojë sa dhe si duhet ekzistencën e zakonit të tatimpaguesve të biznesit të vogël në lidhje me lëshimin/pranimin e faturës fiskale, për të zgjeruar përpjekjet që i duhen kushtuar tatimpaguesve të kategorisë së biznesit të vogël që fshihet poshtë pragut të TVSH-së për të kapërcyer zakonin e rrënjosur thellë të moslëshimit/mospranimit të faturave fiskale në përgjithësi dhe faturës tatimore me TVSH në veçanti. Nga ana tjetër, fare e qartë se është shumë e vështirë të ndryshojë një zakon në qoftë se: përsëritet shpesh (është më e vështirë të ndryshohet ajo që bëhet çdo ditë se ajo që bëhet një herë në vit; ka shpërblime të lidhura fort me zakonin (fshehja e të ardhurave); dhe kur shpërblimi shijohet shumë shpejt pas veprimit (të ardhurat me para në dorë, ose cash). Zakonisht, ndryshimi i zakonit përfshin: së pari, zhbllokimin e veprimit të pandërgjegjshëm të tatimpaguesve të biznesit të vogël dhe ngritjen e atij në një nivel të ndërgjegjshëm, ku tatimpaguesit e kësaj kategorie të mund të konsiderojnë kostot dhe përfitimet e sjelljes alternative, sikundër ndodh me tatimpaguesit e mëdhenj, gjë e cila vazhdohet me adoptimin e sjelljes së re (lëshimit të faturave me TVSH), e cila me kohë të çimentohet si një zakon i ri. Ka më shumë të ngjarë që tatimpaguesit e biznesit të vogël të mendojnë në mënyrë të ndërgjegjshme mbi TVSH-në (dhe për këtë të jenë në gjendje të ndryshojnë zakonin e tyre) kur: zbatimi i ligjit për TVSH nga ata do të jetë kompleks; pasojat e veprimeve/vendimeve të tyre do të jenë të rëndësishme për ata vetë; si dhe do të kenë mjaft kohë, njohuri dhe kapacitetin e duhur për të vepruar si tatimpagues të TVSH-së.

Rregullat e TVSH-së mund t’i ndihmojnë tatimpaguesit e biznesit të vogël të ndryshojnë sjelljen e tyre të deritanishme me qëllim që lëshimi/pranimi i faturave fiskale t’u bëhet zakon, por në synimin për të ndryshuar sjelljen e tatimpaguesve të biznesit të vogël, në mënyrë të veçantë duhet të konsiderohet roli që luajnë zakonet e tyre, duke shtruar pyetjet: A ka ndonjë zakon që ka të ngjarë të jetë pengesë për ndryshimin e sjelljes dhe në qoftë kështu, sa i fortë ka të ngjarë të jetë ai dhe si mund të ndryshohet një zakon i tillë i sjelljes në vetëdijen e tatimpaguesve të ndërgjegjshëm të biznesit të vogël? Çfarë nxitësish, financiarë dhe jofinanciarë, mund t’u jepen atyre për t’i ndihmuar që ata të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe çfarë informacioni mbështetës mund dhe duhet t’u jepet për t’i ndihmuar që të riforcojnë sjelljen e re dhe për ta çimentuar atë në një zakon të ri? A mund të përgatitet dhe t’u jepet në kohën e duhur ky informacion që ata të veprojnë për të maksimizuar efektin e të mësuarit?

Në rastet ku njerëzit motivohen në mënyrë të natyrshme për të bërë “gjënë e duhur” ata ndihen keq dhe kanë ndjenjën e fajit kur dështojnë, faj ky që mund të kompensohet në qoftë se njerëzit ndëshkohen (p.sh. me gjobë), sepse pasi ndëshkohen, e ndiejnë se kanë paguar për atë që kanë bërë keq dhe kështu e kanë ndërgjegjen të pastër, por kjo dukuri ka çuar në ndëshkime të tilla që kanë pasur efekte të kundërta: tatimpaguesit e biznesit të vogël vazhdojnë të mos lëshojnë/mos pranojnë fatura fiskale edhe pse në vitin 2009 ata u detyruan të përgatisin bilance për të verifikuar në plus ose minus diferencën midis tatimit mbi biznesin e vogël (paguar për vitin 2008 për llogari të zyrave tatimore vendore) dhe tatimit mbi të ardhurat personale, duke pranuar ndëshkimin nga organet tatimore. Diferenca në plus e të ardhurave tatimore të mbledhura ishte e papërfillshme, çka vërteton se nuk u arrit një nga qëllimet kryesore: lëshimi/pranimi i faturës fiskale, e cila është mjeti kryesor për administrimin e çdo tatimi, veçanërisht TVSH-së. Nuk duhet harruar se edhe pse njerëzit kanë një sens të lindur të ndershmërisë, në situata të tilla kur një person, dukshëm, gjen një pozicion më të fortë për të bërë pazar, shpesh ai do ta shfrytëzonte këtë pozicion për të kërkuar për veten e tij edhe pse sensi i ndershmërisë i udhëheq njerëzit gjithashtu ta ndëshkojnë të keqen e bërë nga të tjerët, madje edhe me kosto personale për veten e tyre. Një analizë e thellë në lidhje me zbatimin e TVSH-së për një shtresë të caktuar të tatimpaguesve të biznesit të vogël, si ajo që fshihet nën pragun e një qarkullimi ekonomik të mallrave dhe/ose shërbimeve prej 8 milionë lekë/vit do të duhej të parashikonte kostot/përfitimet, për t’i inkurajuar këta tatimpagues, si dhe gjobat/ndëshkimet që do të duheshin për t’i shkurajuar ata. Duhet të parashikohen gjithashtu rrethanat në të cilat do të veprojnë zyrtarët tatimorë në lidhje me lëshimin/moslëshimin e faturës me TVSH; më tej, fakti që zyrtarët tatimorë do të jenë të gatshëm të ndëshkojnë shkeljet e ligjit nga tatimpaguesit, me një kosto të konsiderueshme për veten e tyre, pa ndonjë përfitim të dukshëm financiar vetjak, nuk mund të shpjegohet nga një analizë të thjeshtë. Analistët fiskalë pranojnë se tatimpaguesit e TVSH-së në veprimtarinë e tyre ekonomike motivohen se brendshmi dhe nga jashtë, veçanërisht, për arsye financiare, por ka gjasa që motivimi nga jashtë për arsye financiare t’ia “zërë vendin” motivimit të natyrshëm për të zbatuar ligjin në përfitim të një të mire publike, që nënkupton se shpërblimi financiar mund të zvogëlojë motivimin e natyrshëm dhe në këtë mënyrë politika fiskale e adoptuar për trajtimin e tatimpaguesve të biznesit të vogël që meriton të trajtohet me TVSH, të mund të rezultojë me efekt të kundërt dhe jo si një mjet motivues. Ndershmëria, shpesh, është e rëndësishme, por ky nuk është një koncept i cili pritet të ketë ndonjë domethënie tjetër për zyrtarin dhe tatimpaguesin e arsyeshëm; për shembull gatishmëria e njerëzve për të paguar tatime për të mira publike ka treguar gjithashtu se duhet të moderohet nga ndershmëria e administratës tatimore; njerëzit besojnë se kostot duhet të shpërndahen qartë ndërmjet atyre që janë përgjegjës për domosdoshmërinë e të mirave publike dhe atyre të cilët do të përfitojnë nga ato; me një ndershmëri të perceptuar më lart tatimpaguesit do të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë. Vendimmarrësit politikë duhet të konsiderojnë si e perceptojnë tatimpaguesit sjelljen që ata po përpiqen t’ua ndryshojnë (në rastin konkret trajtimin e një shtrese të caktuar të tatimpaguesve të biznesit të vogël me TVSH), sepse në qoftë se do të jetë i gabuar një trajtim i tillë, do të rezultonte me efekte të kundërta në vendosjen e gjobave dhe kreditimin e TVSH-së. Prandaj, duhet të konsiderohet me kujdes edhe madhësia e çdo antinxitësi, pa harruar procedurat e apelimit dhe veçanërisht kujdesin që tatimpaguesit të mos e shohin këtë politikë tatimore si të pandershme, edhe pse kjo politikë është me një përfitimin të përgjithshëm; vetë administrata tatimore duhet të krijojë besimin e duhur te shtresa e tatimpaguesve të biznesit të vogël që do të trajtohen me TVSH, pasi një gjë e tillë do të ketë ndikim mbi zbatimin e ligjit për TVSH-në në të ardhmen. Duke marrë në konsideratë mundësinë e të kapurit nga organet tatimore kur evadon TVSH-në dhe madhësinë e ndëshkimit në qoftë se tatimpaguesi kapet, analiza e thjeshtë ka treguar se tatimpaguesit e biznesit të vogël evadojnë më shumë TVSH nga ajo që evadojnë në të vërtetë. Duket sikur tatimpaguesit e biznesit të vogël motivohen “për të bërë gjënë e duhur” nëse ata trajtohen më me ndershmëri dhe më me respekt nga organet tatimore, pra do të jenë më të gatshëm për të paguar TVSH-në, por kundrejt një rrugëzgjidhjeje të tillë tatimpaguesit në vende të ndryshme kanë kundërvepruar me më shumë rezistencë ndaj zbatimit të ligjit të TVSH-së. Si rrugëzgjidhje më e suksesshme nga analistët fiskalë shihet adresimi dhe harmonizimi i interesave të tatimpaguesve, sepse tatimpaguesit e TVSH-së kanë pritshmëritë mbi sjelljen e tyre vetjake dhe perceptimet që kanë tatimpaguesit e biznesit vogël (që duhet të trajtohen me TVSH) mbi sjelljen e tyre, sepse në qoftë se tatimpaguesit e TVSH-së do të vazhdojnë të vërtetojnë se tatimpaguesit e biznesit të vogël nuk pranojnë furnizime mallrash dhe shërbimesh me faturë me TVSH, atëherë ata mund të ndryshojnë qëndrimet dhe vlerat e tyre për të justifikuar kreditimin e TVSH-së me fatura false. Marrja në konsideratë e përfitimeve nga përdorimi më i madh i taktikave të tilla për të inkurajuar tatimpaguesit të biznesit të vogël (shtresës që mendohet të trajtohet me TVSH) që të angazhohen për zbatimin e TVSH-së (veçanërisht në lëshimin/pranimin e faturës me TVSH), është një alternativë që në disa vende është bërë me shkrim nga pronarët e biznesit për lëshimin/pranimin e faturës me TVSH, duke pranuar bërjen publike të emrave të atyre që nuk i mbajnë angazhimet e marra. Kopjimi i përvojave të suksesshme të vendeve të tjera pa analizuar prirjet e ndryshimit të sjelljes së tatimpaguesve, shpesh e ndikuar nga këshillat e ekspertëve të huaj mbi bazën e përvojës së vendeve të zhvilluara ka rezultuar pa sukses, siç ndodhi në Turqi me zbatimin e TVSH-së së mbajtur në burim (TVSH shtesë me një përqindje nga 1/3 deri 2/3 e përqindjes bazë në një furnizim të tatueshëm, i bërë nga tatimpaguesi i TVSH-së për tatimpaguesin e biznesit të vogël “rebel”), mbështetet nga fakti që përvoja botërore njeh katër lloj trajtimesh të tatimpaguesve të biznesit të vogël me TVSH. Njohja dhe marrja në konsideratë e prirjeve të ndryshimit të sjelljes së tatimpaguesit në rastin e trajtimit të “rebelëve” të sistemit të biznesit të vogël, merr një rëndësi të veçantë në kushtet e zbatimit të tre lloj përqindjeve (20, 10 dhe 0 për qind). Në rastin ekzistues të dy përqindjeve (20 dhe 0 për qind) administrimi i TVSH-së kërkon vlerat e furnizimit për dy përqindje, atë të furnizimeve të përjashtuara, vlerën e blerjes në dy përqindje, TVSH e pagueshme për të dy përqindjet në shitje dhe në blerje (gjithsej nëntë informacione), ndërsa në rastin e tri përqindjeve, sipas përvojës së vendeve që zbatojnë tri përqindje, nevojiten gjithsej shtatëmbëdhjetë informacione, që bazohen të gjitha nga vërtetësia dhe saktësia e të dhënave të shënuara në faturën fiskale.

Sfidat kanë shoqëruar çdo politikë tatimore; çdo sfidë ka pasur paragjykimet dhe llogaritjet e saj për sa i përket raportit kosto/përfitime, por ashtu siç thotë nobelisti Joseph Stiglitz se “është e nevojshme të ketë një radhë numrash, por është e nevojshme që ne të kuptojmë rolin e secilit numër”, por “ne nuk mund të jemi në gjendje të bashkojmë çdo gjë së bashku”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›