Mbeturinat urbane; Gati projekti për ndërtimin e 6 landfilldeve
Në gjashtë qytete kryesore të vendit do të ndërtohen landfillde për trajtimin e mbetjeve urbane. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka hartuar tashmë projektet për venddepozitimet e tyre. Në qarkun e Tiranës, Durrësit, në qarkun e Fierit, Korçës, Elbasanit dhe Vlorës dhe qendra më të vogla urbane do të sistemohen dhe grumbullohen për trajtimin e këtyre mbetjeve. Sipas të dhënave, qeveria shqiptare po financon studime fizibiliteti për Elbasanin, për qarkun e Vlorës, Durrësin, Lushnjën, Fierin, Bashkinë e Shkodrës, për Lezhën. Ndërkohë, landfilldet e Bushatit dhe ai i Sharrës (Tiranë) kanë nisur funksionimin e tyre. Nga ana tjetër, specialistët e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave po punojnë për ligjin për administrimin e mbetjeve urbane, si dhe për planin kombëtar për administrimin e mbetjeve urbane. Sipas MMPAU-së, ndryshimi dhe përmirësimi i mënyrës së jetesës ka sjellë rritje të ndjeshme të mbetjeve urbane. Ndërkohë, sasia më e madhe e mbetjeve të gjeneruara për banorë është në qarkun e Tiranës dhe të Vlorës e ndjekur nga qarku i Durrësit.
Arsimi i lartë
Ministri Tafaj takon rektorët e universiteteve publike
Regjistrimet në universitete, infrastruktura, investimet, programet e studimit si dhe akreditimi i universiteteve publike në vend. Kanë qenë këto problematikat e trajtuara nga ministri i Arsimit dhe i Shkencës në takimin e parë me 11 rektorët e universiteteve publike në vend. Ministri Tafaj tha: “Ky është takimi ynë i parë i punës për fillimin e vitit të ri akademik”. Të mbledhur dje ata diskutuan për disa probleme, që kanë të bëjnë me përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, mbështetja që u duhet nga ana e MASH-it, për problemet e regjistrimeve të studentëve, sigurisht edhe për të vendosur së bashku edhe për kalendarin e vitit të ri akademik. Nga ana e tyre, krerët e universiteteve publike në vend siguruan bashkëpunimin e ngushtë e institucional me MASH-in për realizimin e reformave në arsimin e lartë. Ata kërkuan një konsultim më të gjerë me universitetet, por edhe aktorë të tjerë të interesit, me qëllim hartimin dhe zbatimin e plotë të direktivave të MASH-it dhe qeverisë në këtë fushë.