E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidë gjermane



Vjeshta e 2009-s mund të quhet me plot kuptimin e fjalës një vjeshtë “e nxehtë” në kohën kur kontinenti i vjetër është kapluar nga ethet elektorale. Ndërkohë që fushatat zgjedhore në Greqi e Portugali janë ndezur fort, gjermanët u drejtohen të dielën më 27 shtator kutive të votimit për të vendosur fatin e tyre qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe mbase pak vetë do ta kishin besuar se “Koalicioni i Madh” mes socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve do të mbijetonte deri në fund të mandatit të tij 4-vjeçar, duke pasur parasysh precedentin e viteve 1966-1969 nën drejtimin e Kancelarit Kiesinger.

Anija e Kancelares Merkel ia doli të lundronte nëpër ujëra të vështira siç ishte dhe ky vit i fundit i përballjes me krizën financiare botërore që la gjurmët e veta dhe në një nga ekonomitë më të forta, në atë gjermane. Pikërisht përballja me krizën dhe hedhja pas krahëve e saj është shfrytëzuar si kalë beteje nga CDU dhe Merkel duke vënë në dukje edhe një herë superioritetin e modelit ekonomiko-politik gjerman të pas-Luftës së Dytë Botërore duke u atribuuar baballarëve të partisë së saj nga Adenauri tek Kohli formulën fituese që sheh të balancuar lirinë me sigurinë dhe mirëqenien me solidaritetin social. Në ndryshim nga fushatat e tjera elektorale që po përjeton kontinenti, ajo gjermane është karakterizuar nga një “mirëkuptim” i heshtur i të dyja partive më të mëdha për të mos u sulmuar reciprokisht dhe kjo ka arsyen e vet.

Aktualisht Kancelarja Merkel gjen përballë si kundërshtar politik një nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit të saj, ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Steinmeier, i cili po synon të marrë postin e Kancelarit, por me sa duket, pa qenë tërësisht i bindur se mund ta bëjë realisht një gjë të tillë. Kjo u pa qartë edhe në debatin e drejtpërdrejtë që të dy patën në 13 shtator, debat ky që nuk pati fitues. Steinmeier e portretizoi veten si një kampion të balancës sociale dhe e vuri theksin në rrezikun e një qeverie që anonte nga e djathta, anim ky që do të zmadhonte hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Ndërkohë Kancelarja Merkel beson fort se mund ta mbajë këtë post edhe në katër vitet e ardhshme, duke bërë premtime shumë të guximshme si ai i uljes së taksave dhe natyrisht do të preferonte të kishte partnerë në qeverisje demokratët e lirë të Westerwelles, koalicion ky që nuk do të kërkonte sforcimet dhe nuk do të karakterizohej nga ngërçe parimore për vetë afërsinë e programeve të këtyre partive.

Kjo aleancë u verifikua edhe në Saksoni pas zgjedhjeve vendore të gushtit të këtij viti ku koalicioni mes CDU-së dhe FDP-së doli fitues, në ndryshim nga Saarlandi dhe Tueringeni ku socialdemokratët e Steinmeier-it 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit bënë koalicion me ish komunistët e të Majtës (Die Linke) dhe të Gjelbrit.

Znj. Merkel e ka paralajmëruar një fitore të qendrës së djathtë direkt pas rizgjedhjes bindëse në 23 maj 2009 të Horst Köhler në postin e Presidentit federal, por a do ta arrijë ajo një gjë të tillë apo do t’i duhen mandatet që do të marri nga proporcionali për të salduar një shumicë qeverisëse së bashku me simotrën e saj bavareze të CSU-së dhe demokratët e lirë të FDP-së? Sipas të gjitha gjasave, shpërndarja proporcionale e mandateve sivjet do të favorizojë CDU-në, duke i shtuar shportës së koalicionit të udhëhequr prej saj mbi 20 mandate, mandate këto që kanë ndezur debatin për legjitimitetin e një shumice parlamentare të bazuar mbi to.

Këto zgjedhje përpos fushatës “së paqtë” shënojnë edhe një risi tjetër: shumica e gjermanëve, sidomos të rinjtë i janë drejtuar internetit për të marrë informacion rreth premtimeve elektorale të partive në garë. Duket se vala e revolucionit mediatik që përfshiu SHBA-të gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale ka lënë gjurmët e saj edhe në Gjermani, rreth 77% e të rinjve të moshës 18-29 vjeç informohen online për platformat e partive politike dhe 81% e zgjedhësve nën 30 vjeç dhe 71% e zgjedhësve të të gjithë trupit të votuesve iu referohen mediave tradicionale për t’u informuar. Rreth 28% e votuesve nën 30 vjeç pohojnë se ata frekuentojnë rrjete sociale si Facebook, Xing apo Youtube. Gjithsesi, është shtruar për diskutim çështja e votimit online, mënyrë kjo që do të shtonte pjesëmarrjen në votime. Sipas një sondazhi të bërë, 80% e të anketuarve do të votonin nëse ky votimi do të kryhej online në krahasim me 43% të pjesëmarrësve aktualë që praktikisht do të vendosnin më datë 27 shtator drejtimin politik dhe ekonomik të shtetit më të fuqishëm të BE-së.

*Pedagoge në Universitetin e Tiranës

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›