Frank Walter Steinmeier - sfidanti
Ministri gjerman i Punëve tëJ, Frank Walter Steinmeier, dëshiron të marrë në dorë zyrën e Kancelarit. Për një kohë shumë të gjatë ai ka shërbyer aty në sfond, si eminencë gri "Supermani pa dëshirë" e quajti Frank-Walter Steinmeier-in gazeta "Welt am Sonntag" në qershor 2008. Asokohe ministri i Jashtëm dukej sikur nuk ishte i kënaqur që do të udhëhiqte fushatën elektorale të socialdemokratëve. Por ja që, pesë muaj më vonë, Partia Socialdemokrate (SPD) e vuri atë të parin në listë. Delegatët e zgjodhën me 95 për qind të votave si kandidatin kryesor, duke e bërë kështu sfidantin e Kancelares me popullaritet, Angela Merkel.
Kryetari i atëhershëm i partisë, i pafati Kurt Beck, ndoshta kishte shpresuar se do të bëhej vetë kandidat, por ai gjeti aq mbështetje nga radhët e partisë. Kështu që pas shumë debatesh të gjata në një mbledhje të kryesisë, ai e propozoi vetë Steinmeier-in si kandidat për Kancelar dhe pastaj dha dorëheqjen. Kryesinë e partisë e mori në dori paraardhësi i Beck-ut, Franz Müntefering.
Steinmeier-i doli kështu tërësisht nga prapavija ku kishte vepruar për një kohë shumë të gjatë – si nëpunës në kancelarinë shtetërore në Hanover, si sekretar shteti në zyrën e Kancelarit Federal dhe madje dhe si ministër i Jashtëm, një post, të cilin ai e mori gati si rastësisht, mbas zgjedhjeve të vitit 2005. Steinmeier-i asokohe gëzonte shumë pak besim në opinionin publik. Ky njeri i heshtur dhe panjohur i prapavijës nuk ta mbushte mendjen se do ta bënte detyrën e ministrit të jashtëm me dinjitetin që i takonte socialdemokratit të parë mbas Willy Brandt-it në këtë post.
Por Steinmeier-i u ambientua çuditërisht shpejt dhe e fitoi si brenda ashtu edhe jashtë shtetit respektin që i duhej për ta kryer detyrën me sovranitet. Për një kohë shumë të shkurtër popullariteti i tij u rrit aq marramendshëm, sa që në vjeshtën e 2006-ës, një vit mbas zgjedhjeve, ai arriti të dilte dukshëm edhe përmbi Kancelaren Angela Merkel.
I ri në politikë
Steinmeier-i si politikan nuk është shumë i vjetër. Ai u lind më 5 janar 1956 në Detmold dhe u rrit në fshatin Brakelsiek, më vonë studioi juridikun dhe politologjinë në Giessen. Mbas përfundimit të studimeve u bë bashkëpunëtor shkencor në katedrën e të Drejtës Publike në të njëjtin universitet dhe docent në seminarin e administratës në Wiesbaden.
Mbas doktorimit në vitin 1991, Steinmeier, i cili që nga viti 1975 kishte qenë anëtar i SPD-së, u bë referent për çështjet juridike dhe politikën e medies në kancelarinë shtetërore të landit Nidersachsen (Saksoni e Poshtme). Për një periudhë shumë të shkurtër kohore ai u bë drejtues i zyrës së kryeministrit Gerhard Schroeder, i cili në vitin 1998 e mori me vete në Bon e më pas në Berlin. Si sekretar shteti me statusin e nëpunësit në zyrën e Kancelarit ai ishte përgjegjës edhe për koordinimin e shërbimeve të fshehta. Në korrik 1999 Steinmeier-i u bë shef i zyrës së Kancelarit - një post, të cilin e mbajti edhe mbas fitores së dytë të Schroeder-it në vitin 2002. Në këtë funksion ai luajti një rol shumë të rëndësishëm gjatë bisedimeve për arritjen e një konsensusi në çështjen e politikës atomike, për reformat në tregun e punës, si edhe për përballimin e krizës mbas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Mbas zgjedhjeve të parakohshme në shtator të vitit 2005 dhe me tërheqjen nga politika të shokut dhe mentorit të tij, Gerhard Schroeder-it, Steinmeier-i u bë ministër i Jashtëm. Në zgjedhjet parlamentare më 29 shtator, ai nuk ka si synim vetëm të bëhet Kancelar, por edhe të fitojë mandatin e tij të parë të drejtpërdrejtë si deputet. Ai kandidon në qarkun zgjedhor Brandenburg, pranë Havelit.
Familjari
Steinmeier-i është i martuar me gjykatësen Elke Büdenbender. Çifti ka një vajzë. Familja e ministrit të Jashtëm deri para pak kohësh ishte e panjohur për opinionin publik. Për herë të parë ai u shfaq me të shoqen në një emision televiziv në qershor 2009. "Im shoq është një politikan i shkëlqyer, ai nuk është aktor teatri në skenën politike, por veprues aktiv dhe me ambicie", - tha Elke Büdenbender, pak para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.
Partia Socialdemokrate aty do të dilte me rezultatin më të dobët të historisë së saj. Kandidati për Kancelar dukej i demoralizuar para kamerave. Steinmeier-i dukej se kishte marrë fund që para se të fillonte lufta për postin e Kancelarit.
Por nuk kaloi as një javë, kur ai, në kongresin e posaçëm të SPD-së u paraqit me një fjalim të shkëlqyer me pretendime të parevokueshme për udhëheqje. "Unë dua të bëhem Kancelar i të gjithë gjermanëve!", - tha ai mes ovacioneve të delegatëve. Me një duartrokitje dhjetëminutëshe partia e falënderoi kandidatin e vet që në këtë orë të hidhur dhimbjeje dhe rezignimi arriti t'ia kthente sërish optimizmin dhe kurajën.