Politika i mbyll gojën dhe i thyen dhëmbët futbollit
Zyrtarisht, dje, kanë nisur hetimet rreth incidentit të Peqinit, ku, nga sa është thënë dhe është shkruar, ka pasur konflikte fizike mes deputetit Dash Sula, zëvendëspresident dhe tifoz i zjarrtë i Shkumbinit, skuadrën që përfaqëson qytetin e tij në superligë, dhe palës kavajase të përbërë nga kapiteni Bekim Kuli dhe trajneri Ilir Daja. Ky është lajmi që jep FSHF nëpërmjet shefit të garave, Ilir Shulku, i cili dje i ka vënë në dispozicion të gjithë materialin palës që do të hetojë ngjarjet, ndonëse, e thënë paraprakisht, rezultati do të jetë një "vrimë në ujë". Përse? Sepse askush nuk flet. Sepse pala kavajase nuk deklaron asgjë rreth çështjes. Sepse është përfshirë një politikan i spektrit të djathtë (që përfundon rëndom në faqet e para të gazetave sportive për arsye të njëjta). Sepse elementët e skuadrës së goditur përfaqësojnë bastionin më të zjarrtë të partisë që ka mazhorancën në Kuvend, pjesë e së cilës është edhe deputeti i përfshirë në zënkë. Shtypi sportiv është "ngjirur" për vite me radhë që politika ta lërë të qetë botën e sportit. Sepse sporti nuk ka nevojë të reklamohet vetëm në kohë fushatash dhe, aq më keq, të goditet me forcë, pasi politika të ketë kryer nevojat e saj me të. Rasti i Peqinit nuk përbën risi. Prezenca e Dash Sulës në mjediset që të çojnë në dhomat e zhveshjes nuk është një pamje që shikohet vetëm në fushën e Shkumbinit. Është një pamje prezente kudo që ekipi bardhekaltër shkon dhe ajo që të bën më shumë çudi është fakti se në atë sektor duhet të qëndrojnë vetëm pjesëtarët e dy skuadrave dhe askush tjetër. As edhe një tifoz, qoftë ky edhe deputet (sepse ai ka qenë aty pasi edhe në media ka deklaruar se "isha në dhomat e zhveshjes, por nuk u zura me asnjë, por kërkova të shuaja sherrin"). Delegati i FSHF-së në ndeshjen Shkumbini-Besa 1-0, Astrit Maçi, tregon se çfarë ka parë në Peqin, edhe pse realisht ai nuk ka qenë prezent në momentin e sherrit. "Kur përfundoi pjesa e parë, vajta në mesin e fushës për të shoqëruar gjyqtarët në dhomat e tyre. Në momentin që hyj në tunel drejt dhomave të zhveshjes, shoh shumë policë dhe një vazo të thyer." Praktikisht asgjë. Por ekzistojnë edhe fjalët e shefit të komisariatit të Peqinit, i cili shprehet se "e ndalova autobusin e Besës për të mbrojtur Ilir Dajën". Nuk jepen shkaqet, por kuptohet qartë se trajnerin Daja e kërcënonte diçka apo dikush. Por më e rënda nga të gjitha këto është heshtja. Një heshtje vrastare, që kërkon të mbulojë një ngjarje skandaloze dhe për më tepër nuk i lë vend drejtësisë sportive e ligjore të veprojë. Federata është e pafuqishme. Ligji nuk ka terrenin e nevojshëm për të vepruar. Pushteti i presidentit Bizhdili është shtrirë mbi të gjithë skuadrën, e jo vetëm. Ndonëse trajneri Ilir Daja nuk ka ngurruar ta gërricë koren e plagës ende të hapur. "Unë çfarë kisha për të thënë e thashë në Peqin. Në vendngjarje reagova ashtu siç më takonte në postin e trajnerit e ruajtjes së personalitetit tim. Tashmë presidenti Bizhdili është ai që ka marrë përsipër "të zbardhë" tunelin e Peqinit, duke na urdhëruar heshtje për shtyp." Thuhet se çështja ka shkuar deri lart, te paria partiake, që ka kërkuar me çdo kusht të mbrojë deputetin e saj. Ndryshe kjo heshtje nuk mund të shpjegohet. Trysnia mbi palën e dëmtuar ka qenë aq e madhe, sa të mbyllësh gojën për një turp të tillë do të thotë se dikush me pushtet ka vepruar. Sot pritet të mblidhet komisioni i disiplinës dhe të shqyrtojë çështjen në fjalë. Fusha e Peqinit ndoshta do t'ia hedhë vetëm me një gjobë. Faktikisht, në një rast të tillë, Shkumbini është tërësisht i pafajshëm, sepse deputetin Dash Sula asnjë nuk e ka ndaluar të zbresë aty ku nuk duhet të rrijë. Sepse policia nuk mund t'i thotë një njeriu që gëzon imunitet "mos kalo". Dhe rezultati është ai që jemi mësuar ta shohim të paktën një herë në vit në faqet e para të gazetave: Deputeti godet filan lojtar. Të na rrojë imuniteti!
Kapiteni i verdhezinjve flet për mediat, duke zbardhur thuajse gjithçka nga incidenti i Peqinit
Kuli s'thotë vetëm emrin: Dash Sula!
Me sa duket, kapiteni i verdhezinjve nuk mund ta kapërdinte më poshtërimin e pësuar në Peqin, por njëkohësisht nuk mund të thyente heshtjen për shtyp, që ka vendosur presidenti Nexhat Bizhdili. Por ai arrin të gjejë shtigjet e mundshme për të dhënë një detaj, jo tërësisht të qartë, por realisht demaskues për incidentin e ndodhur në pushim të ndeshjes Shkumbini-Besa 1-0. Bekim Kuli përmend në prononcimin e tij të shkurtër se gjithçka ndodhi në Peqin, nuk duhet t'u ngarkohet masave, tifozëve, por një personi të vetëm që me "bëmat" e tij i jep epitetin Peqinit si qytet i dhunshëm. "Ajo që mund t'ju them është se në Peqin ka pasur shumë dhunë. Nuk dua të përmend emra, sepse dihet se kush janë, se cili ka qenë ai që më ka goditur. E di se cilët kanë qenë ata që kanë nisur rrëmujën dhe shkojnë nëpër televizione duke bërë si të ndershëm, gjoja sikur nuk kanë qenë farë aty. Dua të shtoj edhe këtë, se nuk janë futbollistët ata që nisin sherret, por tifozët që rrinë në tribunën "VIP"". Praktikisht këtu është gjithçka. Mungon vetëm emri, por logjika e thjeshtë të çon pa mundim tek ai. I vetmi person nga pala peqinase që ka dalë në televizion dhe ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij ka qenë deputeti Dash Sula. Kuli "i binte nga Kina" për të sjellë në tavë përpara tifozëve emrin e atij që nisi sherrin dhe që dhunoi lojtarin në fjalë. Emri i Dash Sulës nuk del drejtpërdrejt nga goja e kapitenit të Besës, por lihet të nënkuptohet. Ai që ka dy para mend nuk e ka të vështirë të bëjë lidhjen. Ja ku është ujku, gjurmët nuk na nevojiten më...