Trojanet jetime
Tragjedia “Trojanet” hap sezonin e Teatrit Kombëtar të shtunën. Regjisori grek pritet të vijë të enjten. Shumë pak kohë për të ndrequr problemet që u vunë re në premierën e Butrintit
Sezoni i ri në Teatrin Kombëtar nis me tragjedinë “Trojanet” të Euripidit. E ndërtuar dhe e shfaqur në skenën e Butrintit në muajin korrik, vepra ngjitet për herë të parë në skenën e madhe të TK-së. Momentalisht në Tiranë ka mbërritur një pjesë e stafit grek, përfshirë këtu asistent regjisorin, përgjegjësin e skenës, etj, ndërsa pritet që ditën e enjte të jetë në Tiranë edhe regjisori grek Vangelis Theodoropoulos. Që në krye të herës destinacioni i veprës ishte Butrinti, ndaj dhe u punua duke pasur parasysh një skenë të hapur. Kështu që një nga arsyet kryesore pse regjisori vjen në Tiranë është pikërisht përshtatja e skenografisë për një skenë të mbyllur. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pozicionimi i aktorëve të shumtë në numër. Nga ana e drejtorit të TK-së, Kristaq Skrami, mësojmë se regjisori vjen ditën e enjte. Një shfaqje që ka këto ditë në Athinë ia ka shtyrë ditën e ardhjes. E ndërsa “Trojanet” shfaqet të shtunën, dy ditë nuk mjaftojnë për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e veprës. Aq më tepër që duhet ta pranojmë se “Trojanet” shfaqi boll probleme.
Pas premierës në Butrint, mendimi i përgjithshëm ishte se duhet punuar ende me korin, i cili jo rrallë herë tingëllonte i stonuar. Është e vërtetë që “Trojanet” është e para vepër e antikitetit që vihet në 60 vjet histori të TK-së dhe tek ne nuk ka aktorë të “stërvitur” në këtë lloj zhanri, megjithatë regjisori grek e mori përsipër dhe duhet ta çojë deri në fund. Shkolla e mangët e aktrimit shqiptar, nuk është justifikim. Kështu që prania e Theodoropoulosit në Tiranë ishte e nevojshme, jo thjesht për anën teknike, por për të riparuar defektet që u vunë re në premierën e korrikut. Në lidhje me këtë drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, thotë se regjisori nuk është i detyruar të vijë. “Tashmë vepra është e Teatrit Kombëtar dhe ne mund ta vendosim atë kur të duam. Aq më tepër që “Trojanet” e ka dhënë premierën e saj në Butrint e më pas në Virona të Greqisë. Vepra është e përfunduar dhe regjisori nuk ka më detyrime ndaj saj”, - thotë Skrami, ndërkohë që në fund të sezonit të shkuar Skrami u shpreh se premiera e vërtetë e tragjedisë do të jetë në Tiranë, në muajin shtator.
Drejtori nuk na tregon konkretisht se cilat janë detyrimet e regjisorit ndaj veprës, nënshkruar në kontratë, por thotë se kjo është një praktikë që ndiqet kudo. Sipas tij çdo gjë është në rregull dhe se shkelje do të ishte nëse regjisori grek do ta kishte lënë veprën në mes. Por një vepër me probleme, si në rastin e “Trojaneve”, është njësoj si ta kishe lënë në mes. Për ardhjen në Tiranë, TK nuk pagoi asnjë qindarkë. Gjithçka u mor përsipër nga Ambasada Greke dhe biznesi grek. Ndërsa TK mori përsipër pagesat e aktorëve, të cilat u shlyen me vonesë. “Trojanet” vijnë të shtunën dhe një shfaqje me probleme nuk do të ishte një ogur i mirë për sezonin që hapet me këtë vepër, për të mos folur për probleme të tjera të krijuara nga zgjedhja me vonesë e bordit artistik dhe kur akoma nuk ka një kalendar shfaqjesh.