A është vendi për ide trendy
Ndërsa punohet për ngritjen e pavijoneve dhe muret janë zbrazur nga tablotë e “e traditës”, në Galerinë Kombëtare të Arteve po zhvillohen ekspozita e projekte të hapura për publikun. Galeria po përgatitet për t’u bërë muze dhe për të ofruar një histori “të gjatë” të artit pamor. Sipas ish-dekanit të Arteve Pamore, skulptorit Artan Peqini edhe kjo mund të hyjë tek ato idetë “trendy” të drejtorëve, që pasi largohen nga posti, harrohen, për t’u zëvendësuar nga të tjera ide, ndoshta më të “çuditshme” se paraardhëset. Sipas tij, politikat e një institucioni bëhen nga struktura më të larta se ai i drejtorit. Në të kundërt “do vazhdojmë të quajmë politikë kulturore lyerjen e mureve, ndryshimin e dritareve dhe ekspozimin e autorëve sipas “kapacitetit të drejtorit”, apo rekomandimeve nga lart e poshtë”.
Po diskutohet për bërjen muze të GKA, në të vërtetë ku qëndron ndryshimi mes një muzeu dhe një galerie?
Galeritë, përgjithësisht, promovojnë vlera të grupeve, autorëve, tendencave të ndryshme që janë të evidentuara në një kohë të caktuar, por që nuk mund të thuhet që përbëjnë një vlerë historike në kohën kur ato ekspozohen. Në ndryshim me këtë, muzeumet përgjithësisht ruajnë, ekspozojnë, promovojnë, studiojnë vlera që konsiderohen të një karakteri me rendësi historike me artin e atij vendi ose me gjerë. Me këtë nuk mund të themi që ka edhe eksperienca të tilla, kur galeri të ndryshme ekspozojnë vlera artistike të konsideruara me rëndësi historike. Po kështu, edhe muzeume të ndryshme për të dinamizuar kalendarin e tyre, aplikojnë ekspozita me artistë, grupe ose tendenca që akoma nuk konsiderohen vlera historike, por që janë të rëndësishme me situatën aktuale.
E ndërsa pretendohet një rikonceptim, kush mendoni se duhet të hartojë politikat dhe të ngrejë linjat e një muzeu?
Në fakt ky është një problem i cili mund të marrë zgjidhje vetëm duke iu referuar statutit të Galerisë Kombëtare. Ky institucion ka studiues, të cilët e kanë për detyrë të jenë këshilltarët e parë brenda këtij institucioni, për të ndërtuar linjën ekspozuese, e cila padyshim përcaktohet edhe nga Ministria e Kulturës. Më konkretisht specialistët e Ministrisë dhe Galerisë, në bashkëpunim edhe me faktorë të tjerë të fushës jashtë tyre, kanë për detyrë të përcaktojnë prioritetet edhe të arteve pamore. Në qoftë se në planin strategjik kjo politikë përcakton se për një periudhe të caktuar është më e rëndësishme të promovohen këto apo ato vlera, pra grupe, tendenca apo autorë të caktuar, ne kemi përcaktuar edhe një program konkret për këtë institucion.
Drejtorët e vazhdueshëm të galerisë kanë për detyrë t’i binden kësaj platforme. Aftësia e tyre evidentohet nga realizimi cilësor, dinamik i këtij projekti të përcaktuar tashmë nga shumë faktorë si politikë e artistikë të institucionit. Në mungesë të këtij projekti, ndodh që çdo drejtor vjen me ide personale, shpesh “trendy”, të cilat ngelen qosheve pas largimit të tij dhe grupeve të tij që e ndjekin nga pas.
Dhe në këtë mënyrë ne, vizitorët e zakonshëm, kemi kohë që presim të kuptojmë që ekspozitat e vazhdueshme janë rekomandime nga lart e poshtë, apo rezultat i politikave artistike e profesionale të drejtorëve të vazhdueshëm dhe grupeve, të cilat i ndjekin. E theksoj edhe njëherë, në mungesë të këtyre platformave do vazhdojmë të quajmë politikë kulturore lyerjen e mureve, ndryshimin e dritareve dhe ekspozimin e autorëve sipas “kapacitetit të drejtorit”, apo rekomandimeve nga lart e poshtë.
Po fondi, si e shikoni të ardhmen e tij, pasuria bazë që GKA ka dhe ndoshta e vetmja premisë për t’u bërë muze, sadoqë masa dërrmuese e tij përbëhet nga vepra të realizmit socialist?
Nuk jam në gjendje të them se si do të jetë e ardhmja e fondit. Dikur ka patur një ide, e cila mund të rimerret në konsideratë. Ngritja e një komisioni me specialistë, historianë, kritikë dhe krijues, të cilët mund të bëjnë një rivlerësim të cilësisë së këtij fondi. Ato vepra që do të vlerësohen si të rëndësishme, të jenë pjesë e tij me të drejta për t’u restauruar, mirëmbajtur dhe ekspozuar në bazë të një platforme të ndërtuar nga galeria në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Të tjerat, veprat të cilat nuk i rezistojnë këtij seleksionimi, mund të vihen në shitje, ose të përpunohen forma të tjera ekspozimi, me interes financiar, ku përfitues të jetë vetë GKA.
Në këtë formë, Galeria do ta ketë më të lehtë të menaxhojë një numër më të vogël veprash dhe të sigurojë atyre një mirëmbajtje më cilësore.
Përsa i përket veprave të realizimit socialist, me sa di unë, ato përbëjnë pjesën kryesore të fondit të galerisë. Ato që konsiderohen të rëndësishme është normale të jenë pjesë e këtij fondi. Ne s’duhet të kemi asnjë kompleks për t’i ekspozuar, analizuar etj.
Pavijoni mesjetar është gjithashtu pjesë e diskutimit, duhet, apo nuk duhet të jetë pjesë e muzeut?
Pavijoni mesjetar është vlerë e një periudhe historike dhe mund të ekspozohet në një muzeum, që promovon atë periudhë, ose atë lloj arti. Aktualisht, Galeria promovon artin e ‘900-ës, ose të ashtuquajturin, artin modern shqiptar. Në këtë rast, heqja e këtij pavijoni më duket e drejtë.