E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika kufizon imunitetin, pas 20 vitesh zyrtarët të barabartë para ligjit

Pas 20 vitesh mburojë të hekurt, tashmë zyrtarët e lartë në vend do të jenë të barabartë me qytetarët e thjeshtë përpara ligjit. Në këtë mënyrë palët poltike kanë votuar unanimisht në parlament me 130 vota pro dhe asnjë kundër ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Por palët politike janë ndare jo vetëm me votë por edhe me qëndrime gjatë seancës për sa i pëkret paketës së propozuar nga Partia Socialiste për ndryshimet kushtetuese. Në këtë votim është evidentuar vota abstenuese e katër deputetëve të LSI, e deputetit Kastriot Islami dhe të FRD-së Gazmend Oketa.

Duke folur me herët Kryeministri Berisha tha se paketa e ndryshimecve kushtetuese të propozuar nga PS është një formë e vajtimit të largimit të Topit dhe Spahiut. Ndërsa për kreun e grupit socialist Gramoz Ruci, propozimet e PS-së janë substanciale për reformën në drejtësi, ndërsa akuzoi Kryeministrin se në politikë tjetër gje thotë e tjetër gjë bën.

Gjatë seancës plenare janë shënuar debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës edhe sa i përket ligjit për deklarimin e pasurisë, ndërsa në fund palët votuan me 122 vota pro dhe 2 abstenime ndryshimet në ligj.


Wollfarth mirëpret kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti sot miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, të cilat kufizojnë imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

"I përgëzoj të gjitha palët politike që miratuan sot këtë ligj të rëndësishëm. Të gjithë duhet t`i nënshtrohen Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, përfshirë zyrtarët publikë. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri kur shkelet ligji", tha Wollfarth. "Ndryshimet e miratuara sot nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit".

"Gjithashtu, ftoj për debate dhe konsultime të plota dhe gjithëpërfshirëse, me të gjitha palët e interesuara, në fusha të tjera të rëndësishme, që prekin zemrën e reformës në drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj në këtë proces", tha ai.

Nishani: Klasa politike dëshmoi përgjegjësi në përmbushje të angazhimeve në interes të procesit të integrimit ne BE
 

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nga Brukseli, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, përshëndet votimin sot në Parlament dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve.

"Dëshiroj të përshëndes dhe të vlerësoj aktin e përgjegjshëm të ndërmarrë sot nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për votimin dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve.

Miratimi i këtij ligji të rëndësishëm përveçse përmbush pritshmëritë dhe kërkesat legjitime të qytetarëve shqiptarë, forcon edhe më tej parimin themeltar të barazisë së të gjithëve para ligjit si dhe të paanshmërisë së drejtësisë.

Përmes këtij akti, klasa jonë politike dëshmoi maturi, përgjegjësi dhe aftësi në përmbushje të angazhimeve në interes të procesit të integrimit Europian të Shqipërisë.

Angazhimi i përbashkët i maxhorancës dhe opozitës në këtë proces evidentoi qartë përgjegjshmërinë dhe vlerat e konsensusit në çështje të rëndësishme për interesat e vendit.

Duke i përgëzuar edhe njëherë parlamentarët shqiptarë për këtë akt të përgjegjshëm, dëshiroj t`i nxis dhe t`i inkurajoj ata të vijojnë bashkëpunimin në kryerjen e reformave të domosdoshme përmes dialogut politik dhe konsensusit të nevojshëm " - theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.

Sequi: Inkurajoj forcat politike të përdorin sa më mirë kohën e mbetur përpara publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian
 

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, mirëpriti ngrohtësisht miratimin që Kuvendi i Shqipërisë i bëri sot ligjit që amendon nenet kushtetuese për imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve.

Miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit. Mbështetja që i është dhënë këtij ligji si nga ana e qeverisë ashtu edhe e opozitës është një shenjë inkurajuese për angazhimin më të gjërë për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Ne kemi parë se kur forcat politike shqiptare punojnë së bashku, ato mund të arrijnë rezultate domethënëse për të plotësuar kërkesat e vendosura në Opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 

Duke vazhduar të punojnë së bashku, udhëheqësit politikë të Shqipërisë mund të bëjnë të mundur që vendi të arrijë një masë kritike rezultatesh të nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Unë i inkurajoj të gjitha forcat politike të përdorin sa më mirë të jetë e mundur kohën e mbetur përpara publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian që vlerëson përparimin e Shqipërisë.

Heqja e imunitetit, përparim në rrugën e evropiane të Shqipërisë
 

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka përshëndetur votimin e projektligjit për kufizimin e imunitetit në Parlament. Avokati i Popullit vlerëson se ky ndryshim i Kushtetutës respekton parimin e barazisë pëpara ligjit për të gjithë qytetarët, si dhe përmirëson ndjeshëm përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër korrupsionit.Si një plotësim i detyrimeve në kuadër të integrimit në BE, ky vendim shënon një përpjekje reale për përparim në rrugën evropiane të Shqipërisë. Avokati i Popullit shpreh besimin se ky akt do të ketë ndikim pozitiv në prezantimin e raportit të vlerësimit për Shqipërinë këtë tetor, raport i cili do të shoqërohet edhe me propozimet konkrete për statusin e vendit kandidat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›