E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika mban qëndrim

Ekzekutimi me breshëri automatiku i shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri ka sjellë edhe reagimin e autoriteteve të larta shtetërore dhe politikanëve shqiptarë. Menjëherë pas vrasjes së kryepolicit ditën e djeshme në krye të detyrës ka reaguar kryesocialisti Rama , i cili ka dënuar aktin kriminal. Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ka reguar edhe presidenti Bujar Nishani.
 
NISHANI: AKT KRIMINAL
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shpreh hidhërimin e thellë për vrasjen në krye të detyrës të Kryekomisar Adem Tahiri dhe i përcjell familjes ngushëllimet më të sinqerta në këtë moment të vështirë jo vetëm për ta. Në një mesazh të Kreut të Shtetit thuhet se rënia në krye të detyrës e shefit të Komisariatit të Shijakut është një humbje e madhe për familjen, por edhe për kolegët dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi. 

Presidenti i Republikës e konsideron vrasjen e Kryekomisar Tahirit një akt të rëndë kriminal ndaj forcave të rendit që me përkushtim dhe disiplinë punojnë për garantimin e rendit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve. 

"Presidenti ka bindjen e thellë se pavarësisht egërsisë dhe pabesisë që mund të shfaqin krimi dhe kriminelët, nuk do të munden ta thyejnë forcën e shtetit dhe ligjit, nuk do të munden ta përkulin kurajën dhe trimërinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, nuk do të munden t’i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë". Presidenti Nishani kërkon nga të gjitha strukturat shtetërore që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë dhe të vendosin përpara drejtësisë autorët e saj.

RAMA: KRIMI EPËRSI MBI SHTETIN
Ekzekutimi me breshëri automatiku i shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri ka sjellë edhe reagimin e kryesocialistit Rama. Rama ishte edhe i pari nga politikanët që reagoi duke theksuar se “Vrasja e Adem Tahirit alarm bucitës për epërsinë që ka marrë krimi mbi shtetin dhe pasigurinë e kudondodhur në gjithë territorin e vendit. “Adem Tahirin e kam njohur dhe ishte një djalë nga ata që i quajmë "zotni"! Ngushëllimet më të ndjera për familjen e miqtë në Tropojë e kudo”, reagoi dje Rama në Twitter.

Rama shtoi më tej se, “Dua të ngushëlloj e inkurajoj sot cdo komisar e polic të ndershëm në përballjen me krimin, megjithë kushtet e patolerueshme të punës së vet dhe dua të garantoj cdo qytetar se do t'i japim këtij vendi sigurinë e munguar dhe uniformës blu autoritetin e plotë të ligjit në territori”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›