E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika nderon dëshmorët, Berisha: Ideali i tyre realizohet në BE

Monumenti "Nëna Shqipëri"

Homazhet e Berishës, Topalli, Imamit etj

Drejtuesit më të lartë të shtetit dhe të politikës do të nderojnë sot dëshmorët e kombit me rastin e 5 Maj.

Në orën 10:00, ka nisur ceremonia me praninë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministri, Sali Berisha, ministri i Brendshëm, Arben Imami etj.

Gjatë ceremonisë Topalli, Berisha dhe Imami vendosën kurora me lule në monumentin Nënë Shqipëri në nderim të atyre që kanë rënë në nder të kombit.

Në fjalën e mbajtur në përfundim të homazheve, Berisha u shpreh se dëshmorët flijuan gjithçka për bashkimin e trojeve shqiptare. Kjo, nënvizoi kreu i qeverisë do të bëhet realitet me integrimin në BE.

Kjo është një ditë në të cilën fjalët kurrë nuk mund të shprehin atë që ndien zemra dhe shpirti për të gjithë ata të cilët flijuan jetën, rininë, flijuan gjithçka që ne sot të festojmë 100-vjetorin e Shqipërisë së pavarur të lirë kudo që ndodhemi në trojet tona, u shpreh Berisha.

Ideali i tyre kombëtar ishte liria e kombit. Ata luftuan që trojet shqiptare të jenë të bashkuar. Trojet shqiptare, sot janë të lira dhe në përpjekje që të bashkohen në të ardhmen evropiane që meritojnë.

Në monumentin Nënë Shqipëri kanë kryer homazhe dhe përfaqësuesit e opozitës. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në përfundim të ceremonisë nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat e pranishme. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›