E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Palia: Bashkëpunimi pozitë-opozitë në interes të integrimit

Në kuadër të vizitës që po zhvillon në Shtetin e Vatikanit me ftesë të Atit të Shenjtë, Papa Benediktit XVI, Presidenti i Republikës, Bamir Topi pati një takim sot pasdite me përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant` Exhidios”, Imzot Vinçenco Palia dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie të njohur fetare.

Kreu i Shtetit shqiptar, i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar diskutoi me Imzot Palian dhe drejtuesit e tjerë fetarë për zhvillimet më të fundit dhe situatën në Shqipëri, për reformat e ndërmarra dhe hapat pozitive që janë hedhur me synim marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Evropian nga ana e vendit tonë.

Pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin prej më shumë se njëzetvjeçar të Komunitetit të “Sant` Exhidios” në Shqipëri, Topi vuri në dukje se “zhvillimet e fundit dhe rivendosja e një klime bashkëpunimi si dhe gjetja e mirëkuptimit mes pozitës dhe opozitës për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në Parlament, po i shërbejnë përmbushjes së aspiratës së qytetarëve shqiptarë për integrim evropian.”

Kryetari i Shtetit theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e shtetit ligjor dhe respektimit të institucioneve të pavarura kushtetuese në mënyrë që Shqipëria t`i japë fund tranzicionit të stërzgjatur që po kalon duke u shndërruar në një shtet me demokraci dhe institucione të konsoliduara.

Imzot Vinçenco Palia dhe drejtues të tjerë të bashkësisë vlerësuan rolin e ekuilibruar e të moderuar të Presidentit Topi, duke vënë në dukje rëndësinë e një Presidenti të Republikës, i cili përfaqëson vërtet bashkimin e popullit dhe mbron interesat e qytetarëve.
Presidenti Topi dhe Imzot Palia diskutuan edhe për orientimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit në mënyrë që paqja dhe qëndrueshmëri e fituar tashmë në rajonin tonë dikur aq të trazuar të shërbejë në drejtim të rritjes së mirëqenies dhe begatisë ekonomike për mbarë popujt tanë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›