Berisha: Liria jonë, e ngurosur në gjakun e dëshmorëve

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Dita e Dëshmorëve është përkujtimi i të rënëve të të gjitha kohërave për lirinë dhe integrimin e vendit. Në ceremoninë në memorialin “Nënë Shqipëri”, kreu i qeverisë shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha dhe nga mjaft personalitete të mazhorancës.
“Sot është dita e nderimit dhe përuljes më të thellë para të gjithë atyre që flijuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, rininë për të fituar pavdekësinë në altarin e kombit. Fjalët nuk mund të shprehin atë që ndjen zemra për të gjithë ata që flijuan jetën që ne sot të festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë të lirë në trojet tona. Ideali i tyre kombëtar ishte liria e kombit, sot shqiptarët janë të lirë,kudo që ndodhen. Luftuan që trojet shqiptare të bashkohen, sot trojet tona janë të lira në përpjekje për tu bashkuar me të ardhmen europiane që meritojnë. 100 vjet më parë burra dhe gra u flijuan për pavarësinë, në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët po prapë luftuan me armikun më baraba,r cliruan vendin në kuadër të një koalicioni antifashist botëror. Më pas Shqipëria ra në zgjedhën më të egër që kishte njohur në historinë e saj, duke e shkëputur nga trungu europian”- tha Kryeministri Sali Berisha.
Ai u shpreh se 5 Maji i këtij viti i gjen shqiptarët më të sigurt se kurrë, pas hyrjes në NATO dhe pas marrjes së liberalizmit të vizave.
“Gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve është një thirrje për Shqipërinë dhe shqiptarët, që të nderojë dhe të konsolidojnë lirinë. Pas 100 vitesh sot ne duhet të përulemi me nderimin më të madh 100 herë ndaj atyre që sakrifikuan jetën për lirinë kombëtare. Secili prej tyre që prehet sot në flamurin e kombit, kur vështron vendin e tij që 100 vjet më parë përpëlitej mes ekzistencë dhe nmosekzistencës sheh sot një Shqipëri në NATO, një Shqipëri që rend për të kapur dekadat e humbura që ju grabitën nga diktatura dhe pushtimet”-theksoi Kryeministri.