Politika nderon dëshmorët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, kanë përkujtuar dhe nderuar gjatë ditës së sotme dëshmorët.
Presidenti i Republikës Bamir Topi zgjodhi qarkun e Dibrës për të përkujtuar dëshmorët e atdheut.
Pasi vendosi kurora me lule te Varrezat e Dëshmorëve, kreu i vendit u shpreh se vepra e të rënëve për liri ka në thelb vlerat e patriotizmit dhe të atdhedashurisë.
“Erdha të përkujtoj 5 Majin në Dibër, pasi ky qark shquhet për patriotizëm. Vlerësoj veprën e dëshmorëve që nderohen sot në mbarë Shqipërinë”, tha Topi.
Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës, Rama, i përkujtuan dëshmorët duke vendosur lule në Varrezat e Dëshmorëve.
Kryeministri theksoi sot është dita për të nderuar për të rënët e të gjitha kohërave me një ndjenjë krenarie të veçantë, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur as zgjedhjet lokale, duke thënë se të gjithë shqiptarët duhet të votojnë më 8 maj.
Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka falënderuar dhe ka shprehur mirënjohjen për sakrificat e dëshmorëve të kombit.
“Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të këtij vendi dhe të gjithë atyre që u sakrifikuan për një vend më të mirë. Respekt për çdo veteran të luftës dhe nderim e mirënjohje për çdo njeri që diktatura persekutoi”, u shpreh Rama.