E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemi i Bashës nuk është Flora Hanelli

Nga Bledar Lumani

Mediat pranë qeverisë e injoruan fillimisht ndoshta lajmin më të rëndësishëm të kësaj fushate, reagimin e pedagoges Flora Hanelli ndaj kandidatit të mazhoracnës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, të cilin e cilësoi vrasës. Ishte lajm i rëndësishëm jo se i tha vrasës, por sepse i rrëzoi Bashës komplet fushatën e tij të montuar. Por, siç ndodh rëndom në mediat shqiptare, që nuk japin lajmin, por përgënjeshtrimin, mediat qeveritare një ditë më pas kishin rrëmuar për Flora Hanellin dhe kishin gjetur se ajo ka qenë kandidate në vitin 2005 me Partinë e Gjelbër, e cila drejtohej nga bashkëshortja e Koço Kokëdhimës. Dhe më pas bënë lidhjen: Flora Hanelli është shtyrë nga Koço Kokëdhima për të inskenuar atë skenë. Ndoshta mund të ketë ndodhur edhe kështu- vetë zonja Hanelli ka thënë se reagimi i saj nuk kishte lidhje me pikëpamjet e saj politike.

Por, përpara se të merren me Flora Hanellin mediat dhe analistët e shtabit të Bashës, ndoshta do të bënin mirë që të merreshin me përmbajtjen e këtij akti: cilësimin e Bashës vrasës. Atë që e tha Flora e beson vetëm ajo, apo shumë shqiptarë, të cilët nuk kanë mundësi tia thonë Bashës në fytyrë? Pra, a ka shqiptarë të tjerë që mendojnë si Flora, se Lulzim Basha  është përgjegjës për vrasjet dhe dhunën e 21 janarit? Mjafton të shohësh reagimet e komentuesve në mediat e shkruara, bloge dhe rrjete sociale, për të kuptuar se Flora është vetëm një nga mijëra njerëz që mendojnë se Lulzim Basha është vrasës. E vetmja gjë që bëri Flora, ishte se atë që e mendojnë këta mijëra njerëz, ja tha në sy Bashës. Për këtë duhet vlerësuar, sepse në këtë rast nuk foli vetëm në emër të vet, por edhe të mijëra të tjerëve që mendojnë njësoj si ajo, por që nuk kanë mundësi tja shprehin në sy Lulzim Bashës, për shkak të fushatës së tij të montuar.

Në vend që të merren me biografinë e Flora Hanellin, njësoj si në kohën e komunizimit, edhe pse pretendojnë se janë anti-komunistë të tërbuar, mediat dhe analistët e shtabit të Bashës ndoshta do të bënin mirë që të merreshin me këta mijëra të tjerë që mendojnë si Flora.

Në vend që të na mbushin mëndjen që Flora Hanelli është komuniste, do të ishte më e udhës që tu mbushin mëndjen njerëzve që Lulzim Basha nuk është vrasës.

Për fatin e tyre të keq, ata që e mendojnë këtë gjë janë të shumtë në numër. Dhe këtë, Basha dhe njerëzit që i rrinë nga pas, nuk mund ta mbulojnë apo fshehin me sulmet ndaj Flora Hanellit. Problemi i Bashës nuk është Flora Hanelli, pasi në vend të saj mund të kishte qenë kushdo nga ata mijërat e tjerë që mendojnë njësoj si ajo. Problemi i Lulzim Bashës janë emrat e katër të vrarëve më 21 janar, të cilët i rëndojnë mbi sup dhe për të cilët konsiderohet si përgjegjës nga njerëzit. Dhe këtë peshë nuk mund tja heqin nga supet analistët që ka në krah. Është një peshë që Basha duhet ta mbajë vetë dhe të përgjigjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›