E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika pa kod

OPINION nga-EDI LESI

Në të hyrë të gushtit është bërë zakon që disa gazeta në përpjekje për të mbijetuar në vapën trallisëse, thërrasin në ndihmë disa personazhe, të cilët spikasin ngase shajnë dhe zbulojnë anë të errëta të njerëzve më të rëndësishëm të politikës në vend. Nuk vonoi këtë verë të shfaqej në një të përditshme, një ish-i vjetër, dikur bashkëpunëtor i afërt i Berishës në vitet '92-'97, i cili prej më shumë se një dekade kërkon me forcë të mos harrohet se është gjallë dhe arma që ka në duar është e njëjta. Denonco Berishën, trego gjëra që i di vetëm ai dhe kësisoj sigurohet faqja e parë, pra një shuk i madh me oksigjen për këtë personazh të së...

shkuarës, që të vazhdojë të jetojë edhe ca ditë me lavdinë e dikurshme. Të gjitha zbulimet që bën ky ish, prej vitesh kanë të bëjnë me personalitetin e Berishës. Ai ka pasur detyra të rëndësishme në Qeverinë Meksi për shumë vite dhe normalisht të krijohet ideja se kontestimi i tij duhet të ketë diçka më thelbësore dhe me substancë. Mirëpo të gjitha kritikat e tij kanë të bëjnë me karakterin e Kryeministrit të sotëm, veçanërisht me virtytet e '92-'97. Pra, nëse i shtrydh ato dhjetëra faqe që ky ish bën çdo vit kundër Berishës nuk mbetet në fund asgjë me interes publik, ose që të jetë e dobishme për sot, duke qenë se shefi i dikurshëm i denoncuesit e qeveris sërish vendin. Përveç mllefit personal, vështirë të gjesh tjetër, por kjo është e mjaftueshme për të zënë titullin kryesor në ndonjë të përditshme, sepse anti-berishizmi shet.
Të njëjtën gjë aplikojnë në fakt edhe aktorët e sotëm të politikës. është vënë re se edhe anti-ediramizmi kuotohet lart në bursë. Në të dy kahet sheh se si senatorë të vjetër të partive, por sidomos rioshë egërshanë, socialistë e demokratë ngjiten mbi podiume dhe dërrmojnë shefat e mëdhenj të politikës shpesh me thashetheme e supozime, e rrallë e tek me fakte. I gjithë sulmi përgatitet mirë dhe printohet me germa të mëdha e me fjalor ngjethës, aq sa kur të lexohet para kamerave të jetë likuidues në fund, duke mos i lënë asnjë shans të mëtejshëm rikuperimi integritetit të Berishës apo Ramës.
Të shkakton nganjëherë një gaz të papërmbajtshëm parada blu dhe rozë e deputetëve, të cilët të mbuluar nga një aureolë heroike deklarojnë fjalën e fundit që në krye të herës për udhëheqësin kundërshtar, më pas ulin perden për t'ia lënë vendin të nesërmen kolegut të radhës, i cili ndërkaq po farkëton armë edhe më të rënda, ai i socialistëve kundër Berishës dhe ai i demokratëve kundër Ramës.
Ky elefantizëm politik, ku lojtarë të vegjël kërkojnë të tregojnë se kanë këllqe të mëdha, duke grushtuar drejt e në lule të ballit liderët e rëndësishëm, sa vjen dhe e bën më vulnerabël skenën publike. është sigurisht e njohur se kjo mënyrë e të bërit të politikës, ka jo vetëm lejen e shefave të mëdhenj, por veçanërisht mbështetet në urdhrin e tyre.
Mirëpo, ka ardhur koha të kuptohet se sa e dëmshme është kjo performancë. Antiberishizmi tregoi se jo vetëm nuk solli fundin e Sali Berishës, përkundrazi ndihu në ndërtimin e kultit të tij, çka e bën atë edhe sot e kësaj ditë më populistin dhe më të votuarin ndër politikanë. Kjo përvojë të shtyn të mendosh se të njëjtat fryte do të sjellë edhe anti-ediramizmi. Sado tronditëse të jenë akuzat ndaj tij, nëse orkestrohen keq dhe në mënyrë emotive, e pa fakte bindëse, ato vetëm sa do të rrisin kuotat e Edi Ramës, duke e mitizuar atë si kundërshtar perëndi.
Dhe kjo i siguron shefit socialist një komoditet të domosdoshëm në udhëheqjen e padiskutueshme të partisë së tij. Një shërbim kaq i rëndësishëm, që i vjen krejt falas.
Pos kësaj, nëse politika bëhet kështu një koncept që asociohet me keqardhjen dhe neverinë, pra nëse politika bëhet e padurueshme, atëherë kush është përfitimi i atyre që militojnë dhe drejtojnë në këtë fushë. Sikur njerëzit t'i kthejnë çdo ditë e më shumë kurrizin asaj çfarë deklarohet nëpër seli e podiume, zor se gjen në këtë rast ndonjë fitimtar.
Mund të mbetesh lider partiak dhe shtetëror, por sa vlerë ka kjo kur politika dhe politikanët nuk frymëzojnë më askënd, përkundrazi shkaktojnë mërzi në publik?
Nga ana tjetër, një retorikë dhe artikulim më racional, jo vetëm do të ruante politikën nga të qenit vulnerabël, por do të kursente edhe shumë nga të rinjtë që kanë humbur virgjërinë e tyre që në përplasjen e parë. Edhe në luftërat më të përgjakshme që janë bërë në historinë e njerëzimit, janë respektuar disa rregulla, në mënyrë që sado e mënxyrshme të ishte beteja, ajo të mos e humbte fisnikërinë e saj. Gjeneralët duhet të jetonin, sepse nesër ata do të nënshkruanin paqen.
Mungesa e këtij kodi në politikën e sotme ka krijuar një kaos të vërtetë. Shumë emigrantë që vizitojnë këto ditë Shqipërinë, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë po ndodh. Kur dëgjojnë lajmet çdo ditë, mendojnë se ky është fundi i politikës. Sipas socialistëve, ai që qeveris është i zhytur në përfitime dhe familja e aleatët e tij vendosin për gjithçka në vend, në anën tjetër, sipas demokratëve, shefi i opozitës është më i korruptuari në Ballkan, një i sëmurë patetik, madje edhe i droguar. Nëse këto të dyja qëndrojnë, është pak të bëhet revolucion në vend.
Shumë prej atyre që përballen për herë të parë me këtë realitet, por në fakt edhe më të regjurit nga kjo situatë, pyesin se çfarë po ndodh. Kush është e vërteta? Jo e vërteta sipas Aristotelit, por ajo e fakteve konkrete, që për fat të keq mungojnë.
Në fund, kur besueshmëria ka rënë, na bëhet se ajo çka e dimë me siguri është se më së paku kemi të bëjmë me gënjeshtarë të vegjël e të mëdhenj. Kjo nuk ka se si të mos kujtojë atë shprehjen e famshme tek libri "Gjuetari i Balonave", i Kaled Hosein, ku thuhet se hajduti më i madh është ai që gënjen, sepse të vjedh të drejtën për të ditur të vërtetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›