Politika shqiptare, Maqedoni 2007
Edhe këtu në Maqedoni, Baba Dimri bashkë me dhuratat po bëhet gati t’i bjerë bilbilit për përfundimin e vitit 2007. Mesazhet vërshojnë lum nga të gjitha anët e globit, si mënyra më origjinale për të uruar dhe sensibilizuar njëri-tjetrin për Vitin e Ri. Pa përjashtim, përmbajtja e mesazheve është, urim, inkurajim, nxitje për të qenë më të suksesshëm e të lumtur, solidar dhe të paqtë. Mirëpo paralelisht me këto, patjetër duhet të bëhet bilanci me qëllim që të dallohet e djeshmja nga e ardhmja, ose thënë ndryshe, duhet të përgatitemi për të shikuar përpara. Kryesisht në vendet me demokraci të brishtë, hesapet bëhen në harmoni me kushtet dhe rrethanat objektive. Bie fjala, pensionistët bëjnë llogaritë e fundit të vitit, me shpresën se në vitin 2008 do të rriten pensionet; fëmijët të apasionuar pas lodrave, vënë në sprovë imagjinatën e tyre për lodra; jetimët e të vetmuarit thurin ëndrra; biznesmenëve u “kruhet dora e majtë”, etj. Ndërsa politikanët, kryesisht partitë politike bëjnë përgatitjet stërvitore për të hyrë në ringjet e betejave të pafundme politike. Rëndom, pozita përpiqet të hedhë vështrimin përtej vitit që po lëmë pas, ndërsa opozita mendon për rrotacion pushteti. Sigurisht edhe në kuptimin analitik bëhet një llogari minimale, sikurse komuniteti pretendon më shumë rrugë të asfaltuara, pak ujë të pijshëm me tepër, shpreson më tepër bereqet, më shumë punësime, më pak varfëri, sa më shumë rend, siguri, shëndetësi, arsim, etj. Pra, shikuar në optikën e të gjitha grup-moshave dhe shtresave, në një shoqëri del në pah shpresa për një jetë më të mirë në të gjitha kuptimet.
***
Në memorien e shoqërisë në Maqedoni, veçan komunitetit shqiptar, viti 2007 ka lënë 365 ditë që nuk i ngjanin njëra-tjetrës. Tendenca për të prodhuar krizë dhe antagonizmat e thellë politikë nuk munguan as këtë vit. Ashtu siç e do zakoni, të parët që kapim për xhakete për kritikat dhe mungesat, janë bartësit e pushtetit. Fundja, pesha e përgjegjësisë është katërcipërisht me e madhe sesa e opozitës. Meqë është kështu, atëherë PDSH-ja në Maqedoni, në planin politik dhe atë qeverisës ka qenë nën vëzhgimin e pandërprerë në kuptimin e realizimit të objektivave. Pa mëdyshje që certifikimi i punës së saj 1-vjeçare në qeverisje, meriton vëmendje. Kartolina e parë që mund t’i serviret opinionit si akses optimizmi për vitin e ardhshëm mund të jetë Sekretariati që merret ekskluzivisht me Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Për herë të parë, Marrëveshja e Ohrit është nën hyqmin e një organizmi të posaçëm dhe ka pasur për këtë një rritje buxheti prej 3.5 për qind. Gjithashtu, PDSH-ja ka arritur rritjen e numrit të shqiptarëve në institucionet e sistemit, themelimin e shumë institucioneve kulturore, si Teatri Nacional i Tetovës, Biblioteka Universitare, Galeria e Arteve etj., (meritë të posaçme ka këtu Ministria e Kulturës). Edhe Ministria e Arsimit, drejtuar nga shqiptarë, ka çfarë t’i servirë opinionit: ka arritur të kryejë ndërtimin dhe restaurimin e godinave shkollore, zyrtarizimin e 6 fakulteteve në kuadër të USHT-së, rritjet e numrit të punësimeve në institucionet arsimore, mbulimin me buxhetin e saj të një sërë projekteve me rëndësi shumë të madhe, themelimin e Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptareve etj. Dikasteri i Shëndetësisë dhe ai i Ekologjisë ka gjithashtu përparim të dukshëm qoftë në reforma, po ashtu edhe në përmirësimin e kushteve për komunitetin. (po përmendim sa për numër 18 salla sportive, 22 stadiume, shumë sponsorizime). Edhe në rend, kurba e krimit ka rënie drastike, vjedhjet dhe plaçkitjet janë minimizuar. Në këtë aspekt, partia shqiptare në pushtet ka realisht për çfarë t’i flasë komunitetit.
Sfida e vërtetë për 2008 për partitë shqiptare do të jetë ulja e gjakrave politike, minimizimi i antagonizmave. Zbutja e klimës së përgjithshme politike kërkon domosdoshmërisht pajtimin politik. Thaçi do të kërkojë të arkivohet edhe për vitin 2008, oferta e tij për bashkëbisedim e cila u refuzua disa herë nga lideri i BDI-së. Sfida të 2008-s janë edhe ligji për invalidët e konfliktit të 2001-it, ai i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përfshirë edhe ligjin e posaçëm për përdorimin e flamurit.
***
Në mbyllje të këtij viti, edhe opozita shqiptare në Maqedoni duhet të paraqesë grafikun e saj. Bie fjala, është rritur, apo është tkurrur buxheti në kulturë, janë zvogëluar apo janë shtuar të hyrat publike, është vjedhur apo është investuar, janë ndërtuar institucione apo janë rrënuar, është ngritur barometri i buxhetit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, apo ka pësuar rënie në krahasim me vitet e qeverisjes së saj. Ka pësuar rënie, apo është shtuar numri i vrasjeve në hapësirat shqiptare, është luftuar apo është inkurajuar korrupsioni. Reformat në Arsim, Shëndetësi kanë përmirësuar standardet e qytetarëve, apo i kanë katranosur, ka përparime apo ngecje në pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucionet e sistemit, etj., etj. E gjitha kjo duhet të shoqërohet me nivelin e qeverisjes së tyre, apo me projekte alternative. Por, duke marrë në konsideratë se gjatë këtij viti opozita ka bërë shumë zhurmë për asgjë, vështirë se mund t’ia dalë, për shkak se... mungon lapsi dhe fletorja. Mungojnë iniciativat njëvjeçare, alternativat, vizionet e kështu me radhë. Megjithatë, opozita mund të mbështetet tek retorika, për të hedhur hapin drejt vitit të ri. Do t’u bien trumbetave për pseudo-marrëveshjen e Majit. Do të bëjë be` dhe rrufe` se u qan shpirti për gjuhën dhe Ligjin për Invalidët, do të rreket sërish të kalkulojnë me 2001-in, do të shfrytëzojnë të gjitha asetet e pseudopatriotizmit, duke e rrumbullakuar me pakon sociale… Pak a shumë, kjo do të jetë kartolina e Vitit të Ri që do t’i postohet opinionit. Qofsha i gabuar!