Politika shqiptare mesazhe ngushëllimi për humbjen e Arbën Xhaferit
Maqedoni- Politika mbarëshqiptare ka dërguar mesazhe ngushëllimi për vdekjen e ish-kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare dhe kryetar i kuvendit të përgjithshëm të PDSH-së, Arbën Xhaferi.
Politikani u nda sot nga jeta pas agonisë njëjavore në Spitalin e Shkupit, ndërkohë që vuante nga sëmundja e Parkinstonit që nga viti 2007.
Nishani: Ngushëllime për humbjen e një udhëheqësi vizionar
Ngushëllime për humbjen e Arbën Xhaferit ka dërguar edhe president ii vendit Bujar Nishani, duke e konsideruar atë si një udhëheqës vizionar që vuri ën dispozicion idealet e tij për t`i shërbyer popullit.
Në këtë moment të dhimbshëm më lejoni që në emrin tim, të familjes sime dhe të bashkëkombasve të mi në Republikën e Shqipërisë tju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit dhe babait të dashur, dhe nëpërmjet jush politikanëve për humbjen e kolegut të tyre të vyer, gjithë bashkëqytetarëve të tij në Republikën e Maqedonisë për humbjen e një udhëheqësi vizionar. Arbën Xhaferri vuri në dispozicion idealet e tij për ti shërbyer popullit, lirive njerëzore, demokracisë, bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit dhe gjithë arsenalin e tij shpirtëror dhe intelektual. Si një politikan vizionar ai përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë. Me ikjen e tij, Arbën Xhaferri do të na mungojë të gjithëve, por ai lë pas një shembull dhe eksperiencë që do ta bëjnë të jetë gjithmonë i pranishëm mes nesh. Ndajmë me ju dhimbjen dhe hidhërimin e madh. - thuhet në mesazhin e presidentit Bujar Nishani.
Berisha: Humbëm një nga personalitet më të shquara të dekadave të fundit
“Me ndarjen nga jeta të Arbër Xhaferrit, bota e mendimit dhe elita politike e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit.” -thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kryeministrit Sali Berisha, për ndarjen nga jeta të Arbër Xhaferrit.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në mesazhin e tij të ngushëllimit, Kryeministri Berisha thekson se, vlerat dhe kontributi thelbësor i Arbër Xhaferit janë një trashëgimi tejet e çmuar në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë, që meritojnë mirënjohjen e thellë të të gjithë shqiptarëve, për sot dhe brezat që vijnë.
“Duke ndarë me ju dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për Arbërin tuaj të dashur, mikun tonë të çmuar, liderin, politikanin, parlamentarin, studiuesin që i përkushtoi jetën, mendjen dhe të gjitha energjitë e tij mbrojtjes së lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo në rajon, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe lutem së bashku me ju, që shpirti i madh i Arbër Xhaferrit të gjejë paqen e merituar dhe vepra e tij e ndritur, të frymëzojë shqiptarët, për të shndërruar në realitet, idealet e tij fisnike, njerëzore dhe kombëtare”, përfundon mesazhi i Kryeministrit Berisha
Topi: Arbër Xhaferi ishte një rilindas i kohëve moderne
Ish-presidenti Bamir Topi ka shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e kreut të nderit të PDSH-së Arbër Xhaferi i cili u nda sot nga jeta.
Arbër Xhaferri ishte një intelektual i klasit të lartë. Ishte një rilindas i kohëve moderne. Humbja e Arbër Xhaferrit është humbje kombëtare. Çdo shqiptar ndjen trishtim për filozofin e krijuesin. Fat që e kemi njohur, lexuar e dëgjuar Arbër Xhaferrin,- thuhet ndër të tjera në mesazhin e ish-presidentit Topi.
Rama: Xhaferi shqiptari jotipik që tha të vërteta të mëdha
Kreu i partisë Socialiste Edi Rama ka ngushëlluar menjëherë pas lajmit të vdekjes së Xhaferit familjen e tij dhe ka deklaruar se humjba e tij është humbje e madhe për botën shqiptare. Arbër Xhaferri ishte një shqiptar jotipik që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale. Vdekja e tij një humbje e madhe për botën shqiptare në disa përmasa që vec Arber Xhaferri i mishëronte në një njeri të vetëm. U preht në paqe,- shkruan Rama në Twitter.
Milo: Xhaferi një zë që dëgjohej me respekt
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo,njëkohësisht njëri nga miqtë e të ndjerit Arbër Xhaferri, shprehu keqardhjen dhe vlerësimet e tij për kryetarin e kuvendit të përgjithshëm të PDSH-së. Ishte një zë që dëgjohej me respekt dhe fjala e tij zinte vënd dhe nuk fliste vetëm për shqiptarët e Maqedonisë. Ka qënë në nga përfaqësuesit më të mëdhenj të nacionalizimit pozitiv shqiptar sot,- u shpreh Milo.
AK: Amaneti i Bashkimit Kombëtar është gjallë
Partia Aleanca Kuq e Zi menjëherë pas lajmit për ndarjen nga jeta të kryetaritë të nderit të PDSH-së në Maqedoni, Arbër Xhaferri ka ngushëlluar familjen e të ndjerit për humbjen.
Në mesazhin e ngushëllimit Aleanca Kuq e Zi thekson: Alenca Kuq e Zi i shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe të ndjera familjes së Arbër Xhaferrit për ndarjen nga jeta të Rilindasit të madh të historisë sonë. Aleanca Kuq e Zi shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të mendjes më të kthjellet të politikës në trojet shqiptare. Fjalët janë të shumta për këtë njeri inovator dhe vizionar, – duke shtuar se Amaneti i Bashkimit Kombëtar është gjallë.
PDIU: Humbën një patriot, politikan dhe publicist të madh
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh ngushëllimet e sinqerta për humbjen e patriotit, politikanit e publicistit te madh Arbër Xhaferri. “Humbja e njërit prej udhëheqesve më të palodhur të kombit shqiptar në terësi e të shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti përbën një moment zie në historinë moderne të kombit. Sot të gjithë zotohemi që të çojmë përpara idealet e Arbër Xhaferrit për bashkim.
/IDEA/