E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet Arbër Xhaferi, hemoragjia celebrale i jep fund agonisë 1-javore

Maqedoni- Ka ndërruar jetë sot pasdite Arbër Xhaferri,  kryetari i nderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), si pasojë e një hemoragjie cerebrale.

Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i PDSH, Agon Ferati, ndërkohë që është konfirmuar edhe nga mjeku i tij Sllobodan Damjanoski.

I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja- ka thënë Damjanoski.

Xhaferri ra në gjendje kome para gati 7 ditësh. Shkak u bë një hemorragji cerebrale në tru, që pati mbrëmjen e 8 Gushtit rreth orës 21:00 në banesën e tij në Tetovë.

Gjatë këtyre ditëve Xhaferri u kurua në Klinikën neurokirurgjie në Shkup. Mjekët bënë përpjekje për shpëtimin e tij, ndërsa gjendja shëndetësore e tij sa vinte dhe rëndohej. Edhe pse i ishin vendosur aparate frymëmarrjeje, zemra e Xhaferrit ndali së rrahuri sot pasdite rreth ores 17:00 në spital.  Ferati tha se ceremonia mortore për Arbër Xhaferrin pritet të zhvillohet nesër.

Nesër më 16 Gusht 2012, në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të mbahet mbledhja komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30h për në varrezat e qytetit të Tetovës, raporton agjenisa e lajmeve INA.

64-vjeçari vuante prej Parkinsonit që prej vitit 2007, vit ky kur ai u detyrua të tërhiqet nga politika duke iu përkushtuar publicistikës. Mbrëmjen e të mërkurës së kaluar ai u gjet në banesën e tij në Tetovë ku jetonte i vetëm.

Politika mbarëshqiptare ka dërguar mesazhe ngushëllimi për vdekjen e  ish-kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare dhe kryetar i kuvendit të përgjithshëm të PDSH-së, Arbën Xhaferi.

Politikani u nda sot nga jeta pas agonisë njëjavore në Spitalin e Shkupit, ndërkohë që vuante nga sëmundja e Parkinstonit që nga viti 2007.

Nishani: Ngushëllime për humbjen e një udhëheqësi vizionar

Ngushëllime për humbjen e Arbën Xhaferit ka dërguar edhe president ii vendit Bujar Nishani, duke e konsideruar atë si një udhëheqës vizionar që vuri në dispozicion idealet e tij për t`i shërbyer popullit.

Në këtë moment të dhimbshëm më lejoni që në emrin tim, të familjes sime dhe të bashkëkombasve të mi në Republikën e Shqipërisë tju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit dhe babait të dashur, dhe nëpërmjet jush politikanëve për humbjen e kolegut të tyre të vyer, gjithë bashkëqytetarëve të tij në Republikën e Maqedonisë për humbjen e një udhëheqësi vizionar. Arbën Xhaferri vuri në dispozicion idealet e tij për ti shërbyer popullit, lirive njerëzore, demokracisë, bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit dhe gjithë arsenalin e tij shpirtëror dhe intelektual. - thuhet në mesazhin e presidentit Bujar Nishani.

Berisha: Humbëm një nga personalitet më të shquara të dekadave të fundit

“Me ndarjen nga jeta të Arbër Xhaferrit, bota e mendimit dhe elita politike e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit.” -thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kryeministrit Sali Berisha, për ndarjen nga jeta të Arbër Xhaferrit.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në mesazhin e tij të ngushëllimit, Kryeministri Berisha thekson se, vlerat dhe kontributi thelbësor i Arbër Xhaferit janë një trashëgimi tejet e çmuar në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë, që meritojnë mirënjohjen e thellë të të gjithë shqiptarëve, për sot dhe brezat që vijnë.

Topi: Arbër Xhaferi ishte një rilindas i kohëve moderne

Ish-presidenti Bamir Topi ka shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e kreut të nderit të PDSH-së Arbër Xhaferi i cili u nda sot nga jeta.
Arbër Xhaferri ishte një intelektual i klasit të lartë. Ishte një rilindas i kohëve moderne. Humbja e Arbër Xhaferrit është humbje kombëtare. Çdo shqiptar ndjen trishtim për filozofin e krijuesin. Fat që e kemi njohur, lexuar e dëgjuar Arbër Xhaferrin,- thuhet ndër të tjera në mesazhin e ish-presidentit Topi.

Rama: Xhaferi shqiptari jotipik, që tha të vërteta të mëdha

Kreu i partisë Socialiste Edi Rama ka ngushëlluar menjëherë pas lajmit të vdekjes së Xhaferit familjen e tij dhe ka deklaruar se humjba e tij është humbje e madhe për botën shqiptare. Arbër Xhaferri ishte një shqiptar jotipik që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale. Vdekja e tij një humbje e madhe për botën shqiptare në disa përmasa që vec Arber Xhaferri i mishëronte në një njeri të vetëm. U preht në paqe,- shkruan Rama në Twitter.

Kush ishte Arbën Xhaferi

Arbën Xhaferi ka lindur më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në vendlindje. Ka vazhduar studimet në degën e Filozofisë në Beograd ku ka mbaruar me sukses.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punon në Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës dhe komentator i programit të kulturës. Nga mesi i viteve 1990 është ndër të parët që përjashtohet nga Televizioni nga regjimi i Milosheviçit. Pas kësaj periudhe punon si analist në të përjavshmen “Koha” me editor Veton Surroin, në “Forum” që drejtohej nga Adem Demaçi dhe në disa media të tjera shqiptare përfshirë dhe shumë gazeta prestigjioze në botë.

Do të vijë viti 1993 kur Arbën Xhaferi do të kthehet në vendlindje, tashmë jo si analist, por si politikan. Në vitin 1994 zgjidhet kryetar partie.

PDSH e udhëhequr nga Xhaferi arriti të fitojnë zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Erdhi në pushtet me një strategji krejtësisht te re. Xhaferi njihet si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si një parakusht për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara në atë kohë kundrejt shqiptarëve, por dhe si mjet që mund të ishte efikas kundër ndarjeve territoriale që sot e kësaj dite i kanosen Maqedonisë.

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Xhaferi investohet tek faktori ndërkombëtar që motivet e luftës të mos kërkohen atje ku nuk ekzistonin, pra në Kosovë apo te animet gjenetike të shqiptarëve për rebelim, ashtu siç pretendonin faktorët maqedonas, por te koncepti i shtetit i cili nuk përputhej me realitetin.

Qasja e Xhaferit në atë kohë turbullirash u përkrah më në fund nga faktori ndërkombëtar, duke bërë të mundur legjitimimin e luftës së shqiptarëve, duke nisur kështu maratona e Ohrit, që përfundoi me një marrëveshje për ndërrimin e konceptit etnocentrik të shtetit.

Në zgjedhjet e 15 shtatorit të vitit 2002 Xhaferi kalon në opozitë. Ai mbajti postin e kryetarit të partisë deri në vitin 2007, kur u zëvendësua nga Menduh Thaçi.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›