Enigma e madhe e Hanit. Kush do të luajë në sulm?
Dash Frashëri
24 orë përpara takimit kundër Suedisë, Ari Han duket se po vuan nga një “virozë” që e ka gatuar po vetë. Do të luajë me një sulmues të mirëfilltë, kur në dispozicion ka tre sulmues: një që luan në Serinë A italiane (Bogdanin), një tjetër që aktivizohet në Bundesligën I gjermane (Kapllanin) dhe së fundi, Salihin e Bundesligës I austriake. I ka provuar që të tre në seancat stërvitore, por ende nuk është bindur.
BESIM TE SKUDRA
“Kam shumë besim te skuadra ime se do të luajë ashtu si bëri pjesën e parë kundër Lihtenshtejnit, shumë e organizuar. Mendoj se mund të arrijmë një rezultat të mirë, pasi është i rëndësishëm një start i mirë. Kërkoj të kem një skuadër të tërë në fushë e jo të bazohem të individët. Formacionin që do të zbresë në fushë ende nuk e kam përcaktuar, pasi kemi në dispozicion edhe një seancë stërvitore”. Ky është mesazhi i trajnerit të 19-të në historinë e Kombëtares shqiptare, holandezit Ari Han, në prag të ndeshjes së parë kualifikuese të Botërorit 2010, ajo kundër Suedisë. Han pranoi gjatë konferencës së tij për shtyp se tifozeria do të ndikojë shumë në përformancën e skuadrës sonë, por nuk mendon se ajo do të ndikojë negativisht te lojtarët kundërshtarë: “Të gjithë ata luajnë jashtë dhe kanë shumë eksperiencë, janë mësuar me publik”
SULMUESI ENIGMË
Trajneri e ka bërë të ditur se do të luaj me një sulmues të mirëfilltë, duke i mëshuar më shumë lojës në krahë të mesfushorëve të avancuar me karakteristika ofensive. Por, edhe pse ka pasur në dispozicion pesë ditë stërvitje trajneri Holandez ende nuk e bëri publike formacionin që do të hedhë në fushë kundër Suedisë. Pikëpyetjet më të mëdha kanë të bëjnë me lojtarin e vetëm që do të jetë në sulm. Han është një “dhelpër” e vjetër. “Zyrtarisht nuk mund t’ua konfirmoj. Më duhet të shoh edhe njëherë lojtarët. Kemi ende edhe një seancë stërvitore. Kam tre sulmues në dispozicion (Bogdanin, Kapllanin e Salihin). Nëse do ta përcaktoj që tani, ai ndoshta mund të dëmtohet në stërvitjen e fundit, e më duhet të vendos tjetrin”.
DISIPLINË E FORTË TAKTIKE
Pasardhësi i Oto Bariçit lëshoi një konsideratë jo shumë optimiste përballë nordikëve. “Kërkoj një disiplinë të fortë taktike nga lojtarët. Me skuadrën që kam është paksa e vështirë. Lojtarët individualisht duhet të sjellin rezultate të mirë në funksion të skuadrës. Nëse dikush bën një paraqitje të mirë të mirë personale, por nuk i shërben skuadrës, atëherë, unë si trajner nuk përfitoj aspak. Lojtarët duhet të mësohen, që vetëm kur fitohet ne kemi lojtarë të mirë”. Përballë një skuadre me lojtarë të nivelit të lartë, ish-trajneri i Kinës e Kamerunit pohoi edhe rebusin e tij: “Skuadër ofensive? Varet ç’kuptoni ju. Do të kemi një skuadër me lojtarë ofensivë, apo do të luajmë në mënyrë ofensive. Pasi mund të kesh edhe 7 në mbrojtje e 3 në sulm. Në luajmë në fushën tonë dhe pa dyshim që do të bëjmë një lojë sulmuese”.
SHIGJETA EDHE SKELËS
Ish-partneri i Johan Krujfit e Teo de Jongit (aktualisht ndihmës i Hanit në Kombëtaren shqiptare) sqaroi edhe një herë çështjen (Besart) “Berisha”, duke theksuar se arti i lojës së tij është jashtë konceptit të tij, pasi mbizotëron teprimi i mbajtjes së topit. “Madje edhe Ervin Skelës i kam thënë të njëjtën gjë, në lidhje me mbajtjen e gjatë të topit. I kam thënë se ti nuk luan në një skuadër të mirë (Shqipëria). Nëse je një lojtar i lirë, duhet të bësh më tepër për skuadrën. Vetëm nëse qarkullojmë topin mirë, nuk e teprojmë me veprime individuale atëherë mund të jemi të rrezikshëm. Pak a shumë këtë i kam kërkuar Berishës. Këtë do i kërkoj në vazhdimësi skuadrës”.
SUEDIA KA EKSPERIENCË
Ish-nënkampioni i dyfishtë i Botës me Holandën në vitin 1974 e 1978, vlerësoi forcën e kundërshtarit, i cili ka qenë 11 herë në finalet e një Kampionati Botëror, e madje ka qenë nënkampion i botës në vitin 1964. “Suedia ka eksperiencë, ka lojtarë shumë të vjetër. Lagerbark punon prej shumë vitesh me këta lojtarë (nga viti 2000). Kjo do të thotë se ata e njohin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit me sy mbyllur. Kjo e bën edhe më të vështirë lojën tonë. Suedia është një skuadër të cilin më vështirësi mund ta mposhtësh. Një skuadër e madhe”. Ari Han foli edhe sistemin e ri që ka futur homologu i tij, 60-vjeçari Lagerbak. “Pas shumë vitesh Lagerbak ka menduar të ndryshojë sistemin e lojës, duke aplikuar së fundi 3-5-2. Nuk do të jetë e lehtë për ne për të zbërthyer mesfushën e fuqishme të suedezeve, lojtarë që kanë eksperiencë të madhe e që janë mbi 30-vjeçare”.
ADMIRIM PËR IBRËN
Han, i cili ka drejtuar gjatë karrierës së tij të gjatë si trajner 3 ekipe kombëtare e 10 skuadra klubesh, dashur pa dashur shfaqet si një adhurues i sulmuesit të Interit, Zlatan Ibrahimoviçit dhe pranon forcën e gjigantit suedez, i cili ka shënuar 20 gola në 53 ndeshjen me përfaqësuesen nordike. “Ibrahimoviç është një lojtar që bën përjashtim dhe është shumë i rëndësishëm për Suedinë. Nëse ai do të japë 100 për qind të tij, atëherë nuk ka mbrojtës ta eliminojë. Një lojtar i tillë ka nevojë vetëm për pak hapësirë. Për momentin nuk luan në nivelin e tij. Ne do të përqendrohemi ndaj tij, në mënyrë që ai të marrë sa më pak topa”.
Shqipëria
4-2-3-1
Beqaj; Dallku, Beqiri, Curri, Vangjeli; Lala, Cana; Duro, Skela, Hyka; Salihi (Bogdani)
Beqaj: “I them unë “Jo” Ibrahimoviçit”
Të gjithë për golin. Duke harruar se kush do të frenojë Ibrën me shokë. Por në portë Shqipëria ka një gardian të madh si Arjan Beqaj. Arjan Beqaj ishte heroi i kualifikimit historik të qipriotes Anorthosis Famagusta në Ligën e Kampioneve. Është në formë të mirë dhe e pohon edhe vetë. A do të arrijë ta bllokojë Ibrahimoviçin? “Do të bëj të pamundurën. Është një sulmues i madh dhe padyshim që është problematik”, - thotë gardiani kuqezi.
Arjan, të gjithë mendojë për të shënuar golin kundër Suedisë, ndërkohë ti ke një mision edhe më të vështirë, të mos lejosh që Ibra me shokë të mos shënojë gol në portën e Shqipërisë.
- Në futboll gjërat nuk do t’i shohim individualisht. Përpara se të mbërijnë përpara portës kundërshtarët tanë kanë punë me të gjithë lojtarët e tjerë. Ne jemi një ekip i rritur dhe me përvojë. Të gjithë duhet të luftomë edhe për golin, ashtu si dhe për të mos e pësuar atë. Nëse luftojmë si ekip dhe të gjitha repartet do të bëjnë punën e tyrë, atëherë të jeni i sigurt se Suedia do ta ketë të vështirë të shënojë gol, e ne të marrim rezultat pozitiv.
A do t’i thotë Beqaj “jo, Ibrahimoviçit?
- Do të bëj të pamundurën. Është një sulmues i madh dhe padyshim që është problematik. Unë shpresoj që t’ia vështirësoj sa më shumë gjërat, por për të ndalur atë dhe skuadrat ku ai luan, duhet që edhe ekipet e mia të luajnë mirë dhe të mobilizohen maksimalisht. Suedezët kanë një skuadër të mirë dhe me eksperiencë e ndoshta për këtë unë i quaj edhe favoritë. Megjithatë, në futbollin modern shpeshherë ka surpriza dhe ne do të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.
Si portier mban edhe një rekord për ndeshjet ndërkombëtare për minutat pa pësuar gol. Katër ndeshje zyrtare (Slloveni, Bullgari, dy takime me Luksemburgun). Sa krenar e ndjenin veten?
-Sigurisht për një portier është e rëndësishme kur nuk pëson gol. Ky është qëllimi i të gjithëve. Me vjen mirë që mbaj edhe unë një rekord me ekipin kombëtar. Gjithsesi, meritën e ndaj me të gjithë, duke filluar me mbrojtësit e deri të sulmuesit. Në futboll vetëm kolektiviteti është çelësi i suksesit.
Në grupin e lojtarëve je i vetmi, i thirrur që nga viti 1977. Pas disa ndeshjeve, u “zhdukët” për një farë kohe. Pas ndeshjes me Rumaninë në Euro 2008, edhe pse Shqipëria humbi 2-0 në Tiranë fituat vendin e titullarit fiks.
- Gjithmonë jam munduar më të mirën time me ekipin Kombëtar, atëherë kur më është kërkuar. Jam më shumë se 10 vjet anëtar i përfaqësueses pavarësisht shkëputjeve. Futbolli njeh edhe pengesa në karrierë.
Je votuar si portieri më i mirë i Qipros. Kampion me Anorthosis dhe shqiptari i dytë pas Lorik Canës që merr pjesë në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve. Je përkufizuar si heroi i ekipit.
- Është një moment shumë i rëndësishëm për mua dhe ekipin pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Është ëndrra e çdo futbollisti. Është kompeticioni më i lartë që mund të marr pjesë një klub. Nga ana tjetër jam i kënaqur, pasi për vetëm moshën që kam rastet janë shumë të rralla për të marrë pjesë.
Hyka: “Jemi gati kundër Suedisë”
Jahmir Hyka, rekordmeni shqiptar për golin më të shpejtë ndërkombëtare me fanellën kuqezi, do të jetë në fushë kundër Suedisë. “E pres me emocion të madh takimin. Është ndeshja e parë dhe shpresoj që të marrim një rezultat të mirë. Më duhet të pranoj se është një ndeshje e vështirë, por jo e pamundur. Gol tjetër? Çdo gjë mund të ndodhë, por më mirë t’ia lëmë lojës”, - thotë 20-vjeçari. “Trajneri Han më ka besuar për shpejtësinë e teknikën, shpresoj të jem i dobishëm. Arma ime kryesore është driblimi, por tani jam rritur edhe fizikisht”.
Shehu: “Ja si shënova golin e parë kundër Suedisë”
Ish-futbollisti i Partizani Ylli Shehu është dhe autori i golit të parë shqiptar në portën e Suedisë, në humbjen 1-2 në Tiranë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 1990, një takim i luajtur 20 vjet më parë, më 5 nëntor të vitit 1988. “Ishte një gol që më bëri të njohur. Një gol në ndeshjen time të parë ndërkombëtare. Isha vetëm 22 vjeç- thotë Shehu për gazetën “Albania”. “Sapo kisha ardhur nga ekipi i Shpresave në ekipin e parë, unë së bashku me Lefter Millon. Të dy zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Publiku e media folën shumë mirë. Goli erdhi si pasojë e një dueli shpejtësie me mbrojtësin suedez, ku realizova një gol shumë të bukur. Suedia atëherë kishte tre lojtarë, të cilët luanin në kampionatin italian me Fiorentinën e atëhershme. Kishte shumë emra të njohur në Europë. Më vjen keq, që nuk e fituam takimin, pasi si unë si Arben Minga e Sulejman Demollari patëm shumë raste përpara portës”, - shton Ylli Shehu, i cili tani kryen rolin e trajneri të Skraparit në Kategorinë e Parë.
Në vitin 1994 ka pasur edhe kulmin e karrierës së tij si golashënues në Kroaci. “Arrita të shënoja 22 gola, duke u renditur i dyti si golashënues me Shibenikun në Kroaci. Nëse do të kisha gjuajtur dhe penalltitë dhe të arrijë shifrën 30 gola. Ky ka qenë rekordi im, në Shqipëri s’kam bërë më shumë se 15-16 gola”, - thotë Shehu. Ka pasur gjatë karrierës së tij të gjatë Ylli Shehu. Ai e nisi me karrierën me Partizanin, më pas Greqi me Apollon Athinë, Kroaci me Shibenik, Belgjikë me Cercle Bryzh dhe një skuadër boshnjake.
Mirëserdhët në Tiranë
Mirëserdhët në tempull. Në Tiranë. Në “Qemal Stafa”. Atje ku bashkohet tifozeria kuqezi. Atje ku mëshirohet një fjalë magjike. “O sa mirë më qenë shqiptar”. Shqipëria-Kosova-Ilirida. Tirana-Prishtina-Tetova. “Një komb një kombëtare!”
Bulevardi “Dëshmorët e kombit” është skuqur nga flamujt. Për herë të parë do të jetë në “Qemal Stafa” edhe flamuri zyrtar i Kosovës. Atmosfera është ndezur. Në kërkim të fitores kundër Suedisë. Ashtu si katër vjet më parë mundëm Greqinë, kampionen e atëhershme të Europës.
6 Shtator 2008