E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika të...zhvillimit të varfërisë

Marjon Gorica/qytetar 

-Kohët e fundit Shqipëria po cilësohet si një vend i cili po e zhvillon varfërinë, sikur të jetë ajo diçka në dobi të të gjithëve. Po i jep një përparësi këtij fenomeni dërrmues për shoqërinë. Në të gjitha studimet që bëhen, dihet se shkaqet janë të shumta për rënien në një varfëri kombëtare, kjo ndodhë në disa vende nëpër botë, por mesa duket po ndodhë dhe këtu, ndonëse politikanët tanë shtiren sikur po avancojmë më tej dhe nuk deklarojnë gjithçka. Varfëria shfaqet në shumë mënyra ashtu dhe siç vepron. Para disa vitesh varfëria bënte që shumë të rinj të humbnin jetët e tyre në male me dëborë, të lodhur, por me mendim për të arritur në një nivel më të lartë ndoshta në të ardhmen, duke zgjedhur rrugën e emigrimit në rrugë jo formale. Veprime nga më të shumtat për t’iu larguar asaj gjendje ekonomike që kishte Shqipëria në vitet ’90, por dhe shumë më pas. Të rinj që aspironin, me shpresa për një ndryshim, ndërsa sot çfarë? Çfarë shihet? Çfarë ndodhë? Si veprohet? Asgjë konkrete, gjithçka abstrakte dhe e pa bazë; e pa bazë për vetë faktin e mos rrjedhjes normalisht të gjithçkaje, pasi kudo mbizotëron një dorë e zezë, e cila kërkon të marrë dhe të ketë gjithçka. Ndonëse këtë dukuri e solli politika në vendin tonë, ajo duhet dhe ta heqë atë, por mesa duket është e pamundur dhe sa vjen e zgjerohet si dukuri shqetësuese. Media ndonjëherë pasqyron varfërinë, por shpreh një varfëri më pak të dukshme, njëlloj tragjike sidoqoftë. Kështu pasqyrohet jeta sot, prindër që nuk kanë mundësi të mbajnë me bukë fëmijët dhe jo më të mendojnë për arsimimin dhe edukimin e tyre. Sigurisht, që kjo dukuri ka prekur më së tepërmi sot ata, që politika e cilëson si prioritet: rininë. Ndonëse dikush e gjen një vend pune, merr një rrogë që nuk mbulon as shpenzimet më minimale pasi çmimet po rriten dita ditës. Të matësh varfërinë, pabarazinë, mirëqenien dhe nivelin e jetesës është e vështirë, prandaj këta politikanët tanë nuk duhet të shprehen asnjëherë se jemi një vend i pasur. Ndonëse dikush ka të mira materiale, harron që ato nuk janë të mjaftueshme, sepse shumë njerëz kërkojnë edhe siguri, përkatësi, miqësi dhe dashuri, gjë që po na mungon ne. Kjo është e përditshmja e të varfërve, ku lufta për të mbijetuar, për mirëqenie dhe për dinjitet, mbush jetën, ndërkohë që ka persona, të cilëve i janë mbuluar sytë, në pushtet apo opozitë; që nuk duan të dinë asgjë më tepër, sesa mënyra e tyre për të patur pushtet dhe për ta zotëruar atë në interesa personale. Kjo po ndodh edhe tani më që jemi pranë zgjedhjeve të përgjithshme.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›