E Diel, 1 Nëntor 2026

Solidaritet i papranueshëm me autoritarizmin

Benjamin Abtan/President i Lëvizjes Europiane Antiraciste 

-Tashmë është një fakt: Hungaria nuk është më një demokraci. Presidenti Janosh Ader sapo ka firmosur  dekretin për vënien në jetë të reformave të reja kushtetuese që fshinë edhe atë që kishte mbetur nga forcat opozitare kundër qeverisë. Më qartë: Gjykata Kushtetuese nuk lejohet më të shprehet sa i përket përmbajtjes së ligjeve dhe t’i referohet vendimeve të veta si precedent, çka sjell humbjen e të gjithë pushtetit mbikëqyrës ndaj legjislativit dhe ekzekutivit. Ky shkatërrim sistematik i demokracisë dhe vlerave të saj, ku si pikënisje ishte zgjedhja mazhoritare e Fidesz në vitin 2010, ka marrë jetë për muaj të tërë, madje, para syve të të gjithëve. Sulmi ishte i qartë dhe i vazhdueshëm: kufizimi paralizues i lirisë së shtypit, tutelimi politik i Bankës Qendrore, përfshirja në Kushtetutë e referencave të religjionit kristian dhe të “dobisë sociale” të individëve, si një kusht i domosdoshëm për forcimin e të drejtave sociale, fshirja e fjalës “Republikë” në po këtë Kushtetutë lidhur me përkufizimin sistemit politik të vendit, dënimi i homoseksualitetit, kriminalizimi i të pastrehëve, sulmet kundër të drejtave të femrës, Pandëshkueshmëria që i është akorduar protagonistëve të vrasjeve me sfond racor, fuqizimi i antisemitizmit virulent. Vetëm disa ditë më parë, kryeministri Orban, zyrtarisht dekoroi tri figura kryesore të ekstremit të djathtë: gazetarin Ferenc Szaniszlo, i njohur për shkrimet e forta kundër hebrenjve dhe romëve, të cilët ai i krahason me “majmunët”; arkeologun antisemit Kornel Bakav, i cili akuzon hebrenjtë për organizimin e tregtisë së skllevërve në Mesjetë dhe në fund  “artistin” Petras Janos, i cili nga ana e tij, ka shpallur krenarisht afinitetin e vet me Jobbik milicinë e tij paraushtarake, përgjegjëse për disa vrasje me sfond racist dhe gjithashtu trashëgimtare e Partisë pro-naziste të  Shigjetave të Kryqëzuara (sipas simbolit të partisë, njohur ndryshe edhe si Lëvizja Panhungare(Hungarist Movement)), e cila organizoi asgjësimin e hebrenjve dhe ciganëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky degradim politik na jep një leksion politik të frikshëm. Gjatë shekullit të 20-të,  demokracitë përfaqësuese vuajtën sulmet e dy sistemeve totalitare kryesore-Nazizmit dhe Komunizmit. Në ditët e sotme, në shekullin e 21-të, janë goditjet anti-europiane, ato të nacionalizmit, racizmit dhe populizmit antisemitik, ato që kanë imponuar rrëzimin e demokracive;. në zemër të Europës, falë edhe indiferencës së Bashkimit Europian por edhe shumë qytetarëve apo liderëve. Të obsesionuar nga çështjet e krizës financiare dhe ekonomike dhe duke qëndruar indiferent ndaj vlerave të veta fondamentale të lirisë, barazisë, paqes dhe drejtësisë, BE-ja ka braktisur luftën për të promovuar apo mbajtur demokracinë si sistem politik për vendet anëtare. Në ndryshim nga Rusia e Vladimir Putinit Hungaria nuk ka instrumentet e fuqisë dhe realpolitik nuk mund të invokohet si arsye për këtë dezertim. Derisa Hungaria është e varur shumë nga ndihmat dhe asistencën europiane dhe qëkurse BE-ja dëshmoi se ndihma e saj financiare mund të politizohet në ekstrem, një hapësirë e supozuar manovrimi për BE-në nuk mund të hidhet në përdorim gjithashtu. Arsyeja fondamentale për këtë dezertim të Europës fatkeqësisht është sa e thjeshtë aq edhe shqetësuese: është mungesa e vendosmërisë së qytetarëve dhe liderëve evropianë drejt demokracive përfaqësuese si një sistem politik.  Kjo është arsyeja pse me rizgjedhjen e tij në vitin 2010, Orban ka marrë mbështetje të pandërprerë nga shumë liderë evropianë, sidomos nga ata të familjes së tij politike; kjo është gjithashtu arsye se përse Komisioni Europian nuk përdor asnjë nga instrumentet e vlefshëm-ndonëse ka shumë të tillë-për të forcuar vlerat themelore të BE-së. Për shembull, Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli i Europës, institucione ku shtetet përfaqësohen, mund të veprojnë së bashku, duke zbatuar veprime në frymën e Artikullit nr 7 të Traktatit të BE-së, i miratuar me Traktatin e Amsterdamit në vitin 1997, me synim shmangien e hapave pas në ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë në vendet e BE-së. Artikulli 7 synon të pezullojë të drejtën e vendeve për të votuar në Këshill, në rast të një “dhunimi potencial të vlerave të përbashkëta”.  Në Hungari gjithsesi, faza e rrezikut u tejkalua kohë më parë. Nismat nën Artikullin nr. 7 duhet për pasojë të ndërmerren urgjentisht si një hap i vendosmërisë së BE-së për mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave të saj. Në analogji, shoqëria civile në Europë duhet të vijojë të angazhohet fuqimisht në mbështetje të demokratëve hungarezë të cilët me kurajë po luftojnë brenda vendit. Nëse BE-ja dhe shoqëria civile nuk do të angazhohen  me vendosmërinë e duhur që kërkon shkarja e situatës, ne do të jemi të dënuar të dëshmojmë rënien e shpejtë të demokracisë, në Hungari dhe gjetkë. Nuk mund t’i lejojmë vetes gabime: ajo çfarë është në lojë, është natyra e projektit europian dhe aftësia e Europës për të ruajtur dimensionin tonë më të çmuar dhe të përbashkët: demokracinë. Për dekada me radhë, zgjidhja mes barbarizmit dhe demokracisë nuk ka qenë më e qartë sesa sot. Ne duhet të zgjedhim Europën dhe demokracinë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›