Anija “Rilindja” po merr ujë nga dallgët e provokuara nga Edi Rama
Në të gjithë librin mashtrues, të hallakatur, të zgramatikuar e të çoroditur të Edi Ramës, “Kurbanit”, çuditërisht gjejmë edhe 7 fjalë. Vërtetësinë e tyre s’e luan as topi: “Jam njeriu i transgresioneve dhe i provokacioneve”. E vërteta e kthjellët e këtij libri përqendrohet, pra, vetëm në faqen 284 të tij. Kusuri është i rrëmbushur me rrena. Me kundërthënie e me tema tabù. Shqip: tema të cilave autori u bën bisht, apo ‘argumente’ që i shmang djallëzisht.
Meqë e nisëm shkrimin me këtë libër, që është diametralisht i kundërt me të mëparshmin, “Refleksionet”, do të themi edhe diçka që s’e kemi thënë më parë: 1. Për të dy librat e Ramës, themi se ata u ngjajnë “veprave” të E. Hoxhës, me vetëpërgënjeshtrime të shumta, për të ndryshuar mendimet e mëparshme. Pra, shkruaj e prish, prish e shkruaj. Konkretisht: Tek Enveri, lavde të pakufishme për anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm N.Çlirimtar, Abaz Kupin. Dhe, pastaj, mallkimet e pambaruara kundër tij. Si ky rast ka me dhjetëra: Doemos “Veprat” do të bëheshin karton, kësisoj, që të korrektoheshin në mënyrë që të dilnin “armiq” ata që ishin ekzaltuar më parë e të paraqiteshin, tashmë, fotomontazhe të trukuara, që të zhdukeshin nga fotot e mëparshme personat e anatemuar. Meqë jemi në krahasim ndërmjet “Veprave” të Enverit dhe të dy librave të Edit le të paraqesim edhe një përngjasim tiparesh të tyre: janë të stimuluara të shiten me listë (me detyrim), si të parat, ashtu edhe të dytat. Në këtë mënyrë, na përcillet në kujtesë legjenda e lashtësisë e kullës së Babilonisë. Ato të Enverit mbushën depot e materialeve për t’u grimcuar në brumatriçet e makinerive të kartonit, ose në dhuratat e shpërndarjeve nëpër botë të këtyre farë librave, me anë të lakenjve qylxhinj alla Fosko Dinuçi, propagandistë shterpë të lavdisë së përparimeve fiktive të prosperitetit imagjinar të gjithanshëm të ekonomisë autarkike të vendit tonë të tallonave, që meritoka çmime ndërkombëtare për bollëk ushqimor(!) në vendin tonë…
Por doemos edhe rrenat e Edit meritojnë édhe ato ndëshkimin hyjnor, për hiperbolat qesharake në krehje të bishtit të vetvetes, meqenëse në “Kurbanin” e tij nuk gjendet asnjë fjalë lavduese për të gjithë personazhet e shumtë që gëlojnë në këtë libër. Asnjëri ndër personat e denigruar nuk denjoi t’i bënte një analizë “Kurbanit”. Me një përjashtim. Kolonel Mithat Havari e nxori rrenacak këtë autor gënjeshtar që i grabiti autorësinë e pastrimit të Parkut Rinia dhe kioskave në anët e Lanës, me një argument fare të thjeshtë: Të gjitha fadromat dhe mjetet e motorizuara ishin në posedim të Drejtorit të Policisë Ndërtimore, z. Havari dhe kryebashkiaku i atëhershëm, Rama, nuk mund të rrëzonte ndërtesa betoni me kazma e lopata, siç ishin veglat e propagandës pa duk të E. Hoxhës. Nga ana tjetër, kolonel Havari përmend emra të kryeministrit të kohës dhe të grupit të punës, në të cilin E. Rama kishte detyrën e rregullimit të barit të Parkut Rinia dhe asgjë më shumë! Së dyti, për këtë librin e dytë, “Kurbanin”, me të cilin mburrjet e autorit shkojnë gjer në daljen nga varfëria në parellí sa të blejë pallat 5-katesh, në bashkëpunim me Lindën(!), na bën përshtypje sesi të ndjerit Ardian Klosi, njohës i mirë i gjuhës dhe i standardit të shqipes dhe mik, bashkëpunëtor dhe redaktor i Ramës, nuk i shohim në këtë librin “Kurban” as emrin e recensentit, as bashkëpunimin si redaktor apo korrektor letrar, që të mos mbetej me gisht si libër që ka shkatërruar të gjitha normat e standardit të shqipes së njësuar. A mund të pranonte Ardiani, vallë, shtrembërime fjalësh në neologjizma të shpërfytyruara, si ‘investim që vandalizohet’, ‘banorë të alienuar’, foljen ‘thashethemuar’, ‘hipokriziak’, kodra për të ‘pallatizuar’, zogjtë që dalin për të “kikirikuar’, Gjirokastra, qyteti i ‘measnjtëtëpërngjasuarin’ ndër qytete…, Ballshi i rrethuar nga ‘erafënda’ … e mund të mbusheshin faqe të tëra me këso fabrikimesh si në kovaçhanë! Pa lé fraza me periudha 41 rreshtash, në të cilat të merret fryma të gjesh shenjën pasardhëse të pikësimit. Përmendëm nihilizmin e autorit që vjen nga megalomania. Por kulmi i groteskut është kur e gënjen mendja se e ndaloi krimin me anë të magjisë së bukurisë estetike të ngjyrosjeve (!), për të cilat arkitekti, esteti dhe poeti Petraq Kolevica ka shkruar se ato llangosje, nga ana estetike, janë për të vënë duart në kokë!
Vetëm sa e cekëm kullën e Babilonisë. Shkrimet e lashta të besimit hyjnor shkruajnë për një kullë me mëtimet e një sundimtari ambicioz, që të ikte gjithmonë e më përpjetë në lartësi, gjer sa të takonte Zotin. Ishte një blasfemí. Hyu e ndëshkoi me ndryshimin e gjuhëve të ndërtuesve të shumtë, në duzina gjuhësh të ndryshme. Ata, tanimë, nuk merreshin dot vesh me njëri-tjetrin dhe kulla mbeti pa u ngritur dot më lart.
Kështu duket se po e pëson edhe ekuipazhi i anijes “Rilindja”, në kërcënim të dallgëve të cunamit, që po provokohen nga Haxhi pishmani ynë. Anëtarët e kësaj anieje e kanë humbur busullën. Bajraba, si Barabai biblik për të cilin u kryqëzua Krishti në vend të tij, u diskreditua me turp në Amerikë, duke u zënë si hajdut ordiner, familjarisht, në një supermerkato. Saimir Tahiri duket se u ngarkua nga ustai i tij Edi, që ta bënte hasha, në emër të propagandës socialiste se i kishte njerëzit të përkorë. Nuk vonoi dhe i ati e pësoi më keq se Kosta Barjaba në SHBA. Firmëtarja e Integrimit, Evis Kushi, hyri në PS duke gënjyer si Edi Rama. Përmendores “Post-Bllok”, imiciativë e të palodhurit Lulzim Basha, në bashkëpunim me Fondacionin Federal për trajtimin e diktaturës socialiste, me drejtuese Dr. Ana Kaminskin kundër sundimit totalitar, i janë vjedhur disa struktura metalike nga persona që shkelin e prishin edhe lulet e bordurave të kryeqytetit, nga vandalë që u dhëmb syri të shohin zbukurimin e kryeqytetit në mënyrë të pakrahasueshme me të kaluarën. Pra, cilët janë ata që po lundrojnë në anijen “Rilindja” që po anohet nga dallgëzimet sa majtas, djathtas? Le të kujtojmë faqen 88 të të palexueshmit “Kurban”: “ Tirana e rilindur i bëri qytetarët e Kosovës të krenoheshin për kryeqytetin tonë”. Në cilën kohë? Në atë kohë kur muk bëje dot një xhiro rrethore me makinë para ministrive, se mos dilnin jashtë përdorimit amortizatorët e makinave, në rrugën tërë gropa-gropa, me atë peizazh me pirgje dheu të pasheshuar në qendër të kryeqtetit? Shyqyr që sahati i madh i Tiranës ishte qorr dhe nuk kishte sy të shihte atë mynxyrë që Rama, në megalomaninë e tij, e quan parajsore, në faqen 88!