Politika unike: Tashmë na presin reforma të mëdha
Marrja e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është ndjekur drejtpërsëdrejti nga Kuvendi i Shqipërisë. Pothuajse të gjithë deputetët kanë qenë prezent dje, në sallën e Kuvendit, të cilët kanë shoqëruar me duartrokitje momentin kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, ka deklaruar se Shqipëria merr ftesën për t‘u bërë pjesë e strukturave të NATO-s. Ky moment është përshëndetur më pas nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila në fjalën e saj të shkurtër para deputetëve ka theksuar se "anëtarësimi i Shqipërisë në NATO shënon ndarjen nga tranzicioni politik dhe nisjen e një etape të re në jetën e vendit". Marrja e ftesës për në NATO, dje në Kuvendin shqiptar, është përshëndetur edhe nga përfaqësuesit e partive politike, ku për herë të parë pas kaq vitesh, si pozita, ashtu edhe opozita, kanë ndarë një qëndrim të përbashkët. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, tha se "lajmi për marrjen e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO nuk është thjesht një lajm i bukur, por sot është dita e parë e një sfide të madhe që duhet ta përballojmë të gjithë së bashku, e cila ka në themel shtetin ligjor të së drejtës dhe institucione të forta, që u japin shqiptarëve prosperitet dhe mirëqenie". Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, e ka konsideruar këtë ditë si "një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kombit shqiptar, i cili ka meritën kryesore në përmbushjen e kësaj ëndrre. Këtu nuk duhet harruar merita e Forcave tona të Armatosura, të cilat kanë arritur të realizojnë reforma të vrullshme, në plotësimin e standardeve të kërkuara nga Aleanca". Përfaqësuesi i grupit parlamentar të Qendrës Liberal-Demokrate, deputeti Spiro Peçi, tha se "kjo ditë, nga më të shënuarat në historinë e popullit shqiptar, e meriton të festohet". Peçi ka përshëndetur aktorët kryesorë dhe popullin shqiptar, që kanë shprehur në mënyrën më të vendosur gatishmërinë për t‘u bërë pjesë e këtyre strukturave të rëndësishme. Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, tha se "18 vjet më parë premtuam se ‘do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa‘. Me ftesën që presim të marrim sot jemi në realizimin e gjysmës së këtij premtimi të bërë vite më parë". Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Jak Ndokaj, duke e cilësuar 3 Prillin një ngjarje historike, tha se "marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO nuk ka të bëjë me partitë politike dhe as me punën e njërit apo tjetrit, por ai është një sukses i së gjithë shoqërisë shqiptare". Ndërkohë deputetja e PSD-së, Diana Çuli, e cilësoi këtë moment "një fitore të përbashkët të të gjithë shqiptarëve". Deputeti i PDR-së, Tritan Shehu, tha se "ngjarja e sotme, duke përmbushur një nga aspiratat më të mëdha tona, sanksionon pozicionin perëndimor, demokratik dhe të emancipuar të Shqipërisë". Ndërsa për deputetin e PR-së, Fatmir Mediu, "anëtarësimi në NATO është fryt i bashkëpunimit evropian dhe atlantik i së gjithë shoqërisë shqiptare, të cilët pa mëdyshje e kanë mbështetur këtë proces integrimi".