Ftesa, avantazhe për bankat dhe buxhetin
Ftesa për t‘u anëtarësuar në NATO do t‘i krijojë vendit tonë avantazhe të mëdha në rritjen ekonomike. Gjatë forumit bankar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh se, "ftesa për në NATO është një privilegj, i cili sjell me vete besimin, certifikimin dhe sigurinë për investime të reja për Shqipërinë". Në të njëjtën kohë dhe mbi të gjitha, vijoi Fullani, mbart përgjegjësinë në arritjen e standardeve dhe materializimin e reformës strukturore. Ftesa e sotme për në NATO është garanci për integrimin e mëtejshëm në familjen evropiane. Ndërsa zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, e vuri theksin te politikat e ardhshme fiskale, të cilat do të ndërmerren në përputhje me procesin e anëtarësimit. "Marrja e ftesës për në NATO do të ulë koston fiskale të vendit tonë dhe ka një impakt të drejtpërdrejtë në investimet e huaja", tha Shehu. Zv/ministri sqaroi se, marrja e kësaj ftese, nuk ka kosto ekonomike, kjo ftesë përkthehet në rritjen e mbështetjes për ushtrinë dhe institucionet e sigurisë, masë e cila është marrë që në vitin 2007 nga qeveria shqiptare.