Politikan, apo mjeshtër i manipulimit me popullin?

Filozofi Antik Grek Sokrati, dikur i ka mësuar nxënësit e vet se gjatë kërkimit të së vërtetës, rruga e vetme përmes së cilës duhet të shkohet, është, kurë, së pari, të analizohet dhe vihet në pyetje para vetes çdo bindje që e kemi mbështetur fortë gjer në atë moment
Adnan Abrashi
Sot, profesioni më i kërkuar, më i preferuar
dhe më profitabil në Kosovë, pa dyshim se duhet të jetë ai i politikanit. Te ne
mund të bëhesh politikan i karrierës edhe nëse nuk ke aq shumë dije dhe nivel
të lartë intelektual. Mjafton të jesh i dëgjueshëm dhe gjithmonë servil; të
kesh prirje ti trillosh mirë gënjeshtrat dhe ato tu përshtatësh nevojave
ditore duke besuar edhe vetë në vërtetësinë e tyre (vetë rren dhe vetë kujton
se është përnjëmend). Më pas, edhe kur gënjeshtra të zbulohet, e që dikur
patjetër do të zbulohet, nuk ka problem. E aplikon teknikën e largimit të
vëmendjes së opinionit kah diçka tjetër e parëndësishme. Konkretisht, ta zëmë,
e kurdis promovimin publik të ndonjë investimi, hapjen e ndonjë shkolle apo rruge,
etj.
Në këtë drejtim të shërbejnë mirë edhe mediat tona në dispozicion, e
posaçërisht ato elektronike, të cilat pandërprerë do të transmetojnë lajme
optimiste se te ne gjendja është shumë e mirë, prandaj aspak nuk ka vend për
panik dhe shqetësim. Ato e paraqesin realitetin tonë aq lule dritë, saqë,
të gjithë fillojmë automatikisht të besojmë: Hajt se kjo sështë asgjë! Ka
edhe më keq! Pastaj, mos të harrojmë se aty kemi edhe muzikë, sport, filma,
telenovela... që me dashje, apo pa dashje, na përqendron kahen e vëmendjes sonë
kah bota e iluzioneve të pafundme të fantazisë kreative joreale.
Me sa duket, mu këtu qëndron edhe esenca e realitetit të përditshëm
shoqëror-politik që ne e kemi sot në Kosovë. Dhe, pikërisht, tek fenomeni i
besueshmërisë së verbët ndaj informatave të shumta të servirura nga ana e
autoritetit të caktuar, e posaçërisht atij politik, pa e vlerësuar së pari se
është ajo e drejtë dhe ku shtrihen qëllimet e kurdisura politike të atij
veprimi në prapavijë.
Pse është kështu?
Filozofi Antik Grek Sokrati, dikur i ka mësuar nxënësit e vet se gjatë kërkimit
të së vërtetës, rruga e vetme përmes së cilës duhet të shkohet, është, kurë, së
pari, të analizohet dhe vihet në pyetje para vetes çdo bindje që e kemi
mbështetur fortë gjer në atë moment. Nëse një besim konkret i kalon të gjitha
testet e evidencës, deduksionit dhe logjikës, atëherë, ajo ide mund të
përqafohet si e vërtetë. Në të kundërtën, e njëjta duhet mohuar, ndërsa, më
pas, bartësi i saj duhet ta pyes veten se çka e ka nxitur atë që gjer në atë
moment të mendoj ashtu.
Fatkeqësisht, ky princip sokratian, te ne nuk aplikohet sa duhet as në nivele
më të larta akademike, e lere më në bindjet dhe mënyrën e të menduarit të
masave tona të gjëra popullore.
Ata ekspertë, që e njohin psikologjinë e sjelljes sociale, e dinë mirë se në
terminologjinë profesionale, besimi i tepruar dhe jo kritik i masës së gjerë
ndaj informatave të prezantuara autoritare publike, si fenomen shoqëror, quhet
sindroma leming. Çka nënkupton në realitet ky sindromë psiko-social i
sjelljesh tonë shoqërore?
Lemingët janë një lloj i minjve të vegjël, të cilët, fare pa angazhuar
instinktin e vlerësimit vetjak për rrezik, verbërisht i përcjellin sjelljet dhe
veprimet e minjve tjerë. Kështu, kur njëra prej tyre hidhet nga lartësia në
greminën pa shpëtim vdekjeprurës, ashtu në varg veprojnë të gjithë anëtarët
tjerë të grupit. Ky fenomen krahasues, gjatë analizën së gjendjeve
psiko-sociale të sjelljes së njerëzve në shoqëri, në psikologji njihet si
sindroma leming.
Për njeriun LEMING, në krahasim me popullaritetin e personalitetit qe e thotë
një ide, logjika e shëndosh e cila duhej të qëndron prapa atij besimi, fare nuk
ka rëndësi dhe nuk është në veprim.
Lemingu, që të besoj fuqishëm në diçka,
mjafton që predikuesi i saj të ketë autoritet, edhe pse, në të kundërtën, ky
autoritet mund të jetë i dyshimtë.
Mekanizmi më i përshtatshëm i manipulimit të elitës sunduese me masat e gjëra
popullore, që kanë prirje të shprehur kolektive të sindromës leming, e thamë
edhe më sipër, janë mediet.
Në vazhdim, do tua prezantoj një shembull tjetër, që më bindshëm do tju
vërtetojë këtë konstatim:
Edvard Bernays, magnat dhe udhëheqës i rrjetit më të fuqishëm global informativ
CBS në SHBA, përndryshe, nipi i themeluesit të famshëm botëror të
psikanalizës Sigmund Frojd, në një fragment të veprës së vetë të titulluar
PROPAGANDA, kishte shkruar:
Kur të arrijmë ta kuptojmë mekanizmin dhe motivet e vetëdijes grupore, tek
atëherë është e mundur të kontrollojmë dhe të udhëheqim me masat ashtu sikur na
konvenon neve, e, që, për këtë, ata fare të mos jenë në dijeni
Një manipulim i vetëdijshëm dhe inteligjent me
shprehitë e organizuara dhe opinionin publik të masave, është element tejet i
rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Ata që manipulojnë me këtë element të
padukshëm të shoqërisë, formojnë një qeveri të fshehtë e cila është fuqia që
realisht sundon në pushtetin tonë gati në të gjitha aspektet të jetës sonë të
përditshme, pa marrë parasysh se a ka të bëj me sferat e politikës apo
biznesit, me sjelljen tone sociale apo të të menduarit etnik, ne dominohemi nga
një numër relativisht të vogël njerëzishtë cilët i kuptojnë proceset mentale
dhe sjelljet sociale të masave. Mu këta janë ata që tërheqin litarët e çdo
gjëje që e kontrollon vetëdijen e opinionit
Besoj se pas këtij citimi nuk ka nevojë për ndonjë koment shtesë?
Leming efekti, në një shtet të drejtë dhe vërtet demokratik, mund të ndikojë
pozitivisht në përparimin dhe zhvillimin e mirëfilltë të asaj shoqërie. Andaj,
shikuar më thellësisht dhe anën tjetër të medaljes, lemingiteti si fenomen
shoqëror, gjatë procesit të ruajtjes dhe zhvillimit të një bashkësie njerëzore,
është një virtyt i vlefshëm dhe i nevojshëm i sjelljes sociale, por, sikurse
çdo fenomen tjetër natyror, edhe ky mund të keqpërdoret. Ky keqpërdorim
posaçërisht është i shprehur tek rastet, kur shteti si aparat i fuqishëm i
sundimit me masa, gjendet në duart e njerëzve të gabueshëm dhe amoral, nëse në
atë shoqëri mungon liria e vërtetë e mendimit dhe e shprehjes, nëse vepron roli
dominues i medieve servile të cilat vetëm për pak para të mbijetesës, i
shërbejnë me devotshmëri asaj ane të gabuar që është në pushtet, etj.
Në bashkësitë e organizuara shoqërore që njihen vërtetë si shtete demokratike,
ndonjëherë me mënyra të ndryshme manipuluese, mund të vijnë në pushtet edhe
grupe apo individ të gabuar, të cilët, përmes po këtij leming efekti, do të
tentojnë të instalojnë ndonjë formë antidemokratike të qeverisjes. Por, në ato
shtete, një sistem mandatar i ligjshëm zgjedhor, i jep mundësi popullit të
vetë, që, posa ta nuhasin këtë manipulim, të reagojnë përmes mosdhënies së
besimit në zgjedhjet e ardhshme. Bile-bile, nën mundësinë e realizimit të
presionit për mbajtjen e tyre të parakohshme.
Këtu në Kosovë, është diçka tjetër, sepse, duhet pranuar haptas se ne nuk kemi
ende shtet të mirëfilltë. Sepse, ne nuk kemi liri as demokraci të vërtetë,
prandaj, ky sindromë i natyrshëm psikologjik i masave, gjithnjë keqpërdorohet
krejtësisht për qëllime të tjera...
(*) Dërguar nga autori, qendrimet jane personale