Politikanët francezë, më luksozët në botë. Kryeministri do tua reduktojë të ardhurat
Ditën që Presidenti i Francës, Sarkozi, i njoftoi kombit të tij se kishte vendosur që ta zgjaste moshën e daljes në pension, një nga ministrat e kabinetit të tij “u kap” me një faturë 12 mijë euroshe në vit që i shpenzonte vetëm për puro nga paratë e taksapaguesve francezë.
Shoferi i ministrit Christian Blanc, një herë në muaj merrte rrugën për në periferitë e kryeqytetit për të bërë furnizimin e shefit të tij me puro havane dhe këtë shpenzim të madh vjetor ia faturonte shtetit. Kur një nga anëtarët e stafit të ministrit ia çoi medias faturën vjetore të purove, skandali u bë i madh dhe e gjitha ra mbi Sarkozinë.
Ky është vetëm një nga abuzimet e mëdha financiare të elitës qeverisëse franceze që ka dalë në dritë së fundi, ndërsa politikanëve u është kërkuar që të ulin shpenzimet dhe të thjeshtojnë stilin shumë luksoz të jetesës me të cilin janë mësuar të jetojnë që prej kohësh. Për një vend që ka vendosur të bëjë reduktime në buxhet për të përmirësuar deficitin buxhetor ky rast dhe të tjerë të ngjashëm janë flagrantë. Ndryshe nga sa ka ndodhur në Britaninë e Madhe, pushtetarët francezë shumë rrallë janë pyetur për të dhënë llogari për shpenzimet e tyre me paratë publike. Tani që François Fillon, Kryeministri i vendit po përpiqet që të reduktojë sendet e luksit të ekipit të tij si fluturimet me avionë privatë, pagat e majme, apo limuzinat, publiku i gjerë po e kupton se sa luksoze dhe e pasur ka qenë dhe është sot e kësaj dite jeta e qeveritarëve të vendit. Rama Yade, ministrja e Sportit u kap të bënte një pagesë prej 700 eurosh për një suitë në një hotel në një vend të Afrikës dhe kjo pasi personalisht kishte kritikuar ekipin kombëtar që shpenzonte 500 euro natën për qëndrimin e lojtarëve në hotele gjatë Kupës së Botës. Po këtë javë, 5 ministra janë urdhëruar që të heqin dorë nga pensionet e majme që marrin në pozicionin e ish-parlamentarëve. Ata janë ankuar privatisht se po goditen me pa të drejtë për shkak të shpenzimeve të shfrenuara të politikanëve që vijnë nga provinca që po bëjnë namin me paratë e taksapaguesve. Javën që shkoi, ministrja e Drejtësisë, Michele Alliot Mari, në një intervistë radiofonike deklaroi të ardhurat e saj duke thënë se kishte një pagë prej 144 000 eurosh në vit dhe një pension që e merrte si ish-deputete prej 60 mijë eurosh të tjera. Një deklaratë e tillë as që mund të mendohej më parë. E megjithatë, ajo tha se po të ishte në sektorin privat mund të merrte shumë më tepër. Por privilegjet janë duke i humbur edhe deputetët aktualë. Lideri i Asamblesë Kombëtare deklaroi se politikanët duhet të jenë të parët që duhet t’u bashkohen shkurtimeve që po pësojnë të gjithë.
Përfitimet e francezëve janë jashtëzakonisht të mëdha krahasuar me ato të vendeve të tjera të BE-së. Ministritë e Parisit kanë gjithsej 75 mijë makina me shoferë për shefat dhe funksionarë të tjerë të tyre. Ministrat punësojnë mbi 400 persona dhe këshilltarë të ndryshëm me një pagë mesatare për secilin prej 80 mijë eurosh në vit. Të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar kanë suita luksoze në të cilat akomodohen kur janë në Paris apo në udhëtime jashtë tij plus një staf që u gatuan dhe kujdeset për veshjet për të mos përmendur truprojat.
#