Pollo: Hetim pasurive për zyrtarët vendorë dhe rajonalë

Tashmë edhe bashkëjetuesit e zyrtarëve të lartë të cilëve i kontrollohet pasuria do ti nënshtrohen këtij kontrolli nga inspektoriati i lartë i deklarimit dhe të pasurive. Kështu parlamenti pritet të shyrqtojë dhe më pas të kaloj për votim amendimet e e bëra në ligjin për deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë si dhe në ligjin për konfliktin e interesave. Gjatë një konference për mediat ministri i Inovacionit Genc Pollo tha se këtij kontrolli do ti nënshtrohen gjithahstu edhe zyrtarët vendor dhe rajonalë.
“Këtë javë, komisionet kuvendore fillojnë punën dhe me dy projektligje të propozuara nga Qeveria, të cilat fokusohen tek lufta kundër korrupsionit; e çmoj të nevojshme që të informohet publiku me përmbajtjen e tyre. Do të amendohen Ligji për Deklarimin e Pasurive të Zyrtarëve dhe Ligji për Konfliktin e Interesave; Kjo pas një pune të gjatë të institucioneve tona që kanë përfituar nga asistenca e Këshillit të Evropës” theksoi Pollo.
Ja dy ligjet
1. Ndërkohë që ligji e kërkon deklarimin e pasurisë të familjarëve të ngushtë të zyrtarit në jo pak raste, kjo gjë nuk është bërë prej familjarëve. Projektligji e qartëson detyrimin, ndëshkimin për shkelësit dhe dënimi sipas Kodit Penal për deklarimet e rreme.
2. Përcaktohet detyrimi për të deklaruar çdo shpenzim mbi 5 milionë lekë të vjetra, të cilat ILDKP do t’i kontrollojë përfshi edhe udhëtimet private jashtë vendit për t’i ballafaquar me të ardhurat e deklaruara.
3. Përcaktohet mirë: Personi i lidhur me zyrtarin që i nënshtrohet kontrollit të pasurisë: është “bashkëjetuesi”, sipas Kodit të Familjes, është “I besuari”, pra ai që administron pasuritë e zyrtarëve (sipas ligjit të konfliktit të interesave). Personi i lidhur i nënshtrohet kontrollit ashtu si edhe zyrtari. ILDKP përcakton rast pas rasti, ndër zyrtarët që kontrollohen me short, se cilët janë personat e lidhur me ta.
4. Ndër zyrtarët, që i nënshtrohen deklarimit periodik e kontrollit me short, tanimë do të përfshihen dhe drejtorët në nivel qarku si ai i arsimit, shëndetësisë, ZRPP, etj. Në këto nivele realizohet një numër i lartë e vëllim i madh marrëdhëniesh kontraktuale gjë që e bën të nevojshme këtë hap.
5. Në ligjin për konfliktin e interesave saktësohen e rreptësohen normat e procedurat, si dhe janë përfshirë në të dhe drejtuesit e Pushtetit Vendor.
Në tërësi ILDKP-së i shtohen kompetenca që do të mundësojnë një rol më aktiv me ndjekjen e çështjeve edhe në gjykatë.
Është për tu vërejtur se si pasojë e kontrolleve të ILDKP-së janë gjetur shkelje e janë marrë masa deri në shkarkim nga detyra. Ndër aspektet që nuk kanë funksionuar siç duhet dhe që ILDKP është ankuar shpesh për këtë, është ai i ndjekjes penale, që siç e dimë është përgjegjësi e organit të akuzës. Në tërësi paketa e amendimeve ligjore do të mundësojë një veprim më efikas në këto fusha”
Në mbledhjen e fundit të qeverisë kryeministri Berisha njoftoi për këtë iniciativë të qeverisë, ndërsa konferenca e kryetarëve miratoi kalendarin tre javor të punimeve të tij ku përfshiu edhe miratimin e këtij ligji brenda këtij sesioni parlamentar.