Pollo: ILDKP, hetim pasurive të bashkëjetuesit të zyrtarëve

Lufta kundër korrupsionit të Zyrtarëve të Lartë - amendohet ligji për Deklarimin e Pasurive
Sipas ligjit të ri të përgatitur nga qeveria, edhe bashkëjetuesit e zyrtarëve të lartë të cilëve i kontrollohet pasuria do t’i nënshtrohen këtij kontrolli nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive
Gjatë kësaj jave, komisionet parlamentare do të fillojnë punën me dy projektligje të propozuara nga Qeveria, të cilat fokusohen tek lufta kundër korrupsionit. Më konkretisht do të amendohen ligjet për Deklarimin e Pasurive të Zyrtarëve dhe ligji për Konfliktin e Interesave, pas një pune të gjatë të institucioneve të qeverisë shqiptare që kanë përfituar nga asistenca e Këshillit të Evropës.
Ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo si iniciator i projektligjeve dhe kryesues i Grupit Ndërministror të Punës për “Strategjinë Ndërsektoriale te Parandalimit, Luftës Kundër Korrupsionit e Qeverisjes Transparente”, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se nismat e qeverisë fokusohen tek lufta kundër korrupsionit.
“Do të amendohen Ligji për Deklarimin e Pasurive të Zyrtarëve dhe Ligji për Konfliktin e Interesave. Kjo pas një pune të gjatë të institucioneve tona që kanë përfituar nga asistenca e Këshillit të Evropës. Në tërësi ILDKP-së i shtohen kompetenca që do të mundësojnë një rol më aktiv me ndjekjen e çështjeve edhe në gjykatë. Është për tu vërejtur se si pasojë e kontrolleve të ILDKP-së janë gjetur shkelje e janë marrë masa deri në shkarkim nga detyra. Ndër aspektet që nuk kanë funksionuar siç duhet dhe që ILDKP është ankuar shpesh për këtë, është ai i ndjekjes penale, që siç e dimë është përgjegjësi e organit të akuzës. Në tërësi paketa e amendimeve ligjore do të mundësojë një veprim më efikas në këto fusha”, u shpreh Pollo.
Ndryshimet, sipas zotit Pollo, do të detyrojnë familjarët e zyrtarëve të deklarojnë pasurinë, në të kundërt do të përballen me ndëshkimin sipas Kodit Penal. E njëjta gjë vlen edhe për deklarimet e rreme.
Gjithashtu, tjetër pikë që amendohet është edhe përcaktimi i qartë i “personit të lidhur me zyrtarin” që i nënshtrohet kontrollit, ndryshe “bashkëjetuesi/ja” si dhe përfshirja në kontroll edhe e zyrtarëve dhe drejtorëve vendorë, si drejtorët rajonalë të arsimit apo shëndetësisë etj.
Ndërsa në ligjin për konfliktin e interesave propozohet saktësimi dhe ashpërsimi i normave të procedurës duke i dhënë kompetenca shtesë Institutit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Kompetencat i lejojnë ILDKP-së të ndjekë deri në gjykatë personat që sipas saj janë gjetur me shkelje ligjore.
Amendimet në dy ligjet për hetimin e pasurisë
1. Ndërkohë që ligji e kërkon deklarimin e pasurisë të familjarëve të ngushtë të zyrtarit në jo pak raste, kjo gjë nuk është bërë prej familjarëve. Projektligji e qartëson detyrimin, ndëshkimin për shkelësit dhe dënimi sipas Kodit Penal për deklarimet e rreme.
2. Përcaktohet detyrimi për të deklaruar çdo shpenzim mbi 5 milionë lekë të vjetra, të cilat ILDKP do t’i kontrollojë përfshi edhe udhëtimet private jashtë vendit për t’i ballafaquar me të ardhurat e deklaruara.
3. Përcaktohet mirë: Personi i lidhur me zyrtarin që i nënshtrohet kontrollit të pasurisë: është “bashkëjetuesi”, sipas Kodit të Familjes, është “I besuari”, pra ai që administron pasuritë e zyrtarëve (sipas ligjit të konfliktit të interesave). Personi i lidhur i nënshtrohet kontrollit ashtu si edhe zyrtari. ILDKP përcakton rast pas rasti, ndër zyrtarët që kontrollohen me short, se cilët janë personat e lidhur me ta.
4. Ndër zyrtarët, që i nënshtrohen deklarimit periodik e kontrollit me short, tanimë do të përfshihen dhe drejtorët në nivel qarku si ai i arsimit, shëndetësisë, ZRPP, etj. Në këto nivele realizohet një numër i lartë e vëllim i madh marrëdhëniesh kontraktuale gjë që e bën të nevojshme këtë hap.
5. Në ligjin për konfliktin e interesave saktësohen e rreptësohen normat e procedurat, si dhe janë përfshirë në të dhe drejtuesit e Pushtetit Vendor.