Pollo: Kemi nisur të heqim titujt e pronësisë për zaptuesit e tokaveNga TemaZëvendëskryeministri, Genc Pollo, që drejton Komisionin qeveritar të Tokës, bëri të ditur se kanë nisur që të anulohen tapi dhe të hiqen tituj pronësie për ata që kanë marrë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Pollo: Kemi nisur të heqim titujt e pronësisë për zaptuesit e tokaveNga TemaZëvendëskryeministri, Genc Pollo, që drejton Komisionin qeveritar të Tokës, bëri të ditur se kanë nisur që të anulohen tapi dhe të hiqen tituj pronësie për ata që kanë marrë toka në mënyrë të kundërligjshme duke abuzuar me Ligjin 7501. Ai përmendi disa raste kur janë marrë këto prona.
“Ka pasur raste skandaloze si zaptimi përmes falsifikimit dhe abuzimit të oborrit të shkollës në Libofshë në rrethin Fier ose zaptimi i tokës së parashikuar për varreza në fshatin Dermenas po në Fier. Komisioni vendor pranë prefekturës mori vendimet e duhura duke zbatuar ligjshmërinë, duke ndëshkuar zaptuesit dhe duke i bërë një shërbim të çmuar komuniteteve të Libofshës dhe Dermenasit. Tashmë nxënësve të Libofshës u është rikthyer oborri i shkollës, i zaptuar prej më shumë se 10 vjetësh, ndërsa banorët e Dermenasit do të mund të ndërtojnë varrezën e fshatit në tokën e planifikuar”, - tha Pollo.
Zëvendëskryeministri i ka quajtur zaptues këta persona e tha se aksioni do të vijojë më tej, duke u përqendruar kryesisht në zonat bregdetare.
“Gjithsej deri tani i janë marrë zaptuesve afro 68 mijë m2 (në prefekturën Fier 32 mijë m2, në Vlorë 30 mijë m2 etj). Por me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistike dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundërligjshme. KQT dhe komisionet vendore po punojnë dhe së shpejti priten vendimet e para për duzina hektarësh që do t’iu hiqen zaptuesve. Kështu korrigjohen padrejtësitë e bëra në të shkuarën nga ofiqarë abuzivë dhe nga persona privatë të panginjur. Kështu i kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik, si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish-pronarëve”, - tha Pollo.
Në të vërtetë, me shpërndarjen e tokave sipas Ligjit 7501 janë bërë abuzime të shumta, por askush nuk jep garanci se këto komisione që janë ngritur nën hijen e qeverisë do të jenë të paanshme dhe korrekte në punën e tyre, sidomos kur flitet për prona në bregdet që tanimë e kanë vlerën të shumëfishuar.
Një lajm i rëndë në këtë drejtim mbërriti para pak ditësh, kur në krye të prefekturës së Tiranës u vendos një 30-vjeçar, që meritë të vetme kishte miqësinë e tij të fortë më djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berishën. Keltis Kruja do të drejtojë komisionin që do bëjë verifikimet për qarkun e Tiranës. Kështu ai do ketë në dorë të vendosë për titujt e pronësisë në kryeqytet dhe rrethina, por dhe në zonat bregdetare të Golemit e të Kavajës.