E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e vërtetë e emigrantëveNga Shpëtim Zinxhirija Tragjedia e fundit në brigjet e Italisë shënon dhimbjen e radhës, në mungesë të një politikë të drejtë për emigracionin. As ujërat e deteve apo të oqeaneve nuk mund ta ndalojnë këtë fenomen, i c

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Tragjedia e vërtetë e emigrantëveNga Shpëtim Zinxhirija

Tragjedia e fundit në brigjet e Italisë shënon dhimbjen e radhës, në mungesë të një politikë të drejtë për emigracionin. As ujërat e deteve apo të oqeaneve nuk mund ta ndalojnë këtë fenomen, i cili sa vjen dhe po merr përmasa të mëdha përballë këtyre tragjedive. BE mundohet që ta parandalojë këtë me ushtrinë e përbashkët FRONTEX, po deri më sot tragjeditë regjistrojnë viktimat njëra pas tjetrës duke rritur numrin e tyre në listat e gjata të vdekjeve.

Jemi në fund viti 2009, ku njerëzit vdesin për një jetë më të mirë, vdesin, pasi lufta për të jetuar sapo ka filluar në ujërat e deteve dhe të oqeaneve. Me një indiferentizëm të plotë në hijen e BE apo të OKB, këto tragjedi po shkruhen në faqet e historisë së vendeve të varfra. 21 gushti regjistron thjesht edhe 75 viktima të tjera. Por deri kur?...

Me mentalitetin “larg pjatës sime” indiferentizmi apo më thjesht burokracia në Gjenevë bëjnë sikur nuk njohin tragjeditë e frikshme, nuk njohin ndryshimin klimaterik, nuk njohin varfërinë dhe as luftërat e vazhdueshme në vendet e Afrikës apo të Azisë, që nga Senegali, Çadi, Somalia, Libia etj.

Bëjnë sikur nuk njohin fitimet e miliona eurove nga trafikantët klandestinë në trafikun e qenieve njerëzore. Tragjedia e fundit me 75 emigrantë të vdekur dhe 5 të mbijetuar, nisur nga Libia pranë brigjeve të Maltës për në drejtim të brigjeve të Sicilisë, sapo ka përfunduar. Po ëndrra për këtë udhëtim mbeti ëndërr, pasi edhe sot bota për një jetë më të mirë mbetet vetëm një ëndërr.

Ligji përballë varfërisë mbetet njëkohësisht vetëm ligj, ku nuk gjen zbatim. Në jetë ka të mira dhe të këqija, ku të mirat i përkasin një pakice dhe të këqijat një shumice. Në Nigeri apo Somali njerëzit vdesin nga uria dhe sëmundja, ndërsa në Afganistan njerëzit ikin për të shpëtuar kokën. Koha ka treguar se asnjë polici apo ushtri nuk mund t’i ndalojë dot. Në asnjë rast emigracioni klandestin, zhvendosja tektonike masive nuk është bërë e mundur të ndalohet, ashtu si edhe në këtë rast.

Evropa, një kështjellë e pakapërcyeshme

Evropa e sotme nuk ka asgjë të përbashkët me të kaluarën. Dikur një kontinent emigrues është kthyer sot në një komunitet pritës për emigrantët ekonomikë dhe azilkërkues, por me një ndryshim nga kontinentet e tjera. Emigracioni i sotëm i ndikuar nga ndryshimi klimaterik, mungesa e ujit të pijshëm, varfëria dhe luftërat janë arsyet për zhvendosjen në masë tektonike të popujve të ndryshëm duke zgjedhur një rrugë të përbashkët, rrugën e imigrimit...

Nga vendet e varfra në drejtim të vendeve të zhvilluara, ku shpresojnë nga mashtrimet e trafikantëve për një jetë më të mirë, nën trafikun e paligjshëm kundrejt dhimbjeve njerëzore.

Çdo ditë Evropa e sotme më shumë se kurrë po ndeshet me emigracionin klandestin. Në kufijtë e saj çdo ditë tentojnë të futen 3.000-5.000 emigrantë ekonomikë dhe politikë, kryesisht të ardhur nga vendet afrikane dhe aziatike.

Udhëtimet në mënyrë klandestine me mjete të mbingarkuara kanë treguar se shumë emigrantë janë zhdukur dhe po zhduken në thellësinë e ujërave detare, disa kilometra para se të mbërrijnë në brigjet e Evropës që sot është kthyer në një kështjellë. Por, edhe pse të ndodhur para tragjedive të përditshme, edhe pse çdo ditë humbasin dhjetëra jetë njerëzish, emigracioni klandestin vazhdon, pasi edhe paratë që nxirren nga ky trafik njerëzor janë të mëdha. Evropa sot po ndeshet me realitetin të thurur në legjendë…

Në kërkim të parajsës, 10.000 emigrantë kanë humbur jetën në kufijtë e Evropës.

Në kërkim për një jetë më të mirë çdo ditë në kufijtë e Evropës tentojnë të futen 3.000-5.000 klandestinë, por të paktën 10.000 emigrantë kanë humbur jetën në kufijtë bregdetare të Evropës nga vitet 1993-2008.

Nga këta, 3.500 figurojnë të zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, (ende nuk janë gjendur trupat e tyre pa jetë) të mbytur në ujërat detare apo të oqeaneve. Në Detin Mesdhe dhe në Oqeanin Atlantik, në drejtim të Spanjës kanë humbur jetën 7.000 emigrantë klandestinë. Në ngushticën e Sicilisë humbën jetën 2.200 të tjerë, ndërsa 1316 figurojnë të humbur pa lënë asnjë gjurmë.

Gjatë udhëtimit nga Mauritania, Maroku dhe Algjeria për në drejtim të Spanjës ndërmjet ngushticës të Gjibraltarit, si dhe ishujve Kanarine, ku të paktën 3.098 humbën jetën dhe midis tyre nuk dihet fati i 1.286 njerëzve. Gjithashtu në Detin Egje midis Greqisë dhe Turqisë, humbën jetën 695, nga këta 343 nuk iu dihet fati akoma (ende nuk janë gjetur trupat e tyre pa jetë).

Në Detin Adriatik, që nga viti 1993 kanë humbur jetën të paktën 293 shtetas shqiptarë, si dhe 110 kosovarë. Numri i lartë i viktimave të ëndrrës për një jetë më të mirë i përket 17 vjetëve të fundit. Trafikantët shqiptarë të skafeve dhe gomoneve janë konsideruar si më të “tmerrshmit”, pasi në momentet e ndjekjes nga policia apo Guardia di Finanza, hidhnin gra dhe fëmijë klandestinë në det për të ngadalësuar motovedetat që i ndiqnin, pasi kështu trafiku kthehej në një aksident çasti dhe trafikantëve u jepej rasti t’i shpëtonin arrestimit.

Në Detin Adriatik, midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, kanë humbur jetën 553 persona, si dhe 250 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Po kjo nuk do të thotë se vdekja e tyre erdhi si rezultat i udhëtimit me varka të vogla dhe gomone, por 140 kanë vdekur duke udhëtuar në vaporë dhe tragete të fshehur në hambarët e tyre.

Edhe shkretëtira e Saharës ishte dhe ajo një udhëtim vdekjeprurës për udhëtuesit emigrantë, meqenëse ishte një rrugë e detyrueshme për të dalë në brigjet e Evropës. Emigrantët afrikanë nga njëra anë kalojnë të detyruar me kamionë nga Çadi, Nigeria, apo Mali, ndërsa nga ana tjetër kalojnë nga Libia dhe Algjeria.

Të paktën 1.079 njerëz kanë gjetur vdekjen që nga viti 1996. Sipas thënieve të të mbijetuarve, në çdo udhëtim ekziston një numër i madh i madh viktimash. Kjo do të thotë se numri i viktimave mund të jetë akoma më i madh, pasi ende nuk janë gjetur. Një përgjegjësi për vdekjen e tyre mbajnë trafikantët, të cilët, kur ndeshen me patrullat, përmbysin varkën për të mos rënë në duart e forcave kufitare.

Sikur të mos mjaftojnë këto, nga ana tjetër mes viktimave ekzistojnë edhe qindra e mijëra njerëz, që lihen në mëshirë të fatit nga qeveritë që i dëbojnë Konkretisht, në Liban dhe në disa vende të tjera janë verifikuar shumë raste keqtrajtimi emigrantësh.

Në vitin 2006 organizata “Human Right Watch” dhe organizata tjetër “Afvi”, akuzuan shtetin e Libisë për keqtrajtime, arrestime dhe rrahje në qendrat e pritjes së emigrantëve, në një kohë që tri nga këto qendra “pritjeje” financoheshin nga shteti italian.

Gjatë udhëtimit të ngjeshur si pasagjerë të paligjshëm, 274 emigrantë u gjetën të vdekur në Shqipëri, Francë, Gjermani, Turqi etj. Gjithashtu, 180 njerëz u mbytën gjatë përpjekjes për të kaluar vijat kufitare, ndërsa 108 u gjetën të ngrirë gjatë udhëtimit në malet me dëborë në kufi të Turqisë, Greqisë dhe të Sllovakisë, nga ku 22 emigrantë vdiqën në shinat, nga trenat në tunelin e La Manshit, që po përpiqeshin të shkonin për në Angli. Më 25 dhjetor të 1996 u mbytën në një ditë 283 pakistanezë. Më 23 gusht të 1997 u mbytën 87 shqiptarë me drejtimin për në Itali. Më 16/08/1999 kanë humbur jetën 100 kosovarë dhe 26 shqiptarë.

- 35 të tjerë u qëlluan në mënyrë flagrante nga policia spanjolle dhe nga ajo marokene.

- 53 emigrantë klandestinë u qëlluan nga policia turke, franceze dhe jugosllave.

- 41 emigrantë u gjetën të vdekur në bagazhet e avionëve.

- Kjo është tragjedia e emigrantëve fatkëqij, që të ndjekur nga varfëria dhe mjerimi nuk marrin parasysh vdekjen.

Shqipëria si një vend me një popullsi emigrimi të madh në krahasim me vendet e tjera ka numrin më të vogël të viktimave në krahasim me vendet e tjera. Masat e marra nga qeveria shqiptare në bllokimin e varkave private, si dhe i gomoneve ka ndikuar në uljen e numrit të viktimave, në një kohë kur fluksi i emigracionit klandestin ende është në një shkallë të lartë. Në të kundërt, vendi ynë ka numrin më të madh të viktimave të vrara brenda territorit të Greqisë nga policia dhe qytetarë të saj. Çdo vit rreth 40-50 mijë shqiptarë kalojnë ilegalisht kufirin tokësor për në drejtim të Greqisë.

Në brigjet e Greqisë

Statistikat flasin për një numër të madh emigrantësh klandestinë që figurojnë zhdukur. Emigrimi klandestinë sa vjen dhe po bëhet më problematik për 27 vendet e BE, pasi mijëra emigrantë mbyten në Detin Mesdhe, duke kaluar nga Afrika për në brigjet e këtij komuniteti të kthyer në një “Fortesë”.

Për këtë situatë, vitin e kaluar ministrat e Punëve të Brendshme u mblodhën për të gjetur një zgjidhje të mundshme e për t’i eliminuar këto tragjedi.

Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, është shprehur për nevojën e krijimit të një politike të përbashkët për përballimin e emigracionit klandestin. “Është e pamundur që të kemi 27 politika të ndryshme për emigracionin në Evropë. Një politikë e përbashkët do të duhet të gjendet ndërmjet faktit që të hapin portat për të gjithë, gjë e papërgjegjshme dhe një kthesë në konflikte të brendshme”, - tha ai.

Ministri i Brendshëm i Greqisë, Prokopis Pavlopulos, theksoi: “Emigracioni klandestin mund të jetë një faktor bashkëpunimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis shteteve. Kusht i domosdoshëm është që emigracioni të bëhet në bazën e rregulloreve konkrete. Politika e përbashkët do të thotë, trupë policore e përbashkët, që do të mbrojë kufijtë e BE…

Të dhëna mbi tragjedinë

Duke u mbështetur në List of 11105 documented refugee deaths through Fortress Europe. “UNITED for Intercultural Action”, mësojmë analitikisht se kanë humbur jetën rreth 10.000 emigrantë, në kërkim për një jetë akoma më të mirë.

- Viti 1993, pati 57 viktima, ku 11 prej tyre ishin shqiptarë, që u mbytën më 1 janar të këtij viti, duke shkuar për në Itali.

- 1994, pati 123 viktima, nga këta 17 ishin shqiptarë.

- 1995, pati 192 viktima, nga këta 55 ishin shqiptarë.

- 1996, pati 471 viktima, ku më 25 dhjetor të këtij viti humbën jetën 283, nga këta 3 ishin shqiptarë.

- 1997, pati 344 viktima, nga këta 104 janë shqiptarë. Ky është viti që shënon numrin më të madh të viktimave shqiptare, ku siç dihet më 28 mars të këtij viti humbën jetën 87 shqiptarë që po lundronin nga Vlora për në drejtim të Italisë.

- 1998, pati 548 viktima, ku 61 prej tyre ishin shqiptarë dhe 10 kosovarë.

- 1999 pati 549 viktima, ku 109 ishin kosovarë dhe 59 shqiptarë. Vetëm më 16 gusht të këtij viti humbën jetën 100 kosovarë, ndërsa në dhjetor humbën jetën në një varkë të vogël 78 kurdë që kishin drejtimin për në Itali.

- 2000 pati 686 viktima, ku 9 prej tyre ishin shqiptarë dhe 5 kosovarë. Vetëm më 19 qershor të këtij viti humbën jetë 62 kinezë.

- 2001 kishte 468 viktima, ku 3 prej ishin kosovarë që kishin marrë drejtimin për në Itali.

- 2002 kishte 999 viktima, ku vetëm 3 shqiptarë kanë humbur jetën , ndërsa për një ditë, më 30 nëntor të këtij viti, humbasin jetën 56 libianë që kishin marrë drejtimin për në Itali.

- 2003 pati 1172 viktima, ku më 26 qershor të këtij viti humbën jetën 189 libianë që udhëtonin në drejtim të Italisë, si dhe një shqiptar më 23 nëntor të këtij viti.

- 2004 pati 1047 viktima , ku më 10 janar të këtij viti humbën jetën 26 shqiptarë që kishin marrë drejtimin për në Itali, ndërsa më 2 tetor humbën jetën 75 marokenë, si dhe tunizianë që po udhëtonin për në Itali.

- 2005 pati 684 viktima, ku më 12 mars të këtij viti humbën jetën në këtë ditë 112 që kishin marrë drejtimin për në ishujt Kanarine.

- 2006 pati 2088 viktima, ku vetëm më 12 qershor të këtij viti humbën jetën 250 emigrantë që kishin marrë udhëtimin për në brigjet e Lampeduzës së Italisë.

- 2007 pati 1968 viktima, ku vetëm në një tetor të këtij viti humbën jetën 150 vetë nga Senegali.

Deri më 7 maj të vitit 2008 janë regjistruar 109 të vdekur, ku ndërmjet tyre 52 janë palestinezë.

Një problem për Greqinë është dhe mbetet Turqia, ku numri klandestin që futet në Greqi rritet nga viti në vit. Kështu, në vitin 2007 u futën në territorin grek rreth 100 mijë klandestinë, ndërsa për vitin 2008 numri u rrit në 146 mijë emigrantë ilegalë. Turqia në këtë mënyrë nuk zbaton një marrëveshje për rikthimin mbrapsht të emigrantëve. Turqia mbetet deri më sot burimi i trafikut klandestin, ku dhe viktimat që vijnë nga brigjet e saj nuk kanë të ndalur. Për vitin 2008 Greqia bëri rreth 90.000 ekstradime në vende të ndryshme, ndërsa 18 mijë emigrantë braktisën këtë vend. Muaji dhjetor është muaji që ka më shumë viktima në vdekje. Për vitin 2007 në detin Egje pranë brigjeve të Greqisë humbën jetën 120 emigrantë. Nga viti në vit tragjeditë ndërmjet Turqisë dhe Greqisë nuk mund të përfundojnë ndonjëherë pa ndonjë tragjedi të vërtetë. Më 10 dhjetor të 2006 u mbytën 79 emigrantë të ardhur nga Turqia, ku gjetën vetëm 51 trupa pajetë. Në ishullin Samo të Greqisë numri i përgjithshëm ka shkuar në 2404 në tetë muajt e parë të 2007, kundrejt 1580 të vitit 2006 dhe 455 të 2005. Viktimat në numër të madh janë nga vendet e Afrikës. Numri i viktimave në krahasim me 1993 sot është rritur 6 herë...

Menaxhimi i drejtë i kufijve ul në maksimum edhe tragjeditë

Viti 2006 është viti që ka më shumë viktima, ku 2088 emigrantë humbën jetën, ku 1036 në ishujt Kanarine, për të kërkuar një jetë më të mirë se e mëparshmja. Thellësitë e deteve nga dita në ditë marrin akoma jetë njerëzish, edhe pse vitet e fundit është krijuar një ushtri e përbashkët FRONTEX në BE. Kjo gjë ndikoi që në ishujt Kanarine të bjerë numri i viktimave. Kështu, nga 1035 që ishin për 2006 u ul rreth 75%, në 745 viktima. Në brigjet e Sicilisë ushtria e ashtuquajtur Fortress Europe për 2006 kishte regjistruar 551 viktima, ndërsa për 2007 pati një ulje në 20% , në 302 viktima.

E kundërta ndodh në brigjet e Greqisë, ku nga 2006 që pati 73 vdekje, në 2007 ky numër u rrit në 257 viktima. Vetëm për vitin 2007 arritën të futen nëpërmjet detit Mesdhe rreth 50.000 emigrantë ose më pak se një e treta e 170.000 vendeve të punës, për të cilat kishte nevojë Italia për të mbuluar nevojat në sektorët e ndryshëm.

Në Spanjë menaxhimi i drejtë i kufijve bëri që në këtë vend të kishte 60 për qind më pak dyndje të numrit të njerëzve nga Spanja për në drejtim të Evropës. Nga 1250 njerëz që humbën jetën më 2006, kundrejt 2007 ku humbën jetën 876 njerëz. Brenda vitit 2007 ushtria FRONTEX bëri të mundur të ndalojë rreth 18.000 emigrantë nga Senegali që udhëtonin në drejtim të Evropës. Forcat ushtarake të FRONTEX bënë të mundur që të ulet ndjeshëm numri i emigrimit të paligjshëm, si dhe të evitojë çdo mundësi për ndonjë aksident. Por ndodh që aksidentet ndodhin, në një kohë kur trafikantët zbulohen nga trupat FRONTEX.

Në Portugali pati një ngritje në rreth 8 për qind për sa i përket ndalimit klandestin. Forcat kufitare të këtij vendi, INDALO, për vitin 2006 ndaluan 8 emigrantë, ndërsa një vit më vonë ndaluan 577 emigrantë. Po paralel me forcat kufitare të këtij vendi bashkëvepron edhe FRONTEX në Gjirin e Gjibraltarit që ndalon emigrantët, të cilët i kanë shpëtuar forcave kufitare portugeze, INDALO. Emigrantët vijnë nga Algjeria, Tunizia apo dhe Maroku. Më 2007, në brigjet portugeze humbën jetën 83 njerëz, kundrejt 73 në vitin 2006 dhe 23 në 2005.

Ministri i Brendshëm italian, Giuliano Amato, ka udhëtuar për në Libi, pasi edhe shqetësimi më i madh është ky vend, për të bërë një marrëveshje dypalëshe për ndalimin e trafikimit klandestin. Për vitin 2006 u riatdhesuan rreth 60 mijë klandestinë, ndërmjet tyre gra dhe fëmijë. Po me të njëjtën marrëveshje Italia Franca dhe Greqia kanë vendosur më në fund riatdhesime në masë, ku sipas organizmave për të drejtat e njeriut po shkelen të drejtat e njeriut.

Emigracioni, “fenomeni më i preferuar” i shqiptarëve

Edhe pse po mbushen dy dekada nga rënia e diktaturës komuniste, emigracioni shqiptar mbetet një nga fenomenet më të preferuara të një pjese jo të vogël të shoqërisë shqiptare. Sipas raportit të fundit të “Gallup Balkans Monitor” më shumë se 30 për qind e popullsisë shqiptare kërkojnë të largohen nga vendi, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, në kërkim të punësimit në vendet e tjera.

Raporti vë në dukje se numri më i madh i kërkuesve është te rinia shqiptare, ku rreth 50 për qind e tyre do dëshironin që të emigronin për punësim në vendet e tjera.

Raporti bën të qartë se nuk bëhet fjalë për një emigrim masiv të popullsisë, ashtu siç ndodh në disa vende të tjera, por tashmë ky numër sa vjen dhe po shënon një rënie. Realiteti është se dëshira për të emigruar është pothuajse në të njëjtin nivel.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, Shqipëria ende nuk ka bërë të mundur regjistrimin e emigrantëve, nuk ka bërë të mundur të thotë me gojën plot se sa emigrantë ka dhe ku i ka. Kjo ndodh, pasi plaga e emigracionit vazhdon të rrjedhë çdo ditë. Por, ky fenomen në asnjë mënyrë nuk mund të justifikojë dikasterin përkatës, që akoma nuk ka bërë të mundur regjistrimin e emigrantëve, si dhe hartimin e hartës demografike.

Me gjithë pretendimet e këtij dikasteri pranë Ministrisë së Punës për një rënie në numër të emigracionit, dëshira për të emigruar dhe praktika po qëndron e njëjtë me atë të mëparshmen. Konkretisht, çdo vit emigrojnë në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë rreth 40.000-50.000 shqiptarë.

Emigrantët me të ardhurat e tyre mbajnë familjet, si dhe kontribuojnë në njëfarë mënyrë në ekonominë e vendit. Sipas raportit, 44 për qind e familjeve shqiptare kanë nga një të afërm në kurbet, ku të ardhurat e tyre llogariten në 160 euro në muaj.

Kriza ekonomike kohët e fundit pati ndikim edhe në reduktimin e të ardhurave, duke ulur me 6 për qind…

gazetastart.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›