E Diel, 1 Nëntor 2026

Polonia, mes zisë dhe gjetjes së zyrtarëve për postet e mbetura bosh

Sipas hetuesve moskovitë, tragjedia mund të jetë gabim njerëzor

Autoritetet e larta polake janë marrë dje përveçse me veprimtaritë mortore, edhe me caktimin e personave që do të zëvendësojnë në administratën e lartë shtetërore të vdekurit e rrëzimit të avionit “Tupolev”.

Ndërkaq, zyrtarët rusë, kanë identifikuar dje trupin e bashkëshortes së Presidentit polak, i cili ishte shumë i vështirë që të shquhej pas dëmtimeve të mëdha që kishte pësuar nga përplasja e avionit. Të dielën, arkivoli me trupin e Presidentit është rikthyer në shtëpi. Ndërkaq, për sa i përket viktimave të tjera, vetëm 17 prej tyre janë identifikuar, të tjerat mbeten ende të paqarta. Avioni i vjetër i markës “Tupolev” u rrëzua pasi u përplas me disa pemë në afërsi të aeroportit të Smolenskut të shtunën. Sipas burimeve të deritanishme ruse, gjithçka ka ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor, pasi piloti nuk ka dëgjuar që të mos ulej në aeroport, për shkak të kushteve të këqija të motit. Disa media kanë spekuluar se ka mundësi që piloti të jetë urdhëruar nga Presidenti polak për t’u ulur në aeroport, duke injoruar këshillat e vëzhguesve të trafikut. Por shefi i prokurorëve të Polonisë deklaroi se deri më tani nuk ka pasur asnjë informacion për një fakt të tillë. “Në nivelin e tanishëm të hetimeve nuk kemi ende ndonjë informacion të tillë”, deklaroi shefi i prokurorëve.

Vdekja e shumë figurave kyçe të Polonisë ishte një goditje e madhe për shumë institucione të rëndësishme në vend, që kanë mbetur pa krerët e tyre, megjithatë, sipas analistëve nuk ka asnjë lloj rreziku për vendin 38 milionë banorësh dhe stabilitetin politik dhe ekonomik. Në Poloni, Presidenti ka një fuqi simbolike, por, megjithatë, ai ka të drejtën e votës. Deri tani, këtë të drejtë Presidenti i ndjerë e ka përdorur për një kohë të gjatë, duke pasur shumë mosmarrëveshje me Kryeministrin.

Presidenti në detyrë, Bronislav Komorovski, një anëtar i Partisë së Kryeministrit, që është kundërshtare e Partisë së Presidentit të vdekur dhe një nga favoritët për t’u bërë drejtues i vendit, deklaroi dje se kishte përmbushur detyrat kryesore të axhendës ditore. Një ndër detyrat e tij të para do të jetë vendosja e personit që do të jetë në krye të Zyrës Kombëtare të Sigurisë. Sa i përket spekulimeve për mundësinë e një urdhri të dhënë pilotit për t’u ulur në aeroport nga ana e Presidentit, spekulimet në lidhje me këtë opsion dolën nga një aksident i vitit 2008, gjatë luftës së shkurtër të Gjeorgjisë me Rusinë. Në atë kohë Presidenti polak, i cili po udhëtonte drejt Gjeorgjisë për t’i dhënë mbështetjen Presidentit Sakashvili, u inatos shumë kur piloti i tij refuzoi që të uleshin në Tbilis, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Ngjarja nuk ka pasur asnjë pasojë në tregjet financiare ndërkombëtare, ku monedha vendase ka qëndruar në të njëjtat vlera. Një nga detyrat e menjëhershme të Presidentit në detyrë do të jetë edhe vendosja e datës së afërme të zgjedhjeve presidenciale në vend, që në fakt duhet të ishin mbajtur në muajin tetor. Sipas Kushtetutës, këto zgjedhje duhet të mbahen të paktën deri në qershor.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›