Terrorizmi bërthamor, më i rëndi në rang global
Barak Obama, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paralajmëroi dje se rreziku nga terrorizmi është kërcënimi më i rëndë ndaj sigurisë globale. Në këtë kuadër, ai bëri thirrje që materiali bërthamor të mos bjerrë kurrsesi në duart e ekstremistëve. Në takimin dyditor që do të zhvillohet në Uashington, që është edhe më i madhi i liderëve të botës i drejtuar nga një President amerikan që pas Luftës së Dytë Botërore, Obama do të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar, në mënyrë që të sigurojë që brenda katër viteve çdo gram materiali bërthamor të jetë në duar të sigurta.
Para takimit ai deklaroi: “Kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës afatmesëm dhe afatgjatë është një kërcënim i mundshëm terrorist me armë bërthamore. Kjo mund të ndryshojë peizazhin e sigurisë në këtë vend dhe në të gjithë botën si pasojë. Nëse do të kishte ndonjë shpërthim të përmasave të tilla në Nju Jork, Londër, apo Johanesburg, pasojat do të ishin jashtëzakonisht të rënda politikisht, ekonomikisht dhe për shumë e shumë vjet. Ne e dimë se organizata si “Al Kaeda” janë në procesin e kërkimit të gjetjes dhe posedimit të materialeve bërthamore dhe se nuk do të kishin asnjë lloj problemi apo skrupulli për t’i përdorur”, deklaroi Obama. Takimi i sigurisë bërthamore shënon edhe përpjekjen më të madhe deri tani të Obamës për ushtrimin e një lidershipi të Amerikës në rang global, në një nga temat e tij më të preferuara, atë të çarmatosjes bërthamore dhe kjo përpjekje vjen një javë pas nënshkrimit me Moskën të një traktati shumë të rëndësishëm. Obama pret që shumë liderë të bien dakord në lidhje me kornizën 4-vjeçare, që ai do të paraqesë në një komunikatë përfundimtare, në të cilën do të kërkohet një veprim konkret për të vrojtuar dhe kapur trafikantët e materialeve bërthamore. Gjatë një sërë takimesh të tjera, Obama do të diskutojë edhe për programet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit, që janë zhvilluar pa përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Teherani ka reaguar me agresivitet ndaj takimit, duke njoftuar se aktualisht ishte në gjendje që të pasuronte uraniumin në një shkallë shumë më të shpejtë se më parë. Gjithsesi qëllimi i Obamës është që të përqendrojë përpjekjet e qeverive të vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë takim, që të kenë një kontroll shumë më të rreptë se deri tani të materialeve bërthamore. Pjesa më e madhe e këtyre materialeve mbahet nga industri që janë private dhe se shumë nga vendet në të cilat mbahen lëndët bërthamore nuk kanë masat e duhura të sigurisë.
#