E Diel, 1 Nëntor 2026

Polonia nis përcjelljen e viktimave

Një numër i madh krerësh shtetesh nuk do të marrin pjesë, për shkak të pamundësisë së fluturimit Sot, çifti i parë do të varroset në katedralen e Krakovit

Mbi 100 polakë kanë mbushur dje rrugën kryesore të Varshavës për të përcjellë në banesën e fundit 96 personat e vrarë në aksidentin ajror të një jave më parë, në të cilin humbi jetën edhe Presidenti i vendit. Në ceremoninë e varrimit të tij kanë marrë pjesë disa presidentë, por të tjerë nuk kanë mundur që të mbërrijnë, për shkak të pamundësisë së fluturimit nga hiri i madh që ka përfshirë qiejt e Europës. Ndër personat që nuk morën pjesë në funeral ishin edhe Kryeministri kanadez, Stefen Harper. Sheshi kryesor i kryeqytetit ishte i mbushur me flamuj polakë dhe shirita të zinj në shenjë zie, ndërsa në qendër të tij ishte vendosur një tabelë e madhe me fotot e personave që kanë humbur jetën përfshi edhe fotot e Presidentit dhe bashkëshortes së tij. Emrat e viktimave u lexuan me zë të lartë, duke filluar nga Presidenti dhe bashkëshortja e tij te personat e tjerë që humbën jetën. Në ceremoni morën pjesë e bija e Presidentit, vëllai i tij, Kryeministri i vendit dhe Presidenti në detyrë. “Bota jonë u shkërmoq një javë më parë për herë të dytë në të njëjtin vend”, ka deklaruar Presidenti, duke iu referuar aksidentit dhe masakrës së kryer nga Stalini ndaj polakëve 70 vjet më parë. Sipas tyre, ngjarja e fundit ishte një nga fatkeqësitë më të mëdha që ka pasur Polonia në historinë e saj. Kjo ceremoni ishte e para e ceremonive të parashikuara për dy ditë rresht për t’u dhënë lamtumirën e fundit personave të vdekur nga përplasja e avionit. Ndërkaq, arkivoli i Presidentit dhe gruas së tij u dërguan në katedralen gotike për meshën e darkës të ngarkuara mbi shtratin e topit dhe të shoqëruara nga rojet e ushtrisë. Pas meshës, trupat e tyre kanë fluturuar për në qytetin e Krakovit në bordin e një avioni ushtarak për funeralin shtetëror. Që nga e marta trupat e Presidentit dhe gruas së tij kanë qëndruar për homazhe në pallatin presidencial. Gjatë këtyre ditëve, shumë polakë kanë kryer homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-presidentit. Funerali shtetëror për çiftin e parë është programuar për ditën e sotme, por disa liderë botërorë nuk do të mund të vijnë, për shkak të ndalim fluturimeve të shkaktuara nga hiri i vullkanit në Islandë. Ndër liderët që deri më tani kanë konfirmuar mospjesëmarrjen e tyre është Mbreti i Suedisë, Presidentja e Finlandës, Kryeministri i Spanjës dhe Mbreti i Spanjës. Për sa i përket Presidentit Obama, ai ende është në pritje të përmirësimit të kushteve, ndërkohë që Presidenti Medvedev ka deklaruar se ai do të marrë pjesë. Presidenti francez, pavarësisht kushteve shumë të vështira, ka deklaruar se do të bëjë çmos që të ndodhet në ceremoni. Të tjerë presidentë, kryesisht të vendeve fqinje, kanë planifikuar që të mbërrijnë në Poloni me makinë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›