Kabllot për në Itali, asnjë licencë nga TERNA
Enti Rregullator i Energjisë njoftoi së fundmi se dy nga kompanitë që kanë marrë licenca për ndërtimin e linjave nëndetare të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Italisë, nuk kanë arritur të sigurojnë licencat përkatëse nga autoritetet italiane, gjë që duket se ka bllokuar edhe projektet për ndërtim parqesh eolike dhe termocentralesh me bionaftë.
Kompania "Biopower Green Energy" sh.p.k., si dhe kompania ALBANIAN GREEN ENERGY SHPK, kërkuan pranë ERE-s shtyrjen e afatit për fillimin e punimeve, pasi raportuan se nuk kanë arritur të sigurojnë autorizimin për ndërtimin e një linje tregtare energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë nga ana e autoriteteve italiane. ERE vendosi t’u japë një afat të dytë këtyre kompanive.
“Duke konsideruar kompleksitetin e problematikës që i licencuari ka hasur për fillimin e punimeve për ndërtimin e centraleve, TEC me biomasë të lëngshme, për shkak se ende nuk ka marrë autorizimin e linjës tregtare nga pala italiane, duke qenë se ndërtimi i linjave të interkonjeksionit, përveç etapave administrative në të cilat kalon çdo projekt, përbën akoma një teknologji jo shumë të njohur në vend dhe që kërkon asistencën teknike të huaj”, argumenton ERE në njërin prej vendimeve për shtyrjen e afatit të fillimit të punimeve.
Linjat e interkonjeksionitQeveria shqiptare i ka dhënë licencë çdo kompanie që ka mbërritur në Shqipëri dhe ka kërkuar një licencë të tillë. Secila prej licencave për interkonjeksion 400 kv kushton afërsisht gjysmë miliardi euro dhe teorikisht do të përdoret për të dërguar në Itali energjinë elektrike që do të prodhohet në Shqipëri. Por në Itali, autorizimet e kësaj fushe nuk janë aq të lehta për t’u marrë sa në Shqipëri. Vetë rrjeti italian i transmetimit të energjisë, TERNA, ka deklaruar publikisht se dëshiron të ketë gjithsej vetëm tri linja interkonjeksioni me Ballkanin, nga një me secilin prej vendeve të Adriatikut. Por vetëm Shqipëria në vitet e fundit ka dhënë pesë licenca të tilla.
Mbeten në ajër edhe parqet eolikeMungesa e një linje transmetimi mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe fakti që autoritetet e përtej Adriatikut nuk janë bindur ende për të dhënë një licencë, i bën të pavlera projektet e shumëreklamuara për ndërtim impiantesh të energjisë së rinovueshme në Shqipëri nga investitorët italianë. Kompani të ndryshme italiane dhe italo-shqiptare kanë premtuar realizimin e shtatë projekteve për energjinë e erës me investim total prej afro 2 miliardë eurosh, si dhe ndërtimin e një termocentrali që duhet të punojë me bionaftë, projekt që kërkon disa qindra milionë euro investime të tjera. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe ai italian Silvio Berluskoni, kanë ofruar në disa raste spektakël publik gjatë dy viteve të fundit, duke marrë pjesë në ceremonitë e firmosjes së koncesioneve për këto investime. Në dhjetor 2008, në një ceremoni të tillë për ndërtimin e një parku eolik në Karaburun, dy kryeministrat premtuan se brenda një viti do të nisin punimet dhe brenda vitit 2014 projekti do të përfundojë. Disa muaj më vonë, një ceremoni e ngjashme u zhvillua për projektin e termocentralit me bionaftë në Lezhë. Por deri më sot, duket se e vetmja punë që është bërë ka qenë shtyrja e afateve të licencave.
#