E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Qytetarët të pajisen me letërnjoftim, ndryshe s’ka shërbime



Ministria e Brendshme nis punën zyrtarisht për të lëshuar kartat e reja të identitetit ose letërnjoftimet e reja. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi dje se pas datës 12 janar, çdo qytetar mund të drejtohet në zyrat e pushtetit lokal për të aplikuar për letërnjoftimin. Ai bëri thirrje për qytetarët që të aplikojnë, ndryshe do të përballen me sanksione të rënda. Çdo shtetas mbi 16 vjeç duhet të pajiset me letërnjoftimin dhe në rast se e neglizhon atë, ai nuk do të përfitojë asnjë shërbim nga shteti, si dhe i ndalohet edhe largimi nga vendi. Kostoja e një letërnjoftimi është 12 mijë lekë të vjetra për çdo qytetar. “Vendimi synon që po kaq detyrues është aplikimi për këtë dokument për shtetasit mbi 16 vjeç. Aplikimi për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike kryhet në zyrat e regjistrimit pranë bashkive, komunave, njësive bashkiake përkatëse. Aplikimi kryhet për personat që kryejnë pagesën dhe disponojnë mandatarkëtimin përkatës për çdo dokument. Pagesa kryhet në zyrat e postës ose në zyrat e financës të institucioneve përkatëse”, - tha Poni. Sanksioni detyron gjithashtu edhe emigrantët shqiptarë me pajisjen me këtë dokument në të kundërt ata nuk do të lejohen të kalojnë territorin shqiptarë pa pasur kodin e aplikimit për kartën. Sipas zëvendësministrit Poni, nisur nga sasia e stacioneve të aplikimit në të gjithë Shqipërinë janë 400 të tilla, kapaciteti për aplikim për kartat në një ditë është deri në 25 mijë shtetas.

Letërnjoftimi

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, shpjegoi dje rëndësinë e letërnjoftimit të ri. Ai theksoi se me anë të këtij dokumenti çdo shërbim do të unifikohet dhe qytetarët do të kenë në dorë një dokument identiteti me të gjitha masat e sigurisë. “Në karta do të jenë edhe gjurmët e gishtërinjve”, - tha Poni, duke vënë në dukje elementet e sigurisë që ka dokumenti i ri. Poni numëroi edhe sanksionet për të gjithë qytetarët që nuk aplikojnë për të marrë letërnjoftimin. Në mënyrë kategorike, askush nuk do të përfitojë asnjë shërbim nga shteti në rast se nuk e merr këtë dokument. Nuk do të paguhen pagat, pensionet si dhe nuk do të mund të regjistrohesh në shkolla, të aplikosh për punë apo nuk do të mundesh as të largohesh nga shteti pa pasur këtë letërnjoftim. Poni tha se këto sanksione hyjnë në fuqi në datën 1 shkurt, duke lënë vetëm 20 ditë kohë për shtetasit që të aplikojnë për kartën e re. “Për transparencë dhe për të pajisur çdo shtetas me të paktën një dokument identifikimi, vendimi ka përcaktuar se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u dërgon jo më vonë se data 31 janar 2009 të gjitha bashkive, komunave, njësive bashkiake, listën përkatëse të shtetasve me të drejtë vote që nuk janë të pajisur me pasaportë. Njësia përkatëse e bën listën publike dhe njofton shtetasit e kësaj liste për të aplikuar me përparësi për letërnjoftim. Të gjitha institucionet shtetërore, qendrore apo vendore, marrin masa që pagesa për aplikimin për letërnjoftim për punonjësit e tyre të kryhet brenda institucioneve përkatëse”, - deklaroi Poni. Ai u shpreh optimist se ky proces do të përfundojë përpara datës së zgjedhjeve, duke bërë të mundur realizimin e një prej kushteve më të rëndësishme, pajisjen e qytetarëve me karta të reja identiteti të sigurta para zgjedhjeve të 2009-ës.

Sanksionet

22 ditë kohë për të aplikuar për letërnjoftimin e ri

Shtetasit, të cilët janë të detyruar të pajisen me letërnjoftim dhe që mbushin moshën 18 vjeç, më 28 qershor 2009, që nuk aplikojnë për t'u pajisur me letërnjoftim, nuk do të përfitojnë shërbimet e mëposhtme:

-pagesa ose shpërblime për të gjithë personat fizikë të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe personat e punësuar në shoqëri, agjenci apo ente shtetërore, qendrore apo vendore, nëse nuk kanë aplikuar deri më 25 shkurt 2009

-pagesa apo shpërblime për pensionistët, nëse nuk kanë aplikuar deri më 25 mars 2009

-pagesa për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore, nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 prill 2009

-pranimin në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, pjesëmarrësit në konkurse apo gara të ndryshme të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 mars 2009

-pajisja me pasaportë për jashtë shtetit

-shërbimin në zyrat e gjendjes civile

-lëshim ose rinovim të lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor

-nuk do të lejohen të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë

-aplikimi dhe pajisja me certifikatë pronësie nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme

-aplikimin dhe lëshimin e dokumentit ''Leje drejtimi automjeti'' dhe kolaudimin e tyre

-lëshimi i vërtetimeve dhe dokumenteve të tjera të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore

-shërbimet noteriale

-shpërndarja e karburantit pa akcizë për fermerët

-shërbimi nga zyrat e Alba-Postës

-për shërbimet e parashikuara nga pikat 5 e në vazhdim, afatet fillojnë të zbatohen nga data 1 shkurt 2009.

LSI, Vasili: Qeveria të japë falas 1 milion letërnjoftime për të varfrit

Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje qeverisë që të subvencionojë letërnjoftimin për një grup kategorish të shtetasve shqiptarë që sipas kësaj force, nuk kanë të ardhura për të paguar këtë dokument. Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi që rreth 1 milion shtetas shqiptarë të subvencionohen nga shteti, ndryshe ata do ta kenë të vështirë pjesëmarrjen në zgjedhje. “LSI-ja është e shqetësuar se për arsye të varfërisë së skajshme, varfëria e cila është thelluar në mënyrë të frikshme në vitet e qeverisjes së Berishës për mjaft qytetarë shqiptarë, pajisja me to do të jetë e pamundur. Për të kapërcyer këtë problem shumë të rëndësishëm në momentin dhe në kohën e duhur, i kërkojmë qeverisë që në mënyrë të menjëhershme të marrë masa dhe të pajisë pa pagesë kategoritë e mëposhtme të qytetareve. Pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat. Qeveria duhet të zgjidhë në mënyrë të menjëhershme këtë problem për këtë kategori qytetarësh, sepse përndryshe rrezikohet që rreth 1 milion qytetarë të mos marrin pjesë, pra, të përjashtohen nga procesi i votimit”, - deklaroi Vasili.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›