E Diel, 1 Nëntor 2026

I del para makinës së kryeprokurores, arrestohet gruaja

Një grua terrorizoi për më shumë se dy orë zonën pranë Prokurorisë së Përgjithshme, duke kërkuar me këmbëngulje takim me kryeprokuroren për vrasjen e së motrës. Policia qetëson gruan, që dyshohet se ishte në gjendje të rëndë psikike

TIRANË - Një grua, e cila dyshohet se ishte në gjendje mendore të paqëndrueshme, “terrorizoi” dje Prokurorinë e Përgjithshme, duke shkundur nga rutina e përditshme prokurorët dhe administratën e këtij institucioni. Këta të fundit veç soditjes, iu desh të qetësonin edhe gruan që patjetër kërkonte të takonte shefen e tyre, kryeprokuroren e vendit, Ina Ramën. Gjithçka nisi rreth orës 10:30 të paradites së djeshme, kur një grua rreth të 40-ve (së cilës për arsye etike nuk i bëhet publik emri), u paraqit në hollin e prokurorisë, ku kërkoi të takojë një zyrtar për problemin që e shqetësonte. Sipas saj, bëhej fjalë për vdekjen e së motrës, ngjarje e cila ishte ende e pazbardhur. Pas një pauze në hollin e prokurorisë, gruaja e familjarizuar tashmë me ambientin e organit qendror të akuzës, pasi kishte qenë edhe herë të tjera, ndryshon papritur, duke ulëritur dhe qarë. “Dua të takoj Ina Ramën, sepse më kanë vrarë motrën. Prokuroria nuk po gjen vrasësin e motrës sime”, - mësohet të ketë thënë gruaja misterioze brenda ambienteve të prokurorisë. Dëshmitarët okularë në vendngjarje tregojnë se ajo ka qëndruar për afro dy orë e gjysmë në hollin dhe oborrin e prokurorisë, duke qarë dhe bërtitur pambarimisht për vdekjen e së motrës. Përballë një situate të tillë, forcat e sigurisë kanë lajmëruar uniformat blu, të cilët nuk kanë vonuar të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, por ishin tepër të pafuqishëm për të vepruar me grua,n e cila nuk hiqte dorë nga kërkesa e saj për të takuar kryeprokuroren. “Ishte aq e vendosur në kërkesat e saj, sa tentoi t’i dalë para makinës së kryeprokurores, e cila po dilte nga oborri i institucionit”, - tregon një dëshmitare okulare e skenës që mblodhi para syve dhjetëra kureshtarë. Pas poteres që nxori në dritare thuajse gjithë stafin e Prokurorisë së Përgjithshme, në vendin e ngjarjes mbërrin një autopatrullë policie për të qetësuar gruan, e cila vazhdimisht thoshte se motra e saj ishte vrarë, ndërsa prokuroria nuk kishte arrestuar vrasësit, të cilët vazhdojnë të jenë ende të lirë. Pas disa tentativash të dështuara për të bindur gruan të qetësohej, dy uniformat blu të Patrullës së Përgjithshme dhe punonjësit e policisë që ruajnë hyrjen e Prokurorisë së Përgjithshme vendosën të shoqërojnë gruan me forcë, e cila sa vinte e shtonte ulërimat dhe lotët. Por shoqërimi me forcë i gruas ngjalli reagimin e kureshtarëve, të cilët e kritikuan ashpër gjestin e policisë. “Kështu ndodh kur vjen të kërkosh drejtësi”, - tha një dëshmitare.

Të interesuar pranë prokurorisë rreth incidentit që “ndryshoi” ditën e zakonshme të punës për prokurorët, bëhet me dije se nuk është hera e parë që kjo grua kërkon takim me kryeprokuroren. “Ka ardhur të paktën edhe dy herë të tjera në prokurori. Kërkon zbardhjen e vrasjes së të motrës”, - thanë burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Të njëjtat burime pohuan se kjo grua ripërsërit të njëjtën kërkesë, por pa përmendur të dhëna rreth identitetit të saj apo të së motrës. “Nga ana jonë janë kryer verifikime për çështjen në fjalë, por na rezultoi se për rastin e pretenduar nga kjo qytetare, nuk është regjistruar asnjë procedim penal”, - thanë burime pranë prokurorisë. “I kemi kërkuar zonjës të bëjë një kërkesë me shkrim për problemin që ka, por i vetmi reagimi i saj është kërkesa për takim me kryeprokuroren”, - shprehen burime të gazetës. Mësohet se gruaja është shoqëruar në komisariat për akuzën e prishjes së qetësisë dhe rendit publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›