Popullësia e Durrësit arrin në 200 mijë banorë
Popullsia e qytetit të Durrësit, sipas regjistrimeve nga dega e Statistikave dhe e Gjendjes Civile pranë Bashkisë, ka arritur në 200 mijë banorë, duke shënuar shifrën më të lartë në historinë e tij 3000-vjeçare. "Brenda 15 viteve të fundit, popullsia e qytetit antik është dyfishuar, çka përbën një tregues të rëndësishëm të rritjes të tij ekonomike dhe sociale", - thanë për standard burime nga Drejtoria e Gjendjes Civile në Bashkinë e Durrësit. Sipas të njëjtave burime, qyteti i Durrësit vazhdon të jetë qyteti me popullsinë më të lartë në vend, pas kryeqytetit. Rritja e pandërprerë e popullsisë i detyrohet lëvizjes së lire të shqiptarëve pas shembjes së diktaturës komuniste. Në regjistrimin e vitit 1989, qyteti bregdetar shënonte 79 mijë banorë dhe brenda pesë vjetësh popullsia arriti në 100 mijë vetë. Rritja e popullsisë gjatë periudhës 1994-2009 ka qenë graduale dhe dyfishimi i saj ka rritur ndjeshëm edhe shtrirjen e qytetit bregdetar. Tani veç popullimit të zonës periferike të plazhit dhe asaj të Shkozetit, qyteti është zgjeruar në pjesën e ish-Kënetës, si dhe në zonat veriore të Spitallës dhe Porto-Romanos. Sipas specialistëve historianë dhe arkeologë, shifra prej 200 mijë banorësh është më e larta në historinë e qytetit antik. Durrësi është një nga qytetet më të njohur në periudhën e Antikitetit dhe të Mesjetës. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se qyteti ka nisur të banohet afro 3000 vjet më parë, nga ilirët taulantë dhe vazhdon të mbijetojë në të njëjtin vend ku është themeluar, me gjithë pushtimet, luftërat dhe tërmetet shkatërruese në shekuj. Specialistët thonë se numri i popullsisë në 20 vitet e ardhshme do të rritet sërish.