“Populli nuk të do, dorëhiqu!”- Sali Shehu sfidon Edi Ramën: Ik, se po ike ti, vjen Evropa te ne! Po tërheq zvarrë vendin, do ikësh si diktator! I ke dalë për zot korrupsionit
Kreu i Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu, ka bërë thirrje për vijimin e protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar largimin e tij nga pushteti dhe krijimin e një qeverie që do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në News24, Shehu theksoi se protestuesit nuk po kërkojnë domosdoshmërisht zgjedhje të parakohshme, por largimin e qeverisë dhe krijimin e kushteve për një proces zgjedhor të besueshëm.
Ai kritikoi kryeministrin Rama për deklaratat mbi numrin e mandateve të fituara nga Partia Socialiste, duke theksuar se proceset zgjedhore në Shqipëri nuk kanë qenë të ndershme.
“Kam 83 mandate”, citoi Shehu kryeministrin, ndërsa shtonti: “830 mund të bësh ti me të vjedhura, realiteti është ndryshe. Populli nuk të do, zotëri. Dorëhiqu”.
Më tej, Shehu e cilësoi korrupsionin si një nga arsyet kryesore që qytetarët kanë dalë në shesh, duke akuzuar kryeministrin se ka mbrojtur akte të rënda korruptive përmes mekanizmave parlamentarë.
“Korrupsioni është armiku që i ka nxjerrë të gjithë shqiptarët në shesh. Ku, përveçse është në nivelin më të lartë, kryeministri i ka dalë për zot të gjitha akteve më të rënda korruptive, që duhet të ishin para drejtësisë, i ka mbrojtur me mjete parlamentare”, deklaroi ai.
Ai u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar largimin e Ramës si të domosdoshëm për integrimin evropian të Shqipërisë.
“Thirrja ime është për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, të gjithë në shesh! Të gjithë në shesh! Ne jemi ata që do ta bindim Edi Ramën të largohet nga zyra, me vullnet ose pa vullnet. Edhe i them Edi Ramës sonte: të sfidoj, ik nga Kryeministria! Ik! Ik, se po ike ti, vjen Evropa te ne. Ti po na e mban larg”, përfundoi Shehu.
Sali Shehu: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë fundi i botës. Le që protestuesit nuk po kërkojnë zgjedhje të parakohshme, nëse e keni dëgjuar me vëmendje. Kërkojnë largimin e qeverisë, një qeveri kujdestare, në një kohë të gjatë, e cila përgatit vendin qetësisht për zgjedhje. Le të bëjmë një herë në historinë tonë zgjedhje të lira dhe të ndershme, një herë. Sepse vetëm nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme prodhohen institucione të besueshme, të pakorruptuara.
Pse jemi në këtë gjendje sot? Sepse historikisht në Shqipëri nuk ka ndodhur që zgjedhjet të bëhen në mënyrë korrekte. Secila palë kërkon të marrë në mënyrë të padrejtë rezultatin që nuk i takon. Kot mburret Edi Rama: “Kam 83 mandate”. 830 mund të bësh ti me të vjedhura, realiteti është ndryshe. Populli nuk të do, zotëri. Dorëhiqu, mos ik me mendjen e Taulant Ballës. Çfarë i ka sjellë ndonjë të mirë Balla këtij vendi, përveç përfitimeve abuzive në kurriz të një partie, të cilën po e dënojnë rëndë? PS-ja është partia më e madhe deri tani në vend dhe këta po e dëmtojnë, po e çojnë drejt një rruge pa krye.
Kam vërejtje shumë të rëndë për brezin e vjetër të PS-së, që janë strukur në qoshe dhe nuk i drejtohen Edi Ramës. Çfarë na gjeti në vitin 2008? 15 deputetë i dolëm kundër Sali Berishës për ndryshimet kushtetuese. Tre vjet mandat kishte Berisha. Rama ka 14 vite dhe po e tërheq zvarrë partinë, vendin, Policinë e Shtetit, administratën. Por rreh fëmijët, nuk ka ndodhur as në vitin ’90 kjo. Fëmijët nuk janë prekur me dorë. Po rreh të rinjtë. Po tërheq zvarrë vajza të reja, gra, burra, pleq…
Sistemi i kapjes së shtetit është sistemi elektoral në Shqipëri, sepse partia që ka pushtetin i ka në dorë shqiptarët për t’ua marrë votën para se të shkojnë në kutinë e votimit. Se kështu ka ndodhur. Dhe pasi merr votën në këtë mënyrë, në shkelje flagrante të ligjit, del dhe thotë: “Kam marrë 83 mandate”. Do më dëgjoni mua, sepse, po ika unë, thotë, në Shqipëri nuk bie dielli. ǒështë ky? Duhet të ikë ai që Shqipëria të shkojë në BE. Ka ndenjur gjatë, e ka të vështirë të largohet, është faji i tij. Duhet të kishte ikur në mandatin e dytë, si burrat. Nuk di të ikë. Do të ikë si diktator. Po do të jetë më e dhimbshme për të dhe njerëzit që e rrethojnë. Ndryshimi këtu është jetik. Mbështetja për njerëzit në shesh është jetike…
Korrupsioni është armiku që i ka nxjerrë të gjithë shqiptarët në shesh. Ku, përveçse është në nivelin më të lartë, kryeministri i ka dalë për zot të gjitha akteve më të rënda korruptive, që duhet të ishin para drejtësisë, i ka mbrojtur me mjete parlamentare. Kjo i nxjerr njerëzit në shesh, padrejtësia. Se korrupsioni prodhon padrejtësi, arrogancë, ndasi të madhe shoqërore, negativitet.
Thirrja ime është për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen: të gjithë në shesh! Të gjithë në shesh! Ne jemi ata që do ta bindim Edi Ramën të largohet nga zyra, me vullnet ose pa vullnet. Edhe i them Edi Ramës sonte, të sfidoj, ik nga Kryeministria! Ik! Ik, se po ike ti, vjen Evropa te ne. Ti po na e mban larg.