Popullsia drejt plakjes, femrat jetojnë më gjatë se meshkujt
Popullsia në Shqipëri po shkon drejt plakjes, ndërkohë që femrat kanë një jetëgjatësi mesatare më të lartë se meshkujt. Sipas një studimi të kryer së fundi nga Open Data Albania (ODA), kategoria e personave mbi 65 vjeç është në rritje dhe ky fakt flet për fenomenin që po shfaqet shumë ngadalë edhe në vendin tonë, që është plakja e popullsisë. Ulja e nivelit të lindjeve pritet të japë efektet e saj gjithmonë e më shumë në brezat e ardhshëm. Ndërkohë, rritja e numrit të popullsisë mbi 65 vjeç duhet të tërheqë vëmendjen e shtetit për hartimin e politikave paraprijëse sociale si dhe skema të kujdesshme për pensionet. Përsa i përket idesë që ka mbizotëruar kudo dhe shpesh se në botë ka më shumë femra se sa meshkuj, sipas të dhënave të ODA, në një vështrim të përgjithshëm të përqindjes që zënë femrat ndaj popullsisë totale, rezulton se janë të rralla shtetet që kanë mbi 52% të përbërjes së tyre nga femrat (Zvicra, Armenia, Bjellorusia, etj). Mesatarisht, në botë, në vitin 2009, 49.59% e popullsisë përbëhej nga femra. Ndërsa në vendet e BE-së, ky inidikator ishte 51.16%. Edhe Shqipëria është luhatur rreth këtyre kufijve. Sipas ODA, në periudhën 1998-2010, raporti i femrave ndaj popullsisë totale ka variuar nga 49.8%-50.17%. Mesatarisht, në vendin tonë, raporti është 99.99 femra për 100 meshkuj, pra pothuajse 1 me 1. Në 1998-n, kishte 12 246 meshkuj më shumë sesa femra apo 0.8% më shumë. Me kalimin e viteve, raportet nisën të ndryshonin duke u rritur numri i femrave dhe në 2004-2005-n, diferenca shkoi rreth 11 000. Pas kësaj periudhe, meshkujt kanë mbizotëruar pothuajse gjithë kohës dhe në 2010-n, në Shqipëri ka 16 400 meshkuj më shumë sesa femra. Sipas studimit, interesant është fakti se meshkujt mbizotërojnë për gjatë gjithë viteve në grupmoshat 0-24 vjeç dhe 50-69 vjeç. Femrat janë më të shumta në numër në grupmoshat 25-49 vjeç dhe mbi 70 vjeç. Ky fakt i fundit flet për një jetëgjatësi mesatare më të lartë të femrave sesa të meshkujve. Ndërkohë që studimi i grupmoshave merr rëndësinë e tij në analizën demografike të një vendi. Në shqyrtim, ODA ka marrë tri grupmosha kryesore: 0-14 vjeç, 15-64 vjeç dhe mbi 65 vjeç. Kjo ndarje bëhet duke u nisur kryesisht nga mundësia për të punuar. Nga të dhënat është vënë re një lidhje e zhdrejtë midis dy grupmoshave ekstreme, pasi përqindja që zë grupmosha 0-14 vjeç ndaj totalit vjen çdo vit në ulje, ndërkohë që kategoria mbi 65 vjeç është në rritje.
Kategoritë e moshave viti 2009
0-14 vjeç 747,436
% e 0-14 ndaj totalit 23.40%
15-64 vjeç 2,146,613
% e15-64 ndaj totalit 67.20%
Mbi 65 vjeç 300,368
% e + 65 ndaj totalit 9.40%
Totali 3,194,417