Procredit, hap qendër të posaçme për biznesin
Është inauguruar zyrtarisht dje në Tiranë hapja e Qendrës së Biznesit të ProCredit Bank. Prej pak muajsh nën rikonstruksion, kjo Qendër Biznesi ka rinisur funksionet e saj në shërbim të klientëve, duke sjellë njëkohësisht dhe një risi, jo vetëm në sistemin bankar, por edhe duke shënuar iniciativën e parë të këtyre përmasave që një institucion ndërmerr për të prezantuar një shembull praktik të ndërtesave të gjelbërta. Qendra e Biznesit të ProCredit Bank në Tiranë është tashmë ndërtesa e parë në llojin e vet në Shqipëri, me një teknologji të përparuar dhe bashkëkohore të gjelbër. Vëmendja ndaj ambientit dhe eficiencës së energjisë ka kohë, që është artikuluar nga ProCredit Bank, duke qenë Banka e parë në Shqipëri që nga viti 2009, që promovoi dhe u ofroi klientëve të saj kredi për përdorimin eficient të energjisë për shtëpitë dhe bizneset e tyre, e shoqëruar me ekspertizën teknike të nevojshme për produkte të këtij grupi. Përdorimi joeficent i energjisë njihet sot si një nga shkaqet që çojnë në rritjen e ndotjes së mjedisit dhe çdo aksion në drejtim të eficiencës energjetike, është dhe një kontribut direkt në mbrojtje të ambientit dhe uljes së kostove që kanë lidhje me të. Në fjalën e saj përshëndetëse me këtë rast, znj. Violeta Haxhillazi, Anëtare e Bordit Drejtues të ProCredit Bank në Shqipëri dhe njëkohësisht udhëheqëse e Projektit të Gjelbër theksoi se: “Ulja e kostos së energjisë nuk është motivimi i vetëm i ProCredit Bank për këtë investim, pasi ai në radhë të parë synon të përmirësojë komoditetin për klientët dhe punonjësit e saj. Mbi të gjitha ky projekt promovon një përqasje më të përgjegjshme në zhvillimin urban në Tiranë. Projekti i Gjelbër në Laprakë ofroi mundësinë për t’i zbatuar këto teknologji në gamën më të gjerë të sistemeve dhe pajisjeve teknike të ofruara aktualisht në Shqipëri dhe në rajon”. Duke investuar në Qendrën e Gjelbër të Biznesit në Laprakë, ProCredit Bank konfirmon angazhimin e saj ndaj një përqasje që respekton mjedisin dhe përmirëson jetesën e individëve. Nisma e gjelbër e ProCredit Bank nuk përfundon me Qendrën e Biznesit të Laprakës. Gjatë këtij viti e në vazhdim, Banka do të monitorojë perfomancën e pajisjeve dhe do të përcaktojë përfitimet e arritura mjedisore dhe ekonomike. Kjo do të ndihmojë në përzgjedhjen e teknologjive që do të përdoren në projektet e ardhshme të rinovimit të degëve aktuale apo të degëve të reja të ProCredit Bank Shqipëri.