Stefan Fyle: Opozita të mos e lidhë axhendën evropiane me çështje të tjera

Tjetër apel nga Brukseli për bashkëpunim politik në miratimin e 3 ligjeve të statusit
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle i ka drejtuar apelin e fundit politikës shqiptare për të votuar 3 ligjet e kërkuara nga KE për marrjen e statusit kandidat. Ai i ka bërë thirrje forcave politike të bashkëpunojnë për integrimin dhe të mos e lidhin atë me çështje të tjera. Në apelin e tij nga Brukseli, komisioneri shprehet se nuk jemi ende në gjendje që të rekomandojmë hapjen e negociatave, por vlerëson përparimin e deritanishëm në vendin tonë përsa i takon përmbushjes së 12 prioriteteve. “Nuk di nëse ka ndonjë vend tjetër të Ballkanit ku të jemi angazhuar kaq intensifikisht dorë më dorë me atë vend për ta ndihmuar jo vetëm që të përmbushë 12 kriteret, por gjithashtu për të arritur një masë kritike në zbatimin e këtyre prioriteteve, në mënyrë që ne të mund të propozonim statusin e vendit kandidat. Nuk e di nëse ka një vend tjetër për të cilin kemi bërë kaq! Që nga fillimi i këtij viti kemi punuar me autoritetet, me opozitën dhe shoqërinë civile për të krijuar një proces gjithëpërfshirës për zbatimin e 12 rekomandimeve. Ne i kemi përcaktuar së bashku listën e prioriteteve dhe autoritetet i kanë përmbushur. Por mbeten 3 çështje dhe në fakt është interesante, sepse ato nuk simbolizojnë vetëm angazhimin për të përmbushur një masë kritike në fushat përkatëse , por ato kërkojnë bashkëpunimin dhe përfshirjen e të dyja palëve, mazhorancës dhe opozitës”- ka deklaruara Fyle.
Këto janë çështje që nuk kërkojnë vetëm mbështetjen e qeverisë, por edhe të opozitës. Fyle ka apeluar që opozita të mos lidhë agjendën evropiane me çështje të tjera. “Shpresoj shumë që në këtë stad, partitë politike të mos luajnë lojëra politike. Shpresoj, që qeveria të tregohet e hapur ndaj shqetësimeve të opozitës dhe shpresoj, që opozita të mos lidhë agjendën evropiane me çështje të tjera, edhe pse ato mund të jenë shumë të rëndësishme, por janë çështje që në fund të fundit bëjnë që të kemi një pengesë tjetër në Shqipëri. Dhe sa keq! Ta shohësh vendin të festojë 100 vjetorin dhe mos të jetë në gjendje për kaq pak që të ngjisë shkallën e vendit kandidat” – ka përfunduar Fyle.
...