E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porosia e Baroneshës

Përfaqësuesja evropiane, Catherine Ashton ka inkurajuar Kryeministrin Hashim Thaçi që Kosovën ta sjell më afër Bashkimit Europian. Baronesha tha se kur flet për perspektivën europiane të Kosovës, flet në emër të 27 shteteve anëtare. Ajo kërkoi zbatim të shpejtë të marrëveshjeve në dialog. Thaçi tha se po punohet për liberalizim të vizave dhe për marrëdhënie kontraktuale e tregtare me BE’në. Nga Faton Ismajli më 05 korrik 2011 në ora 08:02

Rezultatet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektiva europiane e shtetit të ri kanë qenë temat kryesore në takimin ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Catherine Ashton dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, të hënën në Bruksel.

Baronesha Ashton ka ftuar Kryeministrin Thaçi në kryeqendrën e BE’së, dy ditë pas arritjes së pajtimit për tri marrëveshjet e para në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kryediplomatja evropiane falënderoi palët për marrëveshjet e para mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat i quajti edhe të arritura të Europës.

”Dua të përgëzoj z. Thaçi dhe zonjën Tahiri për konstruktivitetin e treguar nga ana e tyre, por edhe palës serbe dhe lidershipin e tyre për guximin dhe punën e deritashme”, ka thënë Ashton në një konferencë të përbashkët shtypi me Thaçin.

”Qëllimi i këtij dialogu është që të dyja palët të jenë më afër BE’së, që të përmirësojnë koordinimin dhe çka është më e rëndësishmja, që të përmirësojnë jetën e njerëzve. Kjo është ajo çfarë ne synojmë”, ka shtuar ajo.

Baronesha e cila ndërmjetëson dialogun mes palëve përmes këshilltarit të saj, Robert Cooper, kërkoi zbatim të shpejt të tri marrëveshjeve të para dhe rezultate të tjera në takimet e ardhshme.

”Pres implementimin e shpejtë të këtyre marrëveshjeve dhe gjithashtu dialogu do të rezultojë më tutje, siç është çështja e telekomit, kadastrit dhe energjisë. Më duhet të them se të gjitha këto marrëveshje lidhur me lirinë e lëvizjes, janë të dobishme për të gjitha palët dhe nuk ka nevojë që të heqin dorë nga asgjë, përkundrazi, janë të dyja palët që kanë përfituar shumë”, tha ajo.

Në takimin e Ashtonit me Thaçin ka marrë pjesë edhe Cooper, si dhe këshilltari politik i Kryeministrit, Lirim Greiçevci.

Edhe Shefi i Qeverisë së Kosovës foli për tri zgjidhjet e arritura në Bruksel.
”Mesazhet janë shumë të qarta, edhe konkludimi për marrëveshje të përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë për tri çështjet, si njohja e diplomave, regjistrat civilë dhe lëvizja e lirë, të cilat çështje do të lehtësojnë jetën e njerëzve për një jetë më të mirë dhe do të vazhdohet me agjendën tjetër, si vulat e doganave, telekomunikacioni, energjia, ka thënë Thaçi.

Ai shtoi se dialogu është themeli mbi të cilin është ndërtuar edhe Bashkimi Europian. “Mbi këtë parim do ta evropianizojmë edhe ne Ballkanin dhe në këtë drejtim ne jemi duke punuar me të gjithë që të kemi një bashkëpunim fqinjësor shumë të mirë me të gjithë fqinjët, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, por edhe me Serbinë”.
Kryeministri Thaçi tha se marrëveshjet janë çështje teknike për një jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike, “çështje që i kemi diskutuar edhe me vendet e tjera të rajonit dhe janë zgjidhur sipas parimeve dhe standardeve evropiane”.

Përfaqësuesja e BE’së ka inkurajuar kreun e Qeverisë kosovare që të punohet edhe më shumë për afrimin e Kosovës drejt familjes evropiane.

”Përveç dialogut, unë gjithashtu kam diskutuar edhe për perspektivën evropiane për Kosovën dhe inkurajoj edhe një herë Kryeministrin Thaçin që të shpenzojë edhe më shumë energji në drejtim të BE’së për qytetarët e Kosovës, që Kosovën ta sjellë më afër Bashkimit Evropian”, tha Ashton.

Baronesha bëri të qartë se asnjë shtet anëtar i BE’së nuk kundërshton përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pavarësisht se pesë shtete anëtare të bllokut nuk e njohin shtetin e ri.

”Kur flas për perspektivën europiane për Kosovën, flas në emër të të gjitha vendeve anëtare të BE’së”, tha ajo.

”Porosia ime sot është që, edhe një herë të ritheksoj përkushtimin e Europës për perspektivën evropiane të Kosovës, sepse ne duam që Kosovën ta shohim sa më afër Europës dhe rezultatet e fundit janë me të vërtetë inkurajuese”, ka theksuar Ashton.
Përfaqësuesja e Lartë e BE’së u shpreh e kënaqur për hartimin e ligjeve që ndërlidhen me rrugën europiane të Kosovës.

”Jam shumë e kënaqur të shoh se kjo pako e mirë e legjislacionit është e miratuar dhe është e proceduar dhe pret miratimin e Parlamentit. Këto synojnë përmirësimin e sundimit të ligjit”.

Baronesha kishte edhe një porosi për Kryeministrin e Kosovës.

”Inkurajoj Kryeministrin Thaçi që të shfrytëzojë kontributin e misionit për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX’in, në komponentë të drejtësisë, policisë, gjyqësisë, luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar”.
Në konferencën për shtyp, Kryeministri Thaçi foli për agjendën dhe synimet e Qeverisë së tij.

”Kosova si vend me perspektivë evropiane do të vazhdojë me qeverisjen e mirë, të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe do të vazhdojë me përpjekjet maksimale që sa më shpejt të jemi edhe pjesë e EBRD’së dhe do të vazhdojmë me implementimin e kritereve të domosdoshme që Kosova të fitojë sa më shpejt të drejtën në procesin e dialogut të liberalizimit të vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian”, tha ai.

I pyetur rreth raporteve me FMN’në, pas rritjes së rrogave, Kryeministri Thaçi tha se me këtë organizatë është ridisenjuar bashkërisht një program dhe “Kosova nuk ka humbur asnjë cent” nga FMN’ja dhe as nga Komisioni Europian.

Vizita e Thaçit në Bruksel, me ftesë të Baroneshës Ashton, është e para, prej se është zgjedhur për herë të dytë kryeministër i Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›