Dauti kundër Nexhmedinit

Nuk ka vetëm Lidhja Demokratike probleme me degët e saj. Edhe Partia Demokratike i ka punët keq, së paku më njërën prej tyre, atë të Vitisë. Mollë sherri atje është bërë shkarkimi i kryetarit të Komunës nga posti partiak.
I sapokthyer nga vizita zyrtare në Irlandë, kryetari aktual i Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, e ka quajtur të pabazë vendimin për shkarkimin e tij nga pozita e sekretarit të Degës së PDK-së. Arifi tha të hënën se do ta ushtrojë edhe më tutje pozitën e sekretarit të partisë, pasi e ka mbështetjen e mbi 70 për qind të nëndegëve dhe nuk do ta pranojë vendimin e pabazë të Daut Xhemajlit.
Ditë më parë, Kryesia e Degës së PDK-së dhe kryetari i saj, Daut Xhemajli, e kanë shkarkuar Arifin nga pozita e sekretarit. Xhemajli, i cili është edhe zëvendësministër i Drejtësisë, vazhdon të këmbëngul në vendimin e organeve partiake për shkarkimin e Arifit, me arsyetimin se ai nuk ka punuar në zhvillimin e projekteve të komunës, por është marrë më shumë me kryeneçësi, duke komprometuar degën e partisë së vet.
Xhemajli ka thënë se Arifi është shkarkuar pasi nuk është marrë me punët e Komunës, por është bërë element destruktiv në administratën komunale. Sipas tij, Arifi prej fillimit të mandatit të dytë është manipuluar nga disa individë, duke sulmuar Degën e PDK-së dhe duke komprometuar udhëheqjen e saj.
Por Arifi, gjatë një konference për media, tha se i gjithë ky skenar ka ardhur nga disa njerëz dhe nga vetë Xhemajli, me qëllim të përgatitjes së terrenit për zgjedhjet pas dy vjetësh.
“Inicimi i shkarkimit tim nga detyra e sekretarit të Degës të PDK-së dhe zhvillimi i debatit të koordinuar për këtë çështje pa praninë time mund të vlerësohet si akt i ulët, joetik dhe plan i njerëzve të cilët nuk mund t’u përmbahen zhvillimeve dhe ligjshmërisë në Komunë”, ka thënë Arifi.
Por, Xhemajli e ka kundërshtuar Arifin në një prononcim të ndarë për media, duke thënë se shkarkimi i tij është bërë kryesisht mbi bazën e asaj që prej fitimit të mandatit të dytë në pozitën e kryetarit të Komunës, absolutisht i ka shpallur luftë udhëheqjes së degës.
“Ne kemi tentuar që në kuadër të degës t’i zgjidhim këto çështje, t’i zgjidhim problemet e kësaj natyre, por kryetari me kryeneçësinë e tij, normalisht i manipuluar me disa individë të caktuar, nuk ka pranuar të bashkëpunojë dhe të përfill udhëheqjen e degës. Vazhdimisht ka sulmuar, ka etiketuar, ka komprometuar gjithë udhëheqjen e degës”, ka thënë Xhemajli.
Ndërkohë, Arifi ka deklaruar se është i bindur se baza politike e nëndegëve në komunën e Vitisë, 70 për qind e tyre e mbështesin atë, e jo Xhemajlin.
Ai i ka quajtur të pabaza deklarimet se shkarkimi i tij ka ndodhur për shkak të mospunës. “Të gjithë ata që kanë akuza në institucionet komunale të Vitisë, i kanë mekanizmat e shtetit dhe le t’i dërgojnë ankesat, nuk kanë nevojë të maltretojnë qytetarët”.