Synojnë profilizimin
Pasanikëve të këtij vendi po u hiqet edhe një dert. Ata nuk kanë arsye të brengosen për shkollimin e fëmijëve. E, sidomos ata që duan t’i shkollojnë nëpër institucione private të arsimit. Edhe pesë institucione të reja të këtij lloji kanë aplikuar në Agjencinë për Akreditim, për të marrë “vizën” në mënyrë që në tetor të nisin vitin e ri akademik.
Përveç këtyre pesë institucioneve të reja, për riakreditim institucionet private arsimore kanë aplikuar me 22 programe të reja.
Ferdije Zhushi-Etemi, kryetare e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë për Akreditim tha se procesi është duke vazhduar, por nuk dha shumë detaje. Sipas saj, rezultatet do të bëhen publike këtë të mërkurë. Ajo sqaroi për Express se sivjet nuk do të ketë akreditim të institucioneve, por vetëm të programeve të reja. Akreditimi institucional ka përfunduar vitin e kaluar dhe të gjitha institucionet kanë “mandat” trevjeçar. Procesit të riakreditimit i nënshtrohen edhe Universiteti i Prishtinës dhe ai i Prizrenit. Zhushi-Etemi tha se edhe këto dy universitete publike kanë aplikuar me disa programe të reja. “Edhe ato janë në proces, por të mërkurën dihen rezultatet e të gjithëve”, tha ajo.
Zhushi-Etemi paralajmëroi të gjitha kolegjet private, por edhe universitetin publik të Prishtinës, që të mos shpallin konkurset për pranim të studentëve të rinj, pa u shpallur rezultatet e akreditimit nga agjencia. Sipas legjislacionit, institucionet nuk lejohen të parashohin në konkurs programet e paakredituara. Zhushi-Etemi tha se konkursi mund të shpallet për programet e tjera, por jo për ato programe që janë në proces të vlerësimit nga ekspertët. "Ekspertët, pas hartimit të raportit për secilin program, të institucioneve që kanë aplikuar, do ta dorëzojnë atë në Bordin e AAK-së, i cili do të marrë vendim për akreditimin ose jo të tyre".
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...