Porositë e kompozitori para koncertit
Aleksandër Peçi është nga ata pak kompozitorë që kur rrëfen se si ka lindur muzika e tij e filmave, na ndërton një skenar, veçmas skenarit filmik dhe mbi të cilin ai shkruan kolonën zanore. Për të shkruar më 1975 muzikën e filmit “Tokë e përgjakur” prof. Peçi kërkonte përqendrimin në një kryefjalë “e cila më shërben gjatë kompozicionit për krijimin e përfytyrimeve të figurshme e profonde”. Kjo kryefjalë do të ishte “parmenda” e cila për kompozitorin do të thotë thellësi tingulli, rrëshqitje në thellësi si vetë parmenda që shkakton një lëvizje emocionale dhe të përvuajtshme. Me këtë gjuhë ka komunikuar Peçi edhe me instrumentistët e kuartetit të harqeve me të cilat ka punuar për “Mozaical 7”, koncerti spektakël që shfaqet sot në mbrëmje në orën 19.00, në skenën e Akademisë së Arteve, me rastin e 10 -vjetorit të Qendrës Kombëtare Kinematografike dhe 55-vjetorit të Kinostudios. Përkrah kuartetit të harqeve “Mosaical”, marrin pjesë sopranoja Mariana Leka, klarinetisti Fatos Qerimi, balerina Eva Selaj, aktorët Tinka Kurti, Margarita dhe Ndriçim Xhepa, Robert Ndrenika, Rajmonda Bulku, Gulielm Radoja dhe regjisori Viktor Gjika, që interpretojnë pjesë nga filmat e muzikuar nga Peçi, si “Gjeneral Gramafoni”, “Në shtëpinë tonë”, “Fillim i vështirë”, “Kur xhirohej një film”, “Dasma e Sakos”, etj.
Në vijim të koncepteve figurative për muzikën kompozitori do thoshte për filmin “Në çdo stinë”: “Ne film ka një dashuri, e tillë duhet konceptuar duo violon 2 viola, dhe më pas violon 1 v.celle. Tema të hapet të mënyrë pasionante, ajri i saj është ajri i Erosit, perëndisë së dashurisë që mbush diafragmën tematike, tema të luhet ngrohtë, herë herë fluide, të jetë klasikisht e kënduar dhe e lakuar në linjat si në një skulpturë klasike”.
Kur flet për muzikën e një filmi të fundit kanadez me temë shqiptare, “Gratë pa flatra”, kompozitori i referohet një kryefjale të quajtur “frëngji” në kuptimin e dritares frëngji, vendit frëngji, shpirtit frëngji, jetës frëngji, qiellit i parë prej frëngjisë, diellit prej frëngjisë. Një kontrast i madh midis dy botëve njëra e mbyllur në frëngji dhe tjetra e kundërta e saj.
Ja një interpretim për “Dasmën e Sakos”: “Kryefjala Rekuiem. Rekuiem për një dasmë që brenda kish kurthin, rekuiem për një jetë, për një vend, për një popull. Muzika në vetvete është një double rekuiem. Njëri që vjen nga kabaja dhe tjetri që vjen nga Lacrimosa e Moxartit.”
Këta ishin disa nga shembujt për mënyrën se si ka punuar kompozitori me instrumentistët Aristidh Prosi, Suela Piciri, Ilkena Ruzi dhe Gëzim Bulçari mbi platformën për përfytyrime të figurshme. E gjitha kjo ka për qëllim mbërritjen e një pike ideale, qëllim që shprehet dhe në emrin e kuartetit “Mosaical”. Është pagëzuar nga vetë Peçi si një fjalë që përcjellë muzikë dhe shumë liri. “Mosaical do të thotë që në aktivitetin tuaj koncertal ju të jeni të hapur dhe të luani edhe repertor klasik edhe romantik edhe kontemporan por edhe etnik, një etnos i përpunuar bukur për string kuartet.”