E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit e Beratit, protestë në Tiranë

BERAT-Të përndjekurit politikë të degës së Beratit paralajmërojnë protestë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në datën 25 janar. Zbatimi i ligjit, dënimi i krimeve të komunizmit dhe dëmshpërblim për vitet e burgut janë kërkesat me të cilat ata i drejtohen qeverisë. Deklarata është bërë dje nga Shoqata e të Persekutuarve dhe të Përndjekurve Politikë. Sipas Murat Protoduarit, shoqata e të burgosurve dhe të persekutuarve politikë vazhdon të ngelet pjesa më e diskriminuar e shoqërisë. Asnjë qeveri, sipas tij nuk ka bërë sa duhet për këtë shtresë, ndaj në datën 25 janar të ata do t’i drejtohen Tiranës për të kërkuar të drejtat ligjore dhe kushtetuese. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Shoqate, Besim Ndregjoni, ndërsa i është referuar rezolutës së KE-së, për dënimin e krimeve të komunizmit, ka kërkuar që krahas plotësimit të kërkesave të tyre tashmë të miratuara nga parlamenti shqiptar, të dënohen edhe krimet e komunizmit. Ai ka theksuar vuajtjet e përballuara nga familjet e tyre dhe për këtë kërkesa drejtuar qeverisë nuk është lëmosha, por respektimi i të drejtave të tyre. “Ne nuk kërkojmë lëmoshë, sepse ne nuk kemi vdekur në kohën e komunizmit pasi ne përballuam krimet e sistemit dhe kështu do ta përballojmë edhe tani. Ne nuk do të lejojmë asnjë qeveri dhe asnjë politikë që të tallet me të drejtat tona”,- tha ai. Ata në kërkesat e tyre parashtruan dëmshpërblimin, pasi ai nuk është një lëmoshë pushteti, por detyrim ligjor .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›